Ekonomia

Karburantet në porte, ndryshojnë kushtet për licencimin e kompanive

Nga 22 marsi i këtij viti kompanitë e karburanteve që ushtrojnë aktivitet pranë porteve dhe radave në funksion të furnizimit të anijeve do të kenë kushte të reja për licencimin e tyre. Një udhëzim që mban datën 28 dhjetor por që është publikuar në fletoren zyrtare së fundmi ndalet pikërisht në këto aspekte dhe hyrja në fuqi e tij është specifikuar dy muaj pas publikimit. Konkretisht udhëzimi ndalet në pjesën e parë në procedurën e dhënies së licencave për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant për konsum të anijeve në porte dhe rada ku theksohet se kjo veprimtari kryhet vetëm nga shoqëritë pasi janë pajisur me licencë specifike pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Kjo lloj licence trajtohet sipas grupit III dhe ka një afat 5 vjeçar. Kompanitë bëjnë furnizimin e anijeve me anë të autoboteve, dhe/ose me anë të anijeve cisternë.

Janë dy tipa licencash që mundësojnë ushtrimin e aktivitetit të furnizimit me karburant për konsum të anijeve dhe secila ka specifika dokumentacioni të ndryshme që duhet të paraqiten nga ana e shoqërive përpara se të përfitohen. Në total janë të paktën 13 dokumente duke nisur nga formulari i autodeklarimit, ekstrakti historik në QKB, kontratë punësimi për drejtuesin teknik, licencë për tregtimin me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve përfshire ato bio si dhe lëndëve djegëse, dokumentacion që provon pronësinë ose kontratën e qirasë për 5 (pesë) automjete tokësore tip autobot për furnizimin e anijeve në kalatë i shoqëruar me dokumentacionin përkatës. Po kështu kërkohet certifikatë e kalibrimit të vëllimit të depove, nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ose organet e autorizuara për këtë qëllim dhe një policë Sigurimi me vlerë primi jo më pak se 1.000.000 euro për shpërblimin ndaj dëmeve që mund t’u shkaktohen të tretëve gjatë operacioneve të bunkerazhit e vlefshme përgjatë gjithë periudhës së licencës.

Udhëzimi përcakton edhe procedurat dhe afatin për shqyrtimin e kërkesës për licencim si dhe hierarkinë ku kalon deri në miratimin final. Kur dokumentacioni nuk është i plotë bëhet refuzimi i licencës ndërkohë që në rast aprovimi kompanitë duhet të kalojnë tek zbatimi i kushteve teknike.

Të tilla specifika janë detyrimet për “Kodin Detar”, rregullat e vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, zbatimi rigoroz i detyrimeve që lindin nga ligjet për taksat dhe kodi doganor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button