Komisionieri Publik nuk ka ankimim ndaj Olsian Çelës, prokurori vazhdon garën për Prokurorinë e Përgjithshme
Komisionieri Publik ka vendosur të mos ankimojë vendimin për prokurorin Oslian Çela, i cili është kandidat për Kryeprokuror. Prokurori Çela shihet si kandidati më i fortë përballë Arta Markut për postin e Kryeprokurorit, ndërsa ai është Vettuar me vendim të formës së prerë.
Kujtojmë që një ditë më parë ishte pikërisht ky prokuror që përplasi Këshillin e Lartë të Prokurorisë me Komisionerin Publik, pasi ky i fundit nuk kishte vendosur për ankimimin ose jo të vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Çela. Për këtë arsye, KLP vendosi të shtyjë mbledhjen e djeshme për ditën e mërkurë, ku pritej të publikohej lista e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Me vendimin e Komisionerit Publik, prokurori Çela e ka rrugën e hapur për të e kapur majën e prokurorisë shqiptare. Çela kandidat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, së bashku me Arta Markun, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj.
Po cili është profili i Olsian Çelës?
I konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’, e nisi karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pasi u diplomua në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror tek Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.
Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve ka është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar.
Është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Prokurori Çela ka hetuar disa dosjet e bujshme, siç është Xibraka, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.