Kosova

Ish-shefi i Agjencisë së Zbulimit dënohet me 4.8 vjet heqje lirie për dëbimin e shtetasve turq pesë vjet më parë

Një gjykatë në Prishtinë dënoi me 4 vjet e tetë muaj heqje lirie ish shefin Agjencisë së Zbulimit Driton Gashi nën akuzën për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve të Turqisë në vitin 2018.

Që të gjashtët u arrestuan më 29 mars të vitit 2018, derisa po punonin në institucione në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi.

Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Akuza që u ngrit në shkurt të vitit 2021 nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngarkonte zotin Gashi dhe dy të tjerë për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “privim i kundërligjshëm nga liria”. Dy të tjerët, u liruan të mërkurën nga akuzat.

Një komision parlamentar që hetoi lëshimet dhe përgjegjësitë e institucioneve në atë operacion gjeti 31 shkelje nga institucionet e vendit dhe shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Gjashtë shtetasit e dëbuar janë dënuar nga autoritetet turke me nga 7.5 deri në 15 vjet heqje lirie.

Turqia ka arrestuar dhjetëra mijëra veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të klerikut Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton dhjetëra shkolla në Ballkanin perëndimor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button