KOMENT – FIFA i ka kundër të gjithë pas planeve për investitorët privatë
PARIS, 29 korrik /ATSH-AFP/ – Vendimi i FIFA-s për të krijuar një shoqëri të re tregtare, “FIFA Forward Enterprise (FFE)” për menaxhimin e aktiviteteve komerciale dhe tërheqjen e investitorëve privatë, ka shkaktuar një valë të gjerë reagimesh negative në botën e futbollit.
Konfederata kontinentale, federata kombëtare, klubet, sindikatat e lojtarëve, shoqatat e tifozëve, madje edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, kanë shprehur shqetësime të thella për mungesën e transparencës, konsultimeve dhe pasojat që një projekt i tillë mund të ketë për qeverisjen e futbollit.
Më poshtë janë reagimet kryesore:
UEFA: “FIFA nuk ka të drejtë ta shesë futbollin”
UEFA reagoi ashpër ndaj nismës së FIFA-s, duke deklaruar se “shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë kapital mbi të cilin mund të spekulohet, veçanërisht pa asnjë transparencë mbi destinacionin e përfitimeve financiare”.
Organizata evropiane theksoi se “askush prej nesh nuk është pronar i futbollit. Nuk i takon FIFA-s ta shesë atë”, duke lënë të kuptohet se projekti rrezikon vetë natyrën e sportit.
Concacaf: “E mësuam nga mediat”
Konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve deklaroi se ishte informuar fillimisht nga mediat dhe vetëm më pas nga një komunikatë e FIFA-s.
Në reagimin e tij, Concacaf u shpreh se është “thellësisht e shqetësuar për këtë mënyrë veprimi”, duke shtuar se ndan “zhgënjimin e shumë aktorëve të rajonit tonë dhe të futbollit botëror, pasi këto detaje u hartuan dhe u bënë publike përpara se të zhvillohej qoftë edhe një diskutim me organet drejtuese dhe palët e interesuara”.
AFC: “Duhej konsultim i vërtetë”
Konfederata Aziatike e Futbollit bëri të ditur se nuk ishte konsultuar për projektin.
AFC theksoi se, megjithëse mbështet eksplorimin e ideve të reja për të forcuar të ardhmen e futbollit, “nisma të kësaj përmase dhe me pasoja kaq të rëndësishme duhet të mbështeten në parimet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe konsultimit të vërtetë”.
Federata angleze: “Nuk dinim absolutisht asgjë”
Federata Angleze (FA) deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për projektin dhe nuk dispononte informacion mbi përmbajtjen apo kushtet e tij.
Në reagim thuhet se federata është “thellësisht e shqetësuar nga mungesa e procesit dhe e qeverisjes që çoi në këtë situatë, si dhe nga përmbajtja dhe parimet që duket se mbështesin këtë projekt”.
Federata gjermane: “Një sulm ndaj futbollit”
Nënkryetari i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Hans-Joachim Watzke, e cilësoi planin si një kërcënim serioz.
“Shumë aktorë të futbollit evropian i konsiderojnë projektet e FIFA-s si një sulm absolut ndaj futbollit. Unë e ndaj këtë qëndrim. Nëse futbolli evropian bashkohet kundër këtyre projekteve, kjo do të ketë një peshë të konsiderueshme”, deklaroi ai.
Philippe Diallo: “Nuk kemi asnjë detaj”
Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Philippe Diallo, tha se federatat u vunë në dijeni të projektit vetëm përmes një komunikate për shtyp.
“Kemi zbuluar përmes një komunikate për shtyp një projekt shumë të rëndësishëm, për të cilin nuk kemi asnjë detaj dhe që ngre shumë pikëpyetje, pa qenë të përfshirë si anëtarë dhe pa pasur asnjë element konkret për t’u shprehur”, deklaroi ai.
Shoqata e Klubeve Evropiane (EFC): “Duhej të konsultoheshim”
Shoqata që përfaqëson më shumë se 850 klube evropiane shprehu “shqetësim të madh” pas njoftimit të FIFA-s.
EFC theksoi se, si organizatë që përfaqëson qindra klube, “do të ishte e përshtatshme të konsultohej për një projekt me një rëndësi të tillë”.
Sepp Blatter: “Askush nuk ka të drejtë ta shesë sportin tonë”
Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, kritikoi drejtpërdrejt pasardhësin e tij, Gianni Infantino.
“Marrëdhënia e ngushtë mes presidentit të FIFA-s dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara ka marrë një dimension financiar që i shkakton dëm të madh futbollit. Askush nuk ka të drejtë ta shesë sportin tonë”, shkroi Blatter.
FIFPRO Europe: “Projekt me pasoja të mëdha”
Sindikata evropiane e futbollistëve profesionistë paralajmëroi se projekti mund të ketë pasoja të rëndësishme për lojtarët.
Në deklaratë thuhet se, “duke pasur parasysh ndikimin e mundshëm në mirëqenien e lojtarëve, kalendarin ndërkombëtar të ndeshjeve dhe qeverisjen e ardhshme të lojës, është veçanërisht shqetësuese që një projekt i kësaj përmase është zhvilluar kryesisht në fshehtësi dhe ka arritur pranë një marrëveshjeje pa konsultim të vërtetë me palët më të prekura”.
Bashkimi Evropian: Do ta shqyrtojmë projektin
Komisioneri Evropian për Sportin, Glenn Micallef, deklaroi se propozimi ngre pikëpyetje serioze në raport me rregullat e konkurrencës.
“Këto propozime ngrenë pyetje të rëndësishme në lidhje me të drejtën e konkurrencës. Komisioni Evropian do t’i shqyrtojë me vëmendjen më të madhe. Mos prekni sportin tonë,” shkroi ai.
Shoqata e Tifozëve (FSA): “Do ta luftojmë”
Football Supporters’ Association premtoi se do të kundërshtojë projektin me të gjitha mjetet.
“Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të luftuar këtë vendim të ri dhe çdo vendim tjetër që rrezikon seriozisht të ardhmen e futbollit për hir të fitimeve afatshkurtra komerciale. Ky projekt nuk duhet të bëhet një tjetër hap në përpjekjen e Gianni Infantinos për ta riformësuar futbollin pa marrë parasysh tifozët dhe interesin e përgjithshëm të lojës”, thuhet në reagim.
Marina Ferrari: “Metoda është po aq shqetësuese sa përmbajtja”
Ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, e cilësoi nismën si një moment vendimtar për futbollin botëror.
“Njoftimi i FIFA-s për të hapur aktivitetet e saj tregtare ndaj investitorëve privatë përbën një kthesë madhore që ngre pikëpyetje shumë serioze për qeverisjen dhe të ardhmen e futbollit botëror. Një projekt i kësaj përmase nuk mund të hartohet pa transparencë dhe pa konsultim me federatat kombëtare dhe aktorët e futbollit. Metoda është po aq shqetësuese sa edhe vetë përmbajtja,” deklaroi ajo./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.