Ekonomia

KfW gjermane: Grand 4.5 milionë euro për formimin profesional dhe punësimin

Gjermania vijon angazhimin e saj për rritjen e punësimit të profesionistëve të rinj duke mbështetur më tej investimet për sektorin e arsimit dhe formimit profesional.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Z. Arben Ahmetaj dhe Drejtori i Zyrës së KfW-së në Tiranë, Z. Björn Thies nënshkruan marrëveshjet e financimit për projektin ‘Fondi për Arsimin dhe Formimin Profesional dhe Punësimin: Qendra Multifunksionale e Kamzës’. Ky projekt mbështetet nga qeveria gjermane, përmes KfW-së me një grant prej 4.5 milionë eurosh. Në fjalën e saj, Znj. Maren Kneller, Drejtoresha e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane thekson rëndësinë e këtij bashkëpunimi: “T’u ofrosh të rinjve një arsim sa më cilësor dhe që u mundëson atyre të kryejnë edhe praktikë në kuadër të tij është çelësi i përgatitjes së tyre për një të ardhme të sukseshme në Shqipëri, duke e bërë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët, të cilët kërkojnë një forcë punë sa më të kualifikuar.”

Duke u fokusuar në nevojat që kanë të rinjtë shqiptarë, qeveria gjermane e ka si një ndër objektivat e saj kryesorë rritjen e situatës së punësimit dhe integrimin e këtyre të rinjve të aftë në tregun e punës në Shqipëri. Duke punuar mbi modelin e sukseshëm të GIZ në sektorin e arsimit dhe formimit professional, qeveria gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, do të forcojë më tej këtë sektor me anë të investimeve në Qendrën Multifunksionale të Kamzës.

Projekti parashikon masa investimesh të tilla si ngritja e laboratorëve dhe pajisja e tyre me makineri dhe mjete, duke dhënë gjithashtu edhe trajnime për përdorimin sa më të qendrushëm të investimit, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë nevojave të profesionistëve të rinj për rritjen e eksperiencës së tyre nga ana praktike, çka rrit shanset për ta për të hyrë në tregun e punës në vend.

KfW është një nga bankat për zhvillim lider në botë. Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjermane të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si dhe kushtet e jetesës në mbarë botën. Në Shqipëri, KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme.

Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit qeveria gjermane ka angazhuar një shume totale prej mbi një miliard euro. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është një nga sektoret kyç të Bashkëpunimit për Zhvillim Gjermani-Shqipëri, për të cilin qeveria gjermane ka angazhuar më shumë se 172 milionë euro, që nga viti 1998.

2018 përkon me 30 vjetorin e bashkëpunimit për zhvillim midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ky përvjetor do të festohet përmes një serie eventesh përgjatë gjithë vitit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button