Amerika

Koment: Frika e Amerikës

Donald Trump e kandidatë të tjerë presidencialë po e përdorin terrorin e IS për qëllime elektorale. Tiradat e urrejtjes i trembin amerikanët dhe kthehen në favor për milicët terroristë, mendon Gero Schließ.

E ka humbur pra Amerika luftën kundër të ashtuquajturit „Shtet Islamik“-IS? Të duket sikur është kështu. Së paku milicët terroristë mund të festojnë një etapë të parë të fitores së tyre. Pasi me brutalitetin e pamëshirshëm dhe me sulmet e fundit në zemër të Europës, ata nuk duan vetëm të vrasin dhe të përhapin tmerr. Ata duan të shkatërojnë stilin perëndimor të jetesës. Në luftën e ideve dhe vlerave ata duan të fitojnë me ideologjinë e tyre të dhunës e shtypjes kundër lirisë dhe humanitetit. Në kohën e terrorit kundër IS, politikanët nga e gjithë bota përsërisin refrenin e unitetit. Por është pikërisht lideri botëror, SHBA që për momentin është më i përçarë se kurrë, nëse mund të jetohen vlerat amerikane nën hijen kërcënuese të terrorit.

Fundi i kulturës së mirëseradhjes

Amerika himnizohej si vendi mëmë i lirisë. Statuja e lirisë kishte fuqi rrezatuese deri në lagjet më të varfra të çdo cepi të humbur të botës, deri në qelitë më të errëta të globit. Ajo ka qenë mishërimi i një kulture të mirëseardhjes, që sinjalizonte mbrojtje dhe shanse për të përndjekurit dhe ata që i hidhte fati në Amerikë.

Por kjo nuk do të vlejë më tani për refugjatët nga Siria. Më shumë se gjysma e qytetarëve amerikanë, sipas sondazheve të fundit, nuk duan sirianë në Amerikë. Me këtë ata mbështesin edhe votën e Dhomës Përfaqësuese, që me shumicë të qartë hodhi poshtë premtimin e Obamës për pranimin e 10.000 refugjatëve sirianë.

Schliess Gero Kommentarbild App

Një popull i guximshëm

Amerikanët nuk njihen si frikacakë. Ata i dërgojnë ushtarët e tyre në rajonet më të rrezikshme të botës, ishin amerikanët që i përballuan sulmet monstruoze të 11 shtatorit, pa humbur besimin në fuqinë amerikane të frymëzuar nga përvoja e historisë.

Që gjendja ka ndryshuar, kjo lidhet edhe me fushatën zgjedhore presidenciale që qëndron përpara dhe me tiradat e turpshme që dëgjohen nga kandidatët presidencialë republikanë. Me përhapjen e të pavërtetave dhe me shprehje antihumane ata çojnë ujë në mullirin e IS. Këta kandidatë përhapin frikë dhe tmerr mes amerikanëve, mbjellin urrejtje dhe mosbesim. Në krye të tyre qëndron Donald Trump. Ai i fut në një kategori si të dyshuar të gjithë refugjatët sirianë dhe shpërndan akuza të paturpshme kundër të gjithë komuniteteve myslimane në SHBA. Mijëra myslimanë në shtetin federal amerikan të Nju Xhersit paskërkan brohoritur kur u sulmuan kullat binjake më 11 shtator, shprehet ai duke shkelur mbi të vërtetën. Çdo xhami, kërkon ai, duhet vëzhguar. Të gjithë myslimanët duhet të futen në një regjistër qendror, kërcënon miliarderi që nuk njeh kufij nën thirrjet brohoritëse të përkrahësve të tij.

Një fushatë që po le gjurmë. Gjithnjë e më shumë amerikanë janë të gatshëm të largohen nga stili tipik – “way of life”- amerikan. Dashurisë për lirinë ia zë vendin shpirtngushtësia. Gatishmëria për ndihmë zëvendësohet nga mosbesimi, deri në refuzim. Në shumë komunitete të SHBA-së kjo atmosferë godet hapur myslimanët, që janë jetuar gjithmonë në paqe – dhe ndryshe nga Franca- janë të integruar mirë.

Avantazhe vetëm për terroristët

Kjo shkon në favor të IS: Ai demonstron se ka fuqi, se mund të ndikojë në stilin perëndimor të jetesës. Dhe në të njëjtën kohë Trump&Co me sulmet kundër myslimanëve i sjellin atij potencial rekrutimi për atentatorët e vetmuar. Sepse kush ndjehet i përjashtuar dhe diskriminuar është më i hapur ndaj ideologjisë radikale. Megjithatë një gjë e tillë nuk është një zhvillim i pamënjanueshëm. Ka ardhur koha që republikanët e moderuar të ngrihen dhe të distancohen qartazi nga të gjithë ata që argumentojnë si Trump.

Edhe presidenti Obama duhet të pozicionohet më fort kundër republikanëve të djathtë. Shpesh ai e ka shprehur hapur pakënaqësinë me ta, por nuk mjafton të ndjehesh vetëm superior nga ana intelektuale. Fjala e Obamës duhet të shkojë tek çdo amerikan. Një ditë para festës së Thanksgiving, Obama doli para kamerave për t’iu dhënë amerikanëve një ndjenjë sigurie. Një hap i duhur për të larguar frikën dhe për ta shndërruar në debat me fakte, diskutimin joracional për terrorin dhe refugjatët. Por tek ky shndërrim duhet ende shumë punë. Sepse në një situatë të tillë po rrezikohet shpirti dhe ëndrra amerikane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button