Kleptokracia maniako-depresive e Edi Ramës po asgjëson pluralizmin
Sulmi permanent mbi pluralizmin, ligësia dhe pasioni për shkatërrimin e tij prej KM, është krimi më poshtërues dhe më i ulët mbi shqiptarët, që mbas fitores së pavarësisë nga osmanët më 1912. Shqipëria, në të gjithë historinë e saj të vështirë mijëravjeçare ka pësuar me dhjetëra pushtime, grabitje të tëra pasurish dhe territoresh, dhunimesh dhe vrasjesh, por ka arritur të mbijetojë. Në këtë inerci të dhunshme pushtimesh të tejzgjatura, ka rënë, është bërë viktimë, ka prekur fundin, ka arritur aq poshtë sa të parapëlqejë edhe diktaturë makabre, por asnjëherë nuk është asimiluar dhe dorëzuar. Asnjëherë nuk e ka humbur shpresën. Ka pasur forcë të ringrihet dhe arriti më në fund me thonj të gjakosur të ngrinte një shoqëri pluraliste, që me gjithë problemet që mbarti, e përqasi sadopak vendin krah shteteve europiane.
Por vendimi i Gjykatës së Apelit të Tiranës i datës 3 mars, marrë nga gjykatës me sovranitet partiak, që shikojnë me lupë procedurën dhe mohojnë të drejtën materiale, për të cilën është ngritur kjo procedurë, nuk bëri gjë tjetër, veçse i vuri vulën një fenomeni fatal për të ardhmen; atë të shkatërrimit përfundimtar të pluralizmit të brishtë shqiptar.
Përjashtimi i opozitës, cilado qoftë ajo, nuk ka arsye juridike, ajo ka vetëm një arsye; atë të asgjësimit të pluralizmit, për të zgjatur jetën politike të dinosaurit të korrupsionit, të gllabërimit të aseteve publike të shqiptarëve të zhvatur keqazi, të cilëve zgjidhja e vetme i ka mbetur të ikin nga sytë këmbët. Duke ikur sa më larg nga vendi i tyre, deri në Afrikë të Jugut, Zelandë të Re, Alaskë, me mendimin që sa më larg të shkojnë, aq më shumë i largohen së keqes.
Gjyqtarët e apelit, që në këtë gjykim u prezantuan si skrupulozë pa skrupuj, bashkë me pluralizmin nuk arrijnë të kuptojnë, që me këtë vendim asgjësuan edhe vetë drejtësinë, e cila nuk mund të ekzistojë pa pluralizmin.
Në një pamje të sipërfaqshme prej njerëz apolitikë, kjo shumëkushit i duket si një lojë politike dhe e zgjuar e KM. Herë- herë i duket edhe si loja politike e një “strategu largpamës” model Erdogani, që di të fitojë përherë, por harrojnë vetëm faktin e thjeshtë, që pikërisht këtë lojë të pushtimit të frymëmarrjes politike të shqiptarëve mund ta bënte lehtësisht kushdo. Gjithsecili, që ka qenë në krye të pushtetit gjithë këto vite të vështira tranzicioni, sikurse Berisha, Nano, Majko, Meta, Fino, mund ta kishin realizuar lehtësisht sulmin mbi pluralizmin, por në asnjë rast nuk e bënë dhe as nuk e çuan nëpërmend me gjithë dëmet që mund t’i kenë shkaktuar, për vetë faktin e thjeshtë, se me këtë akt makabër nuk do të asgjësonin vetëm Shqipërinë, por edhe vetveten.
Mjerimi më i madh në këtë dramë politike është indiferenca, cinizmi, meskiniteti, komentet infantile të medias që analizojnë asgjësimin e tyre, që lobojnë kundër misionit të tyre dhe nuk arrijnë të kuptojnë, ose nuk duan të kuptojnë, vetëm për interes të një grushti parash të pista. Që arrijnë të nënshtrohen deri në kufijtë e përunjësisë mesjetare dhe i kanë hyrë garës së pasurimit material nën diagnozën virusiane të vetë dinosaurit, me shpresë që aty do të gjejnë prehjen e lumturisë shpirtërore.
Kryemjerimi infinit është vetë KM, që vuan ankthshëm nga “obsesioni i letrës” i pangopësisë me paranë, tek e cila për dramë të një populli të rraskapitur, shikon lumturinë e munguar nga gjendja e haluçinacioneve të idiotit.
Nuk di ndonjë rast, ose autor në të gjithë historinë e diturisë botërore, që të stigmatizojë forcën e parasë, si kusht për një jetë të lumtur shpirtërore, përpos një fjalë të urtë cinike kavajase, sipas së cilës vetë urtësia thotë: “Zot më jep mend sa të lidh ushkurët e brekëve, të tjerat m’i jep pare”. Ndoshta kjo urtësi kavajase duhet të jetë deviza e këtij dinosauri, që nuk ndjen të nginjur me marrinë pas “letrës” dhe syrin ia ka vënë së fundmi edhe pronave të vetme që i kanë mbetur sovranit, apartamenteve që nuk i shkatërroi dot as tërmeti i fundit. Apartamenteve ku sovranit i erdhën në emër të tij më se dy miliardë euro. Apartamenteve të vogla ku ata kanë kaluar kohën e mjerimit të vështirë totalitar, shumë shpejt do t’i trokasin “ekspertët” e shtetit që do të vlerësojnë se në cilën prej tyre do të rrafshojnë dhe në vend të tyre të ngrenë godina shumëkatëshe oligarkët ortakë të qeverisë dhe të KM. Edhe këto duhet të gëlltiten, që të mos mbetet asgjë tjetër, ndoshta edhe vetë ajri, që Ai të ketë rezerva të pashtershme në botën e përtejme, në fenë unike ku ka lidhur besimin e tij, sipas së cilës, aty nuk pranohesh pa thasë të rëndë miliardash.
Kryemjerimi është pikërisht KM që me logjikë Kim Jong Un mbasi ka gllabëruar të gjithë pushtetet, rrëmben edhe vetë vulën e thatë të opozitës së lodhur nga kjo torturë dhe paturpësisht kërkon të ndeshet në ringun elektoral me një kundërshtar me duar dhe këmbë të lidhura, ndërsa vetë dinosauri ka në dispozicion të gjithë arsenalin e armëve të botës për të goditur, shkelmuar dhe grushtuar. Një turp i madh do jetë kjo “fitore” vrastare. Një turp shumë i madh, aq sa edhe vetë inteligjencës së tulatur nga ky vulgaritet, i vjen turp për llogari të turpit të tij. Një turp i madh është ky edhe për vetë PS-në, që me këtë fitore shkon përtej marrëzisë së fitores enveriane, që shumë më “ndershëm” e vrau pluralizmin me plumb kokës pa mbërritur mirë në zyrat e pushtetit.
Pluralizmi politik në Shqipëri, njësoj sikurse asetet publike, është marrë peng nga partia e feudalizuar e E.Ramës, i cili është duke krijuar artificialisht një pluralizëm fals të polarizuar alla-Alibashian, ku në vend të garës demokratike për ide, vizione e programe qeverisëse behën përndjekje, burgosje, shkatërrime pronash me tritol të kundërshtarëve politikë, etiketime, bojkotime, intriga dhe kërcënime nga më të ndryshmet.
Që prej 12 dhjetorit 1990 kur është krijuar partia e parë opozitare shqiptare, në një vend me një përvojë minimale pluraliste 1920-1924, gjyqi i datës 3 mars që nuk legjitimon pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje është vrasja përfundimtare e opozitës dhe kalimin në një pluralizëm të kontrolluar prej KM, ku subjektet elektorale do të jenë thjesht satelitë të tij, vegla të liderit absolut, që po e çon vendin në një shoqëri kazerme të kontrolluar.
Kryetari i partisë me kompetenca të një monarku absolut, emëron deputetët, emëron ministrat, është kryeministër dhe de facto kryetar shumice në parlamentin që duhet të kontrollojë qeverinë e tij, ndërsa cikli mbyllet me një sistem vertikal që personalizohet në atë masë, sa fatet e shtetit, partisë dhe shoqërisë përcaktohen nga një individ.
Po përse bëhet e gjithë kjo!? Përse gjithë ky shkatërrim për të ardhmen e shqiptarëve!? Vetëm që të dendet në para një person, që vuan në formën më të rëndë maniako-depresive; atë të grumbulluarit të letrës me vlerë, të thasëve me para, të miliardave.
Por kur një ditë të zbulohen thesaret e grumbulluara nga grabitja e aseteve publike të shqiptarëve, padyshim që do të ndodhin skandale shumë më të rënda se ato të ish-presidentit të Republikës së Kongos, Mobutu Sese Seko, ku paratë e arit dhe diamanteve të grabitura tronditën vetë bursat e Gjenevës.