MaqedoniaRajoni

Kongresmeni amerikan kërkon shkarkimin e ambasadorit në Shkup

Kongresmeni udhëheqës republikan amerikan Kristofer Smit (Christopher Smith) paralajmëroi hetim për politizimin e rolit të Ambasadës amerikane në Maqedoni dhe i bëri thirrje sekretarit të sapoemëruar të shtetit Reks Tilerson që ta shkarkojë ambasadorin Xhes Bejli, njofton MIA.

Në krye të grupit nga gjashtë kongresmenë republikanë, Smit që nga mesi i janarit ka kërkuar shpjegim nga ambasadori Bejli për akuzat se Ambasada në Shkup punon në dobi të partive politike dhe financon projekte të fondacionit të Xhorxh Sorosit në Maqedoni. Pasi Bejli nuk i është përgjigjur letrës së kongresmenëve, Smit, i cili është anëtar i Komisionit kongresist për punë të jashtme dhe kryeson me Komitetin e Helsinkut për bashkëpunim me OSBE-në, deklaroi se nevojitet hetim i thellë i aktiviteteve të Ambasadës Amerikane në Maqedoni dhe shkarkim të ambasadorit.

“Ambasadori amerikan nuk guxon të ketë rol në formimin e qeverisë dhe të marrë anë gjatë formimit të koalicionit. Ai nuk është vend i SHBA-së as i përfaqësuesve amerikanë në Shkup. Ne, si grup i kongresmenëve, parashtruam pyetje konkrete në këtë letër se nëse ka pasur ose jo bashkëpunim ambasada me partitë majtiste në zgjedhje. Ne nuk guxojmë të kemi rol në këtë. Duhet të jemi për zgjedhje të lira dhe korrekte dhe qasje ndaj mediave, por në asnjë mënyrë nuk guxojmë të mbajmë anë. Ky ambasador ka mbajtur anë dhe duhet të shkarkohet menjëherë. Unë jam në Kongres 37 vite dhe jam anëtari më i vjetër i Komisionit për bashkëpunim me OSBE-në dhe me Komisionin për të drejtat e njeriut. Nuk ka ndodhur që ambasadori ynë në Shkup të mbajë anë në këto zgjedhje ose në cilado qoftë zgjedhje të tjera në të kaluarën ose në të ardhmen. Kjo nuk është punë e tij. Dëshirojmë të zbulojmë gjithçka dhe për këtë arsye kërkojmë nga inspektori i përgjithshëm të dorëzojë raport. Në qoftë se e kanë shkelur ligjin, do të përgjigjen”, deklaroi kongresmeni Smit për Radio Televizionin e Maqedonisë.

Smit posaçërisht reagoi ndaj informatave se Ambasada Amerikane është financier serioz i aktiviteteve të organizatave joqeveritare të lidhura me fondacionin e Sorosit dhe thotë se në qoftë se SHBA-ja ndan financa për aktivitete të këtilla, kjo duhet të bëhet në mënyrë neutrale dhe pa mbajtur anë politike.

Letrën të cilën kongresmenët e kanë dërguar deri te ambasadori Bejli më 17 janar, krahas Smitit, është nënshkruar nga kongresmeni i njohur nga Teksasi Lui Gomert, Robert Aderholt, i cili është mbështetës afatgjatë i Maqedonisë në Kongres, Rendi Haltgrin, Robert Pintenger dhe Xhed Fortenberi. Të gjithë nënshkruesit janë republikanë të afërt me administratën e presidentit Donald Tramp dhe në letër parashtrohen një sërë pyetjesh për aktivitetet e Ambasadës në Shkup, për mbështetjen e saj ndaj partisë LSDm dhe për financimin e aktiviteteve të Sorosit. Letra e kongresmenëve vjen pasi senatori Majk Li, gjithashtu nga partia Republikane në pushtet, publikisht i bëri thirrje ambasadorit Bejli përmes rrjeteve sociale, që të japë shpjegim për financimin e projekteve të fondacionit të Xhorxh Soros në Maqedoni.

“E vlerësojmë shumë bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Maqedonisë në 25 vitet e fundit nga pavarësia e saj. Ky bashkëpunim mundësoi që SHBA-ja të kontribuojë ndaj zhvillimit politik dhe ekonomik të Maqedonisë, derisa Maqedonia ka bashkëpunuar me SHBA-në dhe ka kontribuuar ndaj prioriteteve tona të jashtme politike. Konsiderojmë se do të ishte me të vërtetë konstruktive për marrëdhëniet tona të ndërsjella nëse në Maqedoni zhvillohet ndjenja se SHBA-ja përzihet në çështjet e saja të brendshme politike, në mediat dhe shoqërinë civile, në mënyrën në të cilën një opsion politik ndihmohet kundrejt tjetrës. Shpresojmë se do të marrim informacione të sakta nga ju më së voni dy javë pas dërgimit të kësaj letre. Gjithashtu shpresojmë se do të jeni në dispozicion të takoheni me ne gjatë vizitës tuaj të ardhshme në Uashington”, shkruan në letrën e kongresistëve deri te ambasadori Bejli.

Pasi që kongresistët nuk morën përgjigje, ata paralajmëruan fillim të hetimit dhe bëjnë thirrje në shkarkimin e ambasadorit Bejli. “Porosia jonë është se, nëse Qeveria amerikane ka marrë një anë politike, ajo ka bërë gabim të madh dhe ata të cilët e kanë bërë këtë duhet të kërkojnë falje dhe të ndalojnë menjëherë”, thotë Smith në deklaratën për RTVM.

Në letrën e dërguar deri te ambasadori Bejli, thuhet se deri te Kongresi kanë arritur paralajmërime serioze për partizim të punës së Ambasadës Amerikane në Shkup.

Në pyetjet e drejtpërdrejta të drejtuara deri te ambasadori Bejli, kongresistët e pyesin për përzierjen e ambasadës në ngjarjet politike në Maqedoni.

Kongresistët e pyesin ambasadorin Bejli nëse është e vërtetë se ambasada amerikane e ka zgjedhur Fondacionin “Shoqëri e hapur Maqedoni”, më mirë të njohur si Fondacioni i Xhorxh Soros, të zbatojë projekte të mëdha të financuara nga ana a e organizatës amerikane për zhvillim USAID.

Në lidhje me mbështetjen amerikane për mediat në Maqedoni, shtrohet pyetja nëse paratë shtetërore amerikane i janë dhënë Fondacionit të Soros-it që përmes tij të financohen mediat e orientuara majtiste. Kongresistët kërkojnë nga Bejli t’i informojë sa nga mediat që i ka financuar ambasada ose misioni i USAID-it janë majtiste, e sa djathtiste të orientuara dhe pyesin edhe nëse ambasada amerikane ka ndikuar që të miratohen ligje me të cilat është kufizuar bashkëpunimi i shprehjes së mediave dhe gazetarëve, që ndodhi në periudhën parazgjedhore.

Në mënyrë shtesë, sa i përket financimit të organizatave joqeveritare, kongresistët pyesin “Sa nga organizatat joqeveritare të cilat marrin mjete amerikane, duke përfshitë edhe përmes FHSHC, janë përcaktuar politikisht gjatë zgjedhjeve ose gjatë formimit të Qeverisë së ardhshme të Maqedonisë? Dhe cilën anë e kanë zgjedhur këto organizata?”./MIA/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button