Kosova

Kosova drejt liberalizimit të vizave, plotëson të gjitha kriteret në nëntor

Kosova drejt liberalizimit të vizave, ka plotësuar 87 nga 95 kriteret teknike e të gjitha do plotësohen deri në fund të nëntorit 2015.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministi Isa Mustafa pas kthimit nga Nju Jorku dje pasdite në Prishtinë dhe takimeve e bisedave që ka pasur delegacioni kosovar me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.

“Kemi diskutuar çështjet e integrimeve tona në Bashkimin Evropian, veçmas procesin liberalizimit të vizave dhe çështje tjera integruese si dhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim”, tha kreu i qeverisë së Kosovës. Mund të them se kemi një përkrahje të plotë, nuk mund të flas tani për afatet, veçmas për liberalizimin e vizave, por konsideroj se ne do t’i përmbushim deri në fund të nëntorit të gjitha kriteret”, pohoi Mustafa.

Po ashtu, Mustafa u shpreh se “Nga 95 kritere teknike të cilat janë parashtruar para nesh, i kemi plotësuar krejtësisht 87. Kanë mbetur edhe disa, për të cilat do ta bëjmë tani një Task Forcë dhe do të procedojmë me to deri në fund të nëntorit, në mënyrë që të gjitha kriteret t’i kemi të plotësuara krejtësisht, dhe të presim që të merret vendimi politik në nivel të Bashkimit Evropian”.

I ftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, kryeministri i Kosovës Mustafa ka marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ndërsa është pritur në takime me zyrtarë të lartë të Administratës së SHBA-ve.

“Gjatë 5 ditëve të vizitës, kemi zhvilluar dhjetëra takime dhe aktivitete të nivelit të lartë, të cilat besoj se kanë dhënë  fryte të rëndësishme për Kosovën, veçanërisht në raport me rolin e saj në bashkësinë ndërkombëtare”, vlerësoi Mustafa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button