Kamioni merr flakë brenda tunelit në autostradën Elbasan- Tiranë, rradhë kilometrike automjetesh
Marrja flakë e një kamioni në ecje e sipër brenda tunelit të autostradës Elbasan- Tiranë, ka krijuar rradhë kilometrike në të dyja anët e tunelit. Sipas policisë, rreth orës 19:30, në tunelin e autostradës Elbasan-Tiranë, ka marrë flakë në ecje e sipër, automjeti tip “Kamion”, me drejtues shtetasin V. M.
Për fat të mirë nga flakët janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Paraprakisht, sipas policisë, dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një defekti në automjet.
“Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur edhe mjetet zjarrfikëse, të cilat kanë shuar flakët, por ende, sipas dëshmitarëve, vijojnë të dalin shtëllunga tymi, por në sasi më të vogla se disa minuta më parë.
Punonjësit që mirëmbajnë tunelin po lëvizin kamionin e djegur, me qëllim që të hapin rrugën për kalimin e mjeteve që kanë mbetur të bllokuara.