Kronika

“Join Reaction-15”, Tahiri: Reformim tërësor të zinxhirit të mbrojtjes civile

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, në kuadër të stërvitjes “Join Reaction-15” me vendet anëtare dhe partnere të Kartës së Adriatikut, lidhur me emergjencat civile, theksoi se në Shqipëri mbetet objektiv madhor reformimi tërësor i të gjithë zinxhirit të mbrojtjes civile në vend, në pushtetin qendror por edhe në atë lokal.

tahiriDeklarata e ministrit Tahiri erdhi gjatë konferencës së zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, ku Shqipëria mori komandën e stërvitjes deri në korrik 2015.

Sipas Tahirit, Ministria e Brendshme këtë vit mbaron hartimin dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare për Reduktimin e Rrezikut ndaj Fatkeqësive dhe Mbrojtjen Civile. Ndërkohë sipas tij, pritet të përfundojë për pak kohë dhe hartimi i ligji të ri “Për mbrojtjen civile”, duke hedhur themelet për përballimin e emergjencave civile si nëpërmjet dijes, njohjes, edukimit dhe reagimit të qytetarëve, ashtu edhe për masat që marrin institucionet në parandalimin dhe përballimin e pasojave nga emergjencat civile.

Lidhur me emergjencat civile, Tahiri tha se “në këtë stërvitje, do të jenë të angazhuara të gjitha strukturat e emergjencave civile të vendeve tona, duke na vënë kështu në testin e bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët të institucioneve brenda vendit por edhe të partnerëve, për të përballur pasojat shpesh herë të rënda, të fatkeqësive natyrore apo të shkaktuara nga dora e njeriut.”

Sipas Tahirit, kjo stërvitje do të ndikojë në dy aspekte. “Nga njëra anë interesi madhor për të mbrojtur jetën, pronën e qytetarëve por edhe pasurinë publike, dhe nga ana tjetër shkëmbimi infrastrukturor në rajon, që na vë para përgjegjësisë, ne dhe partnerët, për të rritur ndjeshëm kapacitetet tona të mbrojtjes civile”, tha Tahiri.

Ministri i Punëve të Brendshme theksoi se, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, por pavarësisht këtij përparimi, vlerësoi Tahiri,  ndihet nevoja për zhvillime më të mëdha, si në aspektin normativ ashtu edhe në aspektin strukturor, teknologjik dhe infrastrukturor, qofshin këto publike apo private.

Ministri Tahiri tha se “objektiv madhor mbetet dhe reformimi tërësor i të gjithë zinxhirit të mbrojtjes civile në vend, në pushtetin qendror por edhe në pushtetin lokal, ashtu siç dhe lind e domosdoshme krijimi i kapaciteteve njerëzore me profesionistë, të aftë e të stërvitur për t’u përballur me situata emergjence, pasi fatkeqësisht, qytetarët janë tërësisht të pamësuar me skenarët e përballimit të emergjencave.”

“Natyrisht, shtoi ai, jo vetëm vendi ynë, por i vetëm, asnjë vend tjetër sado i zhvilluar qoftë dhe me resurse të mëdha, nuk mund të përballojë fatkeqësitë e përmasave të mëdha. Ashtu siç institucionet, sado të konsoliduara dhe me buxhet të konsiderueshëm të jenë, përsëri nuk mund të përballojnë dot këto fatkeqësi, në qoftë se nuk ndërtojmë masa parandaluese, edukative për qytetarin dhe shoqërinë por edhe infrastrukturore, që synojnë të ndërtojnë sigurinë tonë të përbashkët me përpjekje të përditshme”, theksoi Tahiri, duke shtuar se bashkëpunimi, koordinimi, dhe dhënia e ndihmës reciproke ndërmjet partnerëve, është nevojë dhe domosdoshmëri absolute.

Kodheli-525x350Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u shpreh se kjo stërvitje, është e para e kësaj natyre, ku në fokus të saj është bashkëpunimi, koordinimi dhe shkëmbimi i eksperiencave në raste të fatkeqësive natyrore.

Sipas Kodhelit, është i nevojshëm hartimi i një plani kombëtar për përballimin e situatave të tilla, me qëllim krijimin e kapaciteteve reale.

“Kjo stërvitje u ideua vitin e kaluar gjatë kryesimit të kartës nga Shqipëria, dhe jemi të lumtur që kontributi i Shqipërisë vazhdon. Fatkeqësisht, vijoi Kodheli, rajoni i Ballkanit është dëshmitar i katastrofave natyrore me pasoja njerëzore dhe materiale të konsiderueshme. Prandaj dhe marrja e masave parandaluese për përballimin e të gjitha natyrave të emergjencave, duke hartuar një plan kombëtar dhe duke krijuar kapacitete reale është e domosdoshme”, nënvizoi Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli takon ambasadorin amerikan z. Donald Lu
Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli takon ambasadorin amerikan z. Donald Lu

Ministria e Mbrojtjes, bëri të ditur më tej Kodheli, i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit ushtarak, në përballimin e përbashkët të fatkeqësive natyrore. Ajo garantoi se qeveria, do të dijë të vërë në dispozicion të gjitha asetet më të mira jo vetëm në mbarëvajtjen e kësaj stërvitje, por edhe në raste të katastrofave natyrore.

I pranishëm në aktivitet, ishte dhe Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, i cili nënvizoi mbështejtjen e vendit të tij për Ballkanin Perëndimor në rast të fatkeqësive natyrore.

“Jam i bindur se kjo stërvitje, do të jetë më shumë se thjesht një stërvitje, pasi do të jetë në shërbim të shumë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në kohë krizash edhe ushtria e SHBA do të japë suportin e saj. Ne ndiejmë përgjegjësinë për atë që mund të ndodhë.” tha Lu.
Shqipëria është vendi mikpritës dhe organizator i kësaj stërvitje të përbashkët të vendeve të Kartës së Adriatikut, e cila vjen dhe me mbështetjen e Komandës Europiane të Ushtrisë Amerikane, me qëllim ndërtimin e një modeli për mbrojtjen e integruar dhe përballjen e pasojave nga fatkeqësitë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button