Kronika

Kalon Vettingun/ KPK konfirmon në detyrë prokurorin Besim Hajdarmataj

Kalon vettingun prokurori Besim Hajdarmataj. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin për Hajdarmataj, prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda duke e konfirmuar në detyrë.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda është paraqitur personalisht në KPK pa përfaqësimin nga një avokat. Trupa gjyqësore e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Suela Zhegu tha sot se konsideron të përfunduar seancën dëgjimore dhe për rrjedhojë procesin e rivlerësimit të prokurorit Besim Hajdarmataj.

Trupa vendosi konfirmimin në detyrë të tij si dhe transferimin e dosjes penale të Përmetit për 12 ton droge për shkelje disiplinore në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.

Me ardhjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Hajdarmataj u largua fillimisht nga posti i drejtuesit të Krimeve të Rënda dhe në shtator 2018 u komandua në Prokurorinë e Pogradecit. Ai e konsideroi transferimin të paligjshëm dhe me vendim të Gjykatës Administrative dhe më pas të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u rikthye sërish si prokuror i Krimeve të Rënda.

Hajdarmataj ka udhëhequr një sërë çështjesh të nxehta, mes tyre atë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ishte Hajdarmataj, prokurori që firmosi kërkesën për heqjen e mandatit për Tahirin.

Mes çështjeve të nxehta të hetuara prej tij, ishte dhe ajo e italianit Guido Guidi, i cili u rrëzua me avionin e tij në zonën e Ishmit.

Hajdarmataj i është shtuar listës së aplikimeve për të qenë anëtar i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) me 6 mars, duke qenë një kandidat për SPAK.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button