Kosova

Komandanti i KFOR-it e quan Kosovën vend të pa perspektivë

Këtë vlerësim ai e ka bërë teksa ka folur për vendet nga të cilat organizatat terroriste mund të rekrutojnë ndjekësit e tyre. Figliuolo ka thënë se kjo bëhet nga vendet e varfra, të margjinalizuara dhe ato me mungesë të perspektivës. Por, shefi i NATO-s për Kosovë ka lavdëruar autoritetet vendore për angazhimin në pengimin e terrorizmit.

Komandanti i KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo ka thënë se institucionet e Kosovës janë të afta të merren me çështjen e qytetarëve të vetë që po u bashkohen luftërave të huaja dhe të pengojnë terrorizmin.

Megjithatë, ai e ka pranuar se organizatat terroriste rekrutojnë njerëz atje ku është më lehtë për t’i gjetur ata, që sipas tij, janë të varfra dhe me mungesë perspektive.

“Fenomeni i ‘luftëtarëve të huaj’ ndikon në secilin vend evropian, në nivele të ndryshme”, ka thënë Figliuolo në një intervistë për Novosti, transmeton Klan Kosova.

“Organizatat terroriste zakonisht rekrutojnë ndjekësit e tyre atje ku ka varfëri, margjinalizim, mungesë të perspektivës. Por, institucionet në Kosovë janë të përkushtuara në luftën kundër kësaj dukurie dhe muajve të fundit kanë ndërmarrë aktivitetet për ta penguar terrorizmin”.

Ai është pyetur edhe për çështje tjera. Për FSK-në ka thënë se evoluimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është një proces politik, për të cilin organizata e tij nuk dëshiron të komentojë.

“KFOR-i nuk ka bërë asnjë deklaratë për këtë temë”, ka deklaruar komandanti i KFOR-it.

Ai ka mohuar se në Kosovë ka një fushatë kundër objekteve kulturore dhe fetare serbe, me gjithë që ka folur për disa incidente kriminale në Klinë e Istog.

“Prejse e kam marrë komandën e KFOR-it, nuk kam parë ndonjë sulm të madh që është drejtuar kundër kishave dhe manastireve ortodokse”, ka thënë ai, duke bërë me dije se përgjegjësinë për sigurinë e këtyre objekteve e ka policia e Kosovës, me përjashtim të Manastirit të Deçanit, të cilin e ruan NATO.

“Vlerësimi im është se të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë garantojnë siguri adekuate për objektet fetare”.

Figliuolo ka thënë se KFOR-i me 5 mijë ushtarët e vetë është në gjendje të intervenojë, për një kohë shumë të shkurtë, kudo që ka nevojë për të garantuar siguri, përfshirë veriun e Kosovës dhe Urën e Ibrit. Kur është fjala për këtë copë të Kosovës, ai ka garantuar se do të intervenohet, në rast se ndonjëherë përshkallëzohet situata.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button