Kombëtarja, Reja: Me Gjeorgjinë, si me Spanjën
“Mesazh për tifozët? Nuk kam ndonjë mesazh të veçantë sepse tifozët gjithmonë na kanë mbështetur dhe kanë qenë aty për ne dhe sigurisht që do t’i kemi pas edhe në këtë ndeshje. Kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj Spanjës mendoj, paraqitja ka qenë pozitive. Kishte entuziazëm të madh nga ana e skuadrës sonë. Spanja është një ekip favorit për të fituar Botërorin dhe i kemi parasysh shumë mirë se me kë rival jemi përballur. Në vija të përgjithshme, më ka pëlqyer loja e skuadrës time. Thjesht më vjen keq që pësuam atë gol në minutën e 90-të dhe duhet të punojmë shumë në këtë pjesë që të kemi më shumë përqëndrim në fushë deri në sekondat e fundit dhe të kemi më shumë focus”.
“Një barazim do të ishte një rezultat që do të na bënte shumë mirë në aspektin moral, por gjithsesi jam i kënaqur nga loja. Duhet theksuar edhe fakti që ka pasur dy gabime arbitrale, për të cilat nuk është folur shumë. Dy penallti. Ne i kemi parë edhe në përsëritje pas ndeshjes, ishte rasti i Cikalleshit që u rrëzua në zonë dhe kur e kemi riparë ishte një faull i pastër, por arbitri nuk e dha dhe një moment tjetër, kur një nga spanjollët e preku topin me dorë në zonë. Për të mos folur më pas edhe për golin e 2-1 që mendoj se erdhi nga një pozicion jashtë loje. Këto duhen thënë jo për t’u justifikuar, por duhen thënë për të vlerësuar sa më mirë situatën”.
“Ne po rritemi. Kemi bërë paraqitje të mira dhe po bëjmë paraqitje të mira. Kemi vazhdimësi. Na mungon vetëm ai hapi cilësor i fundit që të bëjmë sa më pak gabime në mbrojtje apo të shfrytëzojmë sa më shumë raste në sulm. Besoj se kemi bindjen e duhur për të vazhduar dhe për të treguar progresin që kemi bërë”.
“Sigurisht që unë do të doja të bënim të njëjtën paraqitje edhe ndaj Gjeorgjisë, ashtu siç luajtëm edhe ndaj Spanjës, pavarësisht se rezultati nuk ishte pozitiv në fund. Do të ketë shumë ndryshime edhe në mesfushë, por më duhet t’i vlerësoj të gjithë situatat, të gjithë lojtarët. Kush është në gjendje të mirë, kush ndihet më i lodhur dhe kush ndihet më i freskët. Në mesfushë do të ketë ndryshime, sepse Bare ka pasur shqetësime fizike pas ndeshjes dhe nuk është stërvitur dhe po e diskutojmë që të mos bashkohet me skuadrën në Tiranë, por të qëndrojë këtu dhe të rikuperohet”.
“Për Balliun kemi pasur një akord që në fillim që ai do të ishte vetëm në ndeshjen me Spanjën dhe pastaj do të rikthehej te klubi ndërsa edhe Uzuni, sipas të gjitha gjasave do të qëndrojë te Granada, pasi duhet të bashkëpunojmë edhe me klubet. Ka pasur një kërkesë nga klubi i tij, për shkak të një ndeshjeje të rëndësishme në kampionat, na ka kërkuar që të mund ta lëmë të lirë dhe sigurisht ne nuk duam t’i prishim punë dhe mund ta lëmë të lirë te klubi. Sa i përket Gjeorgjisë, është një ekip shumë i fortë. Ka mundur Bosnjen, është një ekip i organizuar, teknik, shumë i vështirë”.
“E kisha kërkuar që në fillim, dy sfida të vështira në këto miqësore, si Spanja edhe Gjeorgjia më kënaqin dhe na japin mundësi të krijojmë eksperiencë të rëndësishme, por edhe të rritemi dhe të tregojmë rritjen tonë. Ky ishte synimi, të kishim kundërshtarë të tillë dhe ia arritëm qëllimit. Sigurisht unë dua të aktivizoj minimalisht 20 lojtarë sepse duhet të kemi një grup kompetitiv për të arritur rezultate të rëndësishme dhe për të treguar rritjen tone”.
“Nënvlerësim Gjeorgjisë? Ne e kemi diskutuar shumë këtë pjesë me djemtë e skuadrës dhe nuk ka pasur në asnjë moment, në të gjitha ndeshjet e luajtura asnjë nënvlerësim, madje më kujtohet ndeshja ndaj Andorrës, ku ne kemi barazuar 2-2. Mendoj që ne e nënvlerësuam dhe bëmë gabim. Që atëherë, para se të nis grumbullimin, flas gjithmonë me djemtë dhe e nënvizoj shumë këtë aspekt, që nuk duhet të nënvlerësoj asnjë kundërshtar”.
“Nuk duhet të kemi ulje të vigjilencës apo tensionit. Për mua miqësoret janë si ndeshje zyrtare, janë po aq të rëndëishme. Shoh te djemtë një motivacion shumë të madh dhe nuk kam aspak frikë në këtë aspekt. Jam i kënaqur me lojën dhe besoj se do të shikoni një ndeshje shumë të mirë nga ana e Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë”.
“Cikalleshi-Broja? – Janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, por në sulm kemi disa lojtarë në formë shumë të mirë dhe po aktivizohen rregullisht me klubet. Përveç Cikalleshit dhe Brojës është Manaj, i cili po luan mirë me klubin dhe po shënon gola. Edhe Vrioni ka ardhur në formë, ka luajtur rregullisht me klubin në Austri dhe ka shënuar gola. Dua të bëj vlerësimet e mia sepse dua t’i provoj të gjithë. Mbase mund të ketë ndryshime, por Cikalleshi dhe Broja janë shumë të rëndësishëm. Duke menduar për të ardhmen, po shoh edhe lojtarë të tjerë më të rinj, si Muçi apo edhe të tjerë që luajnë me ekipet kombëtare të moshave”.
“Janë të rinj dhe vazhdojnë të rriten. Seferi gjithashtu po bën mirë me klubin në Shqipëri. Janë lojtarë që tashmë i njoh dhe sigurisht do të më pëlqente të shoh edhe të rinj, pasi ne duhet të shohim përpara tek objektivi ynë që është të përgatisim skuadrën për Euro 2024 dhe të fokusohemi dhe te Liga e Kombeve që është po aq e rëndësishme për ne, që nis në qershor”.
“Sigurisht që Gjeorgjia është një kundërshtar krejt ndryshe, por kemi parasysh që është një skuadër që mbrohet mirë, vrapon shumë dhe është e rrezikshme në kundërsulm. E rëndësishme për ne është që të shfrytëzojmë karakteristikat e lojtarëve që kemi dhe të marrim maksimumin nga ata. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë një ndeshje teknikisht perfekte, të jemi shumë të përqëndruar në fushë, të bëjmë sa më pak gabime dhe të shfrytëzojmë sa më shumë raste dhe hapësirat që mund të na lërë Gjeorgjia në momente të ndryshme të lojës”.
“Djemtë tashmë e dinë dhe janë të qartë për mënyrën se si duhet ta interpretojnë këtë ndeshje dhe se si duhet të luajnë. Gjithsesi Spanja është i vetmi ekip në botë që ka këtë filozofi loje, një ekip që mund ta prekë topin për 50 herë dhe ti nuk e sheh fare. Gjeorgjia është ndryshe nga Spanja, por nuk është aspak një rival më i dobët. Është një ekip i mirë dhe duhet të bëjmë një ndeshje të kujdesshmë. Gjeorgjia ka pikat e forta dhe të dobëta por për ne është e rëndësishme që të shfrytëzojmë çdo moment dhe të finalizojmë sa më mirë momentet që na paraqiten”.