Kadare: Largimet nga Kosova, një ligshtim moral i trishtueshëm
Shkrimtari Ismail Kadare ishte para disa ditësh në Izrael, ku iu dorëzua Çmimi i Jeruzalemit për veprat që shprehin më mirë idenë e lirisë së individit në shoqëri. Ky çmim jepet në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem, ngjarja më e madhe letrare e Izraelit. Në ceremoninë e së dielës ishte edhe Presidenti izraelit. Në një intervistë me telefon nga Parisi me kolegun tonë Ilir Ikonomi, shkrimtari i shquar foli në fillim mbi përshtypjet nga vizita në Izrael.
ISMAIL KADARE: Unë kam qenë edhe herë tjetër në Izrael. Më bëri si gjithmonë përshtypje serioziteti i organizimeve të tilla. Ne ndonjëherë na bën përshtypje kjo, ndoshta ngaqë edhe nuk jemi mësuar me një qasje të tillë.
ZËRI I AMERIKËS: Në ceremoninë e çmimit ju zgjodhët të flisnit mes të tjerash për raportet e shkrimtarit me lirinë. Por do të dëshiroja t’ju pyesja për diçka tjetër që gjithashtu lidhet me lirinë. Shqiptarët e Kosovës e fituan lirinë jo shumë kohë më parë. Dhe, në vitet e para pati kthime në masë të njerëzve për të ndihmuar vendin e tyre të ri. Ndërsa tani shikojmë të kundërtën. Njerëzit po ikin. Si e shpjegoni ju gjithë këtë zhgënjim ndonëse në liri?
ISMAIL KADARE: Që të jem i sinqertë, unë nuk jam në gjendje ta shpjegoj plotësisht. Problemet që ka Kosova janë sigurisht probleme reale, të rënda disa herë. Kemi të njëjtat probleme pak a shumë edhe ne, pak a shumë Ballkani, pak a shumë një pjesë e Europës. Por ikja nga vendi nuk është zgjidhje, as ka qenë dhe as do të jetë zgjidhje. Kjo është jo ikje, por një lloj shpërngulje. Mësova me një trishtim të jashtëzakonshëm që midis të ikurve këto kohët e fundit janë gjashtë mijë fëmijë shqiptarë të shkollave. Kjo quhet, pra, jo ikje. Ajo nuk justifikohet, nuk përligjet vetëm nga arsyet ekonomike. Kjo është një lloj psikoze, një ligshtim moral shumë, shumë, shumë i trishtueshëm. Shpërngulja është një nga format më të rënda gjenocidale, nga format e shfarosjes së një kombi. Ajo çka i detyron ata duhet gjendur, mendoj. Nuk mund të ngrihen duart përpjetë nga askush, duke filluar nga njerëzit që drejtojnë Kosovën, tek ne të tjerët të gjithë. Kur them të gjithë, e kam fjalën te Shqipëria vetë, si shoqëri dhe si komb, te Shqipëria si shtet dhe si opinion publik, dhe këtu përfshij edhe veten time.
ZËRI I AMERIKËS: Ju flisni shpesh për Evropën, si shtëpia e madhe ku shqiptarët kanë vendin e tyre të natyrshëm. E megjithatë, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të vuajnë mjaft nga probleme të tilla si korrupsioni, varfëria ekonomike, politika e egër, mosfunksionimi i drejtësisë, prania në parlament e njerëzve të inkriminuar. A janë këto për ju një pengesë serioze për t’u integruar në Evropë, apo i shihni si pjesë të zhvillimit?
ISMAIL KADARE: Të gjitha këto që përmendët ju janë të vërteta, nuk janë të tepruara, por asnjëra prej këtyre arsyeve nuk është e tillë bindëse që të lëkundë qëndrimin shqiptar, strategjinë shqiptare ndaj Evropës. Mendoj se kjo duhet të jetë e padiskutueshme. Jo sepse Evropa është një lloj feje apo besimi fetar, por sepse është mundësia e vetme që na ka dhënë historia, natyra dhe fati ynë, siç thuhet shkurt. Të gjitha ato incidente që ndodhin dhe do të ndodhin në rrugën e popujve evropianë, ballkanikë, në rrugën e popullit shqiptar, nuk janë justifikim për zgjidhje të tilla radikale siç është dorëzimi përpara së keqes. Përkundrazi.
ZËRI I AMERIKËS: Ju përmendët në Jeruzalem çështjen e hapjes së dosjeve në Shqipëri, që e quajtët pjesë të shqyrtimit të ndërgjegjes. Kohët e fundit në Shqipëri përsëri po flitet për këtë temë. Çfarë duhet të ndodhë në politikën shqiptare që ky proces vërtet t’i shërbejë shqyrtimit të ndërgjegjes dhe të mos kthehet në një shfaqje politike?
ISMAIL KADARE: Ka shumë njerëz që nuk duan që dosjet të hapen, nuk duan që arkivat të hapen. Disa nuk duan me arsye, disa pa arsye. Për shumë njerëz do të ndodhë diçka e madhe, do të detyrohen të struken në këndet e padukshme të shoqërisë. Por le të bëjmë një pyetje: A është e mirë kjo gjë, apo është e keqe? A është e mirë që njerëzit, të cilët kanë qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë për një diktaturë të egër, që kanë qenë masha e saj, duart e saj të përgjakura, ose duart e saj të errëta, të tërhiqen në qoshe dhe të mos përzihen në jetën shqiptare? Unë mendoj se nuk ka asnjë të keqe në këtë gjë. Nga hapja e dosjeve vendi nuk humbet gjë. Gjermania e bëri këtë proces me një forcë shumë të madhe, sepse përmasat e së keqes ishin tepër të mëdha, të tmerrshme. E bëri dhe nuk humbi asgjë. Përkundrazi, një nga sekretet, shpjegimet, misteret e zhvillimit të jashtëzakonshëm gjerman sot në Evropë është pikërisht ky guxim për të shqyrtuar ndërgjegjen e vet dhe nuk ndodh ndonjë gjëmë, siç thuhet poshtë e përpjetë, me hapjen e këtyre dosjeve. Do të ndodhë vetëm një strukje e së keqes dhe kjo do t’i bëjë mirë kombit shqiptar.