Rajoni

Konfirmon Abazoviç: Kemi marrëveshje për formimin e qeverisë në Mal të Zi

I mandatuari për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Qytetare URA, njoftoi të mërkurën se është rënë dakord për përbërjen e Qeverisë së re.
Mosbesimi ndaj Qeverisë së mëparshme të Malit të Zi, të udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiç, është votuar më 4 shkurt. Duke folur në një konferencë për media në Podgoricë, Abazoviç tha se e ka njoftuar Kuvendin e Malit të Zi për marrëveshjen e arritur për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Ai tha se kabineti i tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.

“Ideja është që ta zhbllokojmë Malin e Zi, që shteti të ketë institucione funksionale dhe stabilitet. Në vend që të grindemi, të kemi pajtim dhe të përpiqemi të ndërtojmë një perspektivë evropiane. Ne nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi kundër zgjedhjeve pa institucione”, tha Abazoviç.
Ai nuk dha shumë detaje për përbërjen e kabinetit, por tha se nëse merr mbështetje në Kuvend, ai do të ketë 20 ministra dhe katër nënkryetarë.
Abazoviç tha se beson se seanca e Kuvendit, në të cilën do të zgjidhet Qeveria e re, do të mbahet javën e ardhshme.

Qeveria e re pritet të përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve.
Qeveria pritet të ketë mbështetjen parlamentare edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit malazez, Millo Gjukanoviç.
Ky i fundit ka konfirmuar më 19 prill se DPS-ja do të mbështesë Qeverinë e pakicës “pa asnjë interes apo pjesëmarrje në të”.

Duke folur për prioritetet e kabinetit të tij, Abazoviç tha se në fokus do të jenë: dialogu, reformat në drejtësi, shqyrtimi i vendimeve të diskutueshme të Qeverisë së mëparshme dhe vazhdimi i reformave të shërbimeve të sigurisë.
“Ndër prioritetet normative janë marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, harmonizimi i rregulloreve gjyqësore me rregulloret e BE-së, Ligji për origjinën e pronës, i cili pret dritën jeshile të BE-së, reforma zgjedhore, rishikimi i gjendjes aktuale në arsim dhe kulturë, si dhe rishikimi i të gjitha vendimeve për personelin në këto fusha”, tha Abazoviç.

Ai shtoi se prioritete të tij do të jenë edhe Ligji për regjistrimin, rregullimi i marrëdhënieve me komunitetet fetare dhe shqyrtimi i iniciativave rajonale, me qëllim të anëtarësimit sa më të shpejtë në BE.
Abazoviç është propozuar për kryeministër të Qeverisë së re të Malit të Zi më 3 mars, nga presidenti i këtij vendi, Millo Gjukanoviq.
Paraprakisht, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së deriatëhershme ka kaluar në Kuvend me votat e URA-s së Abazoviçit dhe të opozitës së udhëhequr nga DPS-ja e Gjukanoviqit.

Qeveria e Krivokapiqit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA.
Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në në opozitë pas tri dekadash.
Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime.

Pak ditë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Alleksa Beçiq, udhëheqës i Demokratëve, është shkarkuar po ashtu.
Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus dhe Demokratët kundërshtojnë zgjedhjen e Qeverisë së pakicës dhe kryesuesi i Parlamentit malazez nga Fronti Demokratik, Strahinja Bullajiç, dha dorëheqje të mërkurën për shkak të kësaj. Këto grupe politike konsiderojnë se zgjedhja e Qeverisë së re dhe formimi i shumicës së re parlamentare paraqesin shkelje të Kushtetutës dhe të vullnetit zgjedhor të qytetarëve. Fronti Demokratik dhe Demokratët kanë paralajmëruar më herët protesta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button