Opinion

Ka një mënyrë që t’i kënaqësh të gjithë: bëhu socialist z. Rama!

Nga Zamira Çavo 

Të thuash se “nuk mund t’i kënaqim të gjithë”, nuk është thjesht një farsë, as një justifikim! Të thuash se po bëjmë shumë, por ju mbeteni gjithnjë të pakënaqur, sepse ne nuk mund t’ua plotësojmë ju të gjitha kërkesat, është ose infantilitet politik ose keqdashje politike. Në të vërtetë kjo shprehje është një filozofi më vete. Është filozofia e atij që e shikon shtetin si shumator interesash individuale dhe jo si interesa publike. Nuk ka qeveri në botë, të majtë apo të djathtë që të shprehet se: nuk ka mundësi t’u plotësojë interesat e të gjithëve, pasi çdokush e ka të qartë se shteti nuk ka për detyrë të plotësojë kërkesat individuale, por interesat publike. Në mendimin tim kjo shprehje e z. Rama është realisht edhe praktika e tij politike.

– Duke e menduar se qeverisja duhet të mbështesë interesat e atyre që e mbështetën, e ka çuar qeverisjen e Rilindjes, në një qorrsokak ku hatërmbetjet janë më shumë se mirëkuptimet. Kjo është e natyrshme. Nëse synon të plotësosh interesat e individëve, do të nisësh detyrimisht nga ata që ke më afër, që i konsideron më besnikë, ose nga ata që i konsideron “armiq” politikë e që mund të rrezikojnë pushtetin. Dhe Rilindja këtë ka bërë. Që në nisje të saj synoi të plotësojë interesat ekonomike të “grupeve” mbështetëse të fushatës. Këto grupe sigurisht nuk ishin qytetarët e thjeshtë, por biznesmenët që si dje, ashtu edhe me Rilindjen, mbështesin pushtetin me synim përfitime maksimale prej tij. Tenderët janë shprehja më e mirë e kësaj filozofie.

– Por sërish do thosha se edhe nëse këto tenderë do të kishin synim interesin tonë publik, pra do të na lehtësonin ne nga pagesat, nga humbja e kohës, nga mundësitë për të dhënë ryshfet për të marrë një shërbim, unë do thosha: Ok, shumë mirë, le të ndihmohen bizneset, por ndihmohemi edhe ne të gjithë! Por nuk ndodhi kështu! Shumat e tenderëve çuditërisht bien në duart e po atyre firmave që dikur kanë bërë kërdinë me abuzime fondesh publike. Dhe unë kam të drejtë të kërkoj llogari e të them: pse nuk shoh unë përfitime në xhepin tim nga këto tenderë? Sepse tenderimet janë paratë tona! Dhe nëse këto para ndryshojnë drejtimin, pra në vend që të na rikthehen ne në shërbime, shkojnë në majmje të disa “bosëve” që dje dhe sot kanë gjetur pikat e dobëta të pushtetmbajtësve dhe tallen me popullin, kjo është një filozofi që nuk ka asnjë grimcë socialisti brenda vetes. Tashmë është e dukshme që politika e koncensioneve nën emërtimin “publik-privat, jo vetëm është një politikë prioritare e rilindjes, por ndonjëherë më duket sikur është i vetmi qëllim i saj! Koncensionet do të na e marrin edhe më shumë frymën të gjithëve, sot edhe nesër. Do na grabisin jo vetëm qindarkën e fundit në xhepat tanë, por edhe të ardhmen e fëmijëve që do e konsiderojnë veten “emigrantë” në trojet e tyre. Dhe kjo nuk ka asgjë socialiste!

– Të gjithë ata që merren më pak politikë e dinë se financimi i shtetit është jo vetëm për të mbajtur administratën publike dhe shtetin si të tillë, por edhe për të siguruar investimet publike. Nuk jam ekonomiste, por nëse ke rritur taksat dhe njëkohësisht ke rritur dhe borxhin, ndërkohë që zhvillimi i ekonomisë është “në vendnumëro”, kjo do të thotë që vizioni është ai i pari: “le të plotësojmë interesat e atyre që na duhen”, pa populli është shumë dhe kur të vijë puna në zgjedhje, ai ne do na zgjedhë sërish!

– Sigurisht që interesat e të gjithëve nuk mund të plotësohen, por shteti e ka për detyrë të përmirësojë jetesën e grupeve në nevojë. Por ç’po ndodh? Të sëmurët po rropaten dyerve të spitaleve private, sepse partneriteti privat publik ua ka dhënë me koncesion disa shërbime spitalore. Pyesni hallexhinjtë t’ju thonë se sa po përfitojnë ata realisht nga kjo politikë. E ç’më duhet mua ky partneritet kur nuk më lehtëson as xhepin e as dhimbjen?

Si mundet që për të siguruar financimin e shtetit, ndërhyhet në shtresat më në nevojë: personat me aftësi të kufizuar! Nën filozofinë e të “pastruarit të listave nga personat abuzivë” po shkohet drejt rrudhjes gjithnjë e më të madhe të “të drejtave” të këtij grupi në nevojë. Ata që prej vitesh kanë marrë përfitimin e një pagese qesharake, sepse janë vërtet invalidë të tillë, tashmë u vihet në dyshim ky fakt madje dhe i torturojmë duke i përcjellë sa nga njeri kemp në tjetrin. Po si mund t’u thuash këtyre njerëzve që nuk e meritoni shërbimin falas me medikamente ndaj duhet ta paguani, por ne po ua bëjmë 50% më lirë! Ky është kulmi i cinizmit! Dhe kjo nuk ka asnjë grimcë socialisti brenda!

– Për të financuar buxhetin u rritën taksat. Rilindja tha “Do bëjmë shtet! Dhe unë e kam mbështetur këtë tezë. Po shteti duhet bërë pasi prej 25 vitesh ishin në një gjendje anarkie populiste. Dhe në anarki humbet gjithnjë i ndershmi e i pafuqishmi! Por e kam thënë me mijëra herë: Shteti nuk është qëllim në vetvete. Sa mirë që nuk u ngurrua asnjë sekondë për të futur në burg atë njeriun që vodhi energjinë, por që nuk kishte bukë të hante, ndërsa prej një viti nuk po miratohet dot Reforma në Drejtësi e cila duhet të fusë në burg të gjithë ata që kanë abuzuar me fondet publike? Sepse filozofia e qeverisjes është e tillë: ne nuk mund t’ua plotësojmë dot të gjithëve! Këta “të gjithë” jemi ne populli, ndërsa “ata” të cilët qeveria zgjedh t’ua plotësojë interesat janë ata që rrinë nën hijen e qeverisë!

– Dikush mund të thotë se investime po bëhen çdo ditë, se vendi “po ndryshon falë qeverisjes sonë”. Dhe ky ndryshim shihet tek ata që vizitojnë Shqipërinë si turistë. Sigurisht që ndryshime ka madje janë ndryshime pozitive. Janë ndryshime fasadash! Por janë fare pak, për të justifikuar politikat publike që duhet të ishin ndërmarrë me ato financime pafund që janë bërë! Ku është arsimi? Pse endemi akoma me fraza demagogjike se “po bëjmë atë që nuk është bërë për 20 vite radhazi”? Çfarë po bëhet? A po shkollohen më mirë nxënësit? A po mësojnë në mjedise më të denja? A e bën dikush llogarinë se sa merr një firmë për një tender dhe sa realisht ajo shpenzon në veprën publike? Dhe njerëzit kanë të drejtë të thonë: Paratë tona ndahen në tenderë që bien mbi kurrizin tonë! Pra jo vetëm nuk përmirësohet jeta jonë, por ajo rëndohet edhe më shumë.

– Na thuhet se jemi shtet i varfër! Jo nuk jemi i tillë. Të tillë na bëjnë qeveritarët! Dhe nuk e kam fjalën vetëm për pasuritë tona natyrore, as për fuqinë punëtore, as për trashëgiminë; Shikoni të ardhurat e këtij viti. Janë më shumë se çdo vit tjetër. Por çfarë po bëhet? Pse ne të gjithë nuk ndiejmë ndonjë përmirësim të jetës sonë?

– Shteti nuk ka për detyrë ta bëjë individin të lumtur e as të pasur. Ai ka detyrë të sigurojë kushtet që çdo individ, pra çdo individ të gjejë mundësitë të jetë i lumtur dhe i pasur. Por nëse vazhdojmë ta shikojmë popullin si Lopën që duhet ta mjelë çdo qeverisje në favor të interesave të saj klanore, me siguri që dita kur “kjo lopë” t’u japë shkelmin kovave me qumësht, do jetë e shpejtë. Ndaj ka një mënyrë që t’u plotësohen të gjithëve disa interesa: Është interesi publik! Dhe këtë mund ta bëjë një socialist i mirë. Por fatkeqësisht z. Rama nuk është as socialist, e jo më i mirë.

Related Articles

Nje koment

  1. Amira.hqipetret sot njihen si qenje shume larg qenjes njerezore.Qysh para 2316 vjetesh pa edukim dhe civilizim.Sot bota dhe ballkani pyet me te drejte.Kush e ka fajin cfare po ndodh ne Tirane?Pergjigja eshte:eshte faji I plehrave shqipetare.Plehrat shqipetare ne Tirane,Prishtine,Shkup,Ulqin kane qene,jane,dhe do te jene fatkeqesia e kombit shqipetr,e ballkanite Europes dhe e botes.Eshte cen I kombit por ne fillim te shekullit 21 te ka nje zgjidhje.Per fatin e keq te kombit nuk mund te zgjidhet nga shqipetaret.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button