Kosova

Kosovë-Austri, grupet parlamentare të miqësisë axhendë bashkëpunimi

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sabri Hamiti, priti sot në takim Grupin e Miqësisë Austri-Kosovë të Parlamentit të Austrisë, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Pritet që në të ardhmen e afërt, grupet e miqësisë të të dyja parlamenteve, të takohen, për të krijuar një axhendë specifike të bashkëpunimit.

Në takimin e sotëm u bisedua për bashkëpunimin, në radhë të parë parlamentar midis Kosovës dhe Austrisë, për funksionin e Kuvendit të Kosovës dhe detyrimet e tij gjatë këtij viti. U diskutua, gjithashtu, për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet dy shteteve mike.

Njoftimi dërguar nga Kuvendi kosovar thekson se, parlamentarët austriakë shprehën interesim të veçantë për zhvillimet e pritshme në punën e Kuvendit të Kosovës, duke nënvizuar funksionimin demokratik, i cili domosdoshmërisht e përjashton dhunën si mjet politik.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, falënderoi në mënyrë të veçantë deputetët e Parlamentit të Austrisë, për ndihmesën e madhe që vendi i tyre ka dhënë në të kaluarën dhe në kohën më të re, për zhvillimet politike, kulturore, arsimore dhe ekonomike në Kosovë.

Kryetari i Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë, deputeti Christoph Vavrik, nga ana e tij, falënderoi nënkryetarin e Kuvendit për qëndrimet e tij të qarta dhe të drejtpërdrejta lidhur me zhvillimet e gjithanshme në Kosovë.

Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Sllobodan Petroviç dhe ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sami Ukelli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button