Këmbimi valutor, dollari amerikan fiton pikë ndaj lekut – Analistët: Ky është viti i jenit japonez
Në këtë mënyrë dollari rekuperon disa prej humbjeve të muajit Shkurt, por gjendet sërish shumë larg vlerave të vitit të kaluar. Shkurtin e kaluar, dollari arrinte vlerat e 127 lekëve.
Kjo ngjitje e valutës së SHBA në tregje solli një rënie të lehtë për euron, përpara se të zbulohen të dhënat e inflacionit. Megjithatë, në tregun vendas monedha e përbashkët europiane shfaqet e pandryshuar nga niveli i ditës së martë dhe të hënë. Të shumtë, analistët vendas e kanë konsideruar rënien e shpejtë të vlerës së euros në mes të muajit, një reagim psikologjik ndaj deklaratave të Bankës qendrore për të luftuar euroizimin.
Të pandryshuara ditën e sotme shfaqen edhe paundi britanik, fiksuar në kursin e 150 lekëve, si dhe dollari australian, i cili kap vlerën e 84 lekëve.
Ndërkohë, në ngritje me nga 0.2 pikë ndaj monedhës vendase u regjistrua ditën e sotme dollari kanadez, ndërsa franga zvicerane pati një rritje edhe më të madhe me 0.3 pikë.
Sa i takon pritshmërive në tregjet kombëtare, analistët më prestigjiozë, firma si BNP Paribas dhe Morgan Stanley e konsiderojnë këtë vitin e jenit japonez. Një jen më i fortë do të thotë importe më të lira për tregun vendas japonez, çka do të binte ndesh me synimin e Bankës së Japonisë për të nxjerrë ekonominë nga një fazë e gjatë deflacioniste. Megjithatë performanca e mirë e ekonomisë, më e mira e G-10, ndikuar nga zhvillimi ekonomik dhe suficiti i lartë, do ta bëjnë të vështirë frenimin e kësaj valute.