KMDLNj: Shefja e Zyrës së BE–së po i bën presion Gjykatës Kushtetuese të Kosovës
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut theksoi se shefja e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova po i bën presion Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Lexoni të plotë reagimin e KMDLNj-së:
“Duket se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (në Kosovën multietnike!!!) është bërë një kërkesë e përbashkët e Serbisë dhe BE – së të cilat duan që ky proces të përmbyllet me një procedurë të përshpejtuar përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur 24 shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe ka rekomanduar të mënjanohen këto shkelje.
Serbët e instrumentalizuar nga Beogradi po kërkojnë që ky Asociacion i Komunave serbe, Asociacion i formuar sipas parimit ekskluzivisht etnik të formohet sa më shpejtë duke këmbëngulur që kjo të bëhet sipas Marrëveshjes së Brukselit e jo sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Beogradi as që dojë të dëgjojë për vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Asociacionin e Komunave serbe por duket as ndërkombëtarët.
Ndryshe, si të kuptohet ‘mesazhi’ i Shefës së Zyrës së BE – së në Kosovë, Natalyia Apostolova e cila thotë se: ‘marrëveshja’ për asociacionin duhet të rishikohet edhe një herë nga Gjykata Kushtetuese përveç se një kërcënim dhe ndërhyrje në punën e Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e vendimeve të mëhershme kur pikërisht kjo gjykatë konstaton 24 shkelje në marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionin e Komunave serbe.
Insistimi i zonjës Apostolova për rishikim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave serbe është ndërhyrje flagrante në Gjykatën Kushtetuese dhe si e tillë është e papranueshme dhe paraqet presedan shumë të rrezikshëm që bënë përpjekje që Gjykatën Kushtetuese ta shndërrojë në një mekanizëm për zbatimin e projekteve të dëmshme politike për Kosovën në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën të cilën duhet ta mbrojë Gjykata Kushtetuese.
Asociacioni i Komunave serbe nuk është asociacion në shërbim të qytetarëve por është instrument legal për zbatimin e politikave të Beogradit në Kosovë dhe si e tillë paraqet pushtet të tretë në Kosovë dhe bërthamë të një autonomie politike dhe territoriale. Vetëm nëse ky Asociacion formohet në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ligjeve të Kosovës mund të vazhdohet me themelimin e saj. Ndryshe, nëse zbatohet Marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit në kundërshtim me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ligjeve të Kosovës, për çka duket se po angazhohet edhe zonja Apostolova si Shefe e Zyrës së BE – së në Kosovë e cila po kërkon rishikimin e Gjykatës Kushtetuese atëherë, pa dyshim po e lejojmë themelimin e një entiteti politik dhe etnik serb brenda Kosovës në vartësi të Beogradit e që do të jetë shumë më i rrezikshëm dhe më i dëmshëm se Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi”.