Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Viktor Tushaj takohet me banorë të Kallmetit
Mungesa e punësimit për të rinjtë, infrastruktura rrugore, pagesat e ulëta të invalidëve dhe punonjësve apo paqartësitë me pronat, janë ndër problemet kyçe që shqetësojnë komunitetin e Kallmetit në Lezhë.
Gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në këtë zonë, Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Lezhë, z. Viktor Tushaj, i shoqëruar nga deputetët z. Gjovalin Kadeli dhe z. Arben Ndoka, teksa kërkuan mbështetjen e banorëve në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, garantuan mbështetje dhe zhvillimin e munguar në këtë zonë.
Kandidati i mazhorancës për kryetar të Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, i premtoi komunitetit të Kallmetit vizionin, strategjinë dhe angazhimin total për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe rritjen e mirëqenies për banorët dhe fëmijët e kësaj zone.
“Dua që të garantoj të gjithë banorët e Kallmetit se vullneti im i bashkuar me vizionin dhe strategjinë, por edhe atë eksperiencë që unë kam ndërtuar gjatë këtyre 8 viteve në drejtimin e Bashkisë së Lezhës, besoj se do të jenë të mjaftueshme për të bindur të gjithë banorët për të më dhënë besimin e duhur për të vazhduar rrugëtimin në një 4-vjeçar për të zhvilluar ekonomikisht të gjithë komunën e Kallmetit. Ju keni forcë për të besuar tek ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’, për të besuar te Viktor Tushaj si përfaqësues i këtyre vlerave të këtij koalicioni se do të dijë të ndërtojë raportin e duhur me qeverinë shqiptare”, – tha z. Tushaj gjatë këtij bashkëbisedimi.
Gjithashtu, kandidati i së majtës përmendi edhe investimin që po bëhët në ujësjellësin e Lezhës, që do të jetë një vepër e standardeve më të mira evropiane. “Sot ne po ndërtojmë një ujësjellës me parametra bashkëkohorë evropian, ku tubacionet janë marrë nga kompanitë më të mirë prodhuese sot në Gjermani, ku hartuesit e projekteve janë nga studiot më të mira austriake që dinë dhe njohin shumë mirë se si funksionojnë ujësjellësit. Edhe ata të cilët po e implementojnë janë kompani me eksperiencë shumë të madhe dhe jam i bindur se do ta realizojnë me standardin e duhur”, – vijoi z. Tushaj, duke shtuar se Kallmeti është një ndër zonat më të veçanta të bashkisë së re të Lezhës. Sipas kandidatit për kryetar të bashkisë, me bukuritë dhe resurset që ka, kjo njësi e re administrative premton zhvillim dhe mirëqenie për banorët.
“Por këto resurse deri më sot nuk kanë ditur të shfrytëzohen apo menaxhohen, ndaj për banorët e Kallmetit zgjidhja e duhur, për t’u nisur në drejtimin e duhur, është ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’. Banorëve të Kallmetit ju garantoj vullnetin tim të plotë, vizionin dhe strategjitë, e një zhvillimi real, përmirësimi të shërbimeve publike dhe rritje të mirëqenies”, – theksoi ndër të tjera z. Viktor Tushaj gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë, deputetët Ndoka dhe Kadeli garantuan mbështetjen e tyre ndaj kandidaturës së Viktor Tushaj, ndërsa premtuan se po kështu do të mbështeten nga Parlamenti dhe qeveria edhe projektet e tij për zhvillimin e Lezhës.
“Viktori është modeli i zhvillimit, është modeli i qytetarisë. Kallmeti nuk do të jetë më komunë, por një lagja e re e Bashkisë Lezhë. Duke pasur garancinë absolute dhe duke besuar në vizionin e Viktorit, duke besuar në atë çfarë ka bërë Viktori për Lezhën jam i sigurt se ai do të dijë të zgjidhë më së miri nevojat që ka Kallmeti”, – tha z. Gjovalin Kadeli.
Takimi ka vijuar në formë bashkëbisedimi, ku banorët e zonës teksa shprehen mbështetjen për këtë kandidaturë, i kërkuan atij që e quajtën kryetar i ardhshëm i bashkisë së madhe, që të jetë pranë tyre dhe nevojave që kanë.