Bota

Korea e Veriut do të përdorë bërthamoret, nëse “e detyrojnë”

Një zyrtar i lartë i rrethit të ngushtë të Kim Jong-un në Korenë e Veriut ka dhënë një intervistë “pa parakushte” për rrjetin televiziv amerikan CNN, diçka që vërtet përbën surprizë, pasi zyrtarët e Penjanit nuk japin kurrë intervista, e për më tepër për shtypin ndërkombëtar.

“Nuk më pëlqen të flas për mediat e huaja”, ishte shprehur Park Yong Chol, sapo kishte shtrënguar duart me intervistuesit amerikanë. Kjo, sipas tij, e ndikuar edhe me atë që konsiderohet si “zhurmnajë dhe lajme të fabrikuara” nga CNN për vendin e tij.

E megjithatë Park, i cili është nëndrejtor i Institutit të Koresë së Veriut për Kërkime mbi Bashkimin Kombëtar, një grup “think tank”që ka lidhje me zyrtarë të nivelit të lartë të qeverisë së Veriut, duke lënë mënjanë mosbesimet, u ul në tryezë përballë intervistuesve dhe sigurisht, nën portretet e udhëheqësit të ndjerë të Koresë së Veriut, Kim Il Sung dhe Kim Jong II. Park foli për rreth dy orë mbi çështje të cilësuara aspak përtej limiteve.

Kushtin e vetëm në fakt e kishte vënë vetë Park, që nuk pranonte intervistë kokë më kokë, por kamerat duhej të ishin disi larg, në mënyrë që të fokusonte detyrimisht edhe portretet e sipërpërmendura, diçka që u pranua, sepse dihet shumë mirë simbolika e “liderëve të mëdhenj mbi kokë” në vendin komunist.

Çështja kryesore sigurisht që do të ishte raporti i fundit i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Koresë së Jugut, se Kim Jong-un kishte urdhëruar personalisht ekzekutimin e 15 zyrtarëve deri më tani gjatë këtij viti.

“Një shpifje dashakeqëse”, u përgjigj menjëherë ai. “Veçanërisht për shkak se ata përpiqen t’i lidhin këto akuza me emrin e nderuar të liderit tonë suprem, Kim Jong-un”. Gjithsesi, ai nuk mohoi të kenë ndodhur ekzekutime të atyre që janë përpjekur të rrëzojnë qeverinë, apo të përmbysin sistemin. “Është mëse normale për cilindo vend, që të përndjekë elementët armiqësore dhe t’i ndëshkojë ata, madje edhe t’i ekzekutojë”.

E megjithëse një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara pretendon se janë shkelur në shkallë të lartë të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut, duke aplikuar vrasje, tortura, lënia pa bukë e të burgosurve, në një rrjet burgjesh brutale, Park mohoi ekzistencën e të tilla institucioneve të shlyerjes së dënimit.

Sipas Park, këto akuza vijnë nga dezertorë, të cilët janë detyruar të mashtrojnë prej Shteteve të Bashkuara ose Koresë së Jugut. “Shumica e të ashtuquajturve dezertorë janë kriminelë, të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre. Ata kanë kryer krime kundër shtetit tonë, ndaj janë arratisur. Dhe sapo kalojnë në Korenë e Jugut nisin të denoncojnë qeverinë tonë, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër”.

Ndërsa, sa u përket sankisoneve të vendosura nga ndërkombëtarët për Korenë e Veriut, kjo e fundit nuk sheh asnjë mundësi tjetër reagimi ndaj tyre, përveç se duke vijuar me programin e saj të armëve bërthamore. Park theksoi se vendi i tij i ka të gjitha kapacitetet raketore për të goditur edhe tokën amerikane, gjë që do ta bëjë patjetër nëse SHBA-të “do t’i detyrojnë”.

Ka qenë një strategji tepër e kushtueshme, por gjithashtu e nevojshme, thotë zyrtari i lartë. “Kemi investuar shumë parà në mbrojtjen bërthamore për t’u përballur me kërcënimin amerikan. Shuma të mëdha që mund të ishin shpenzuar në sektorë të tjerë për të përmirësuar ekonominë tonë kombëtare. Por ky vendim strategjik është i duhuri”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button