Kosovë, raporti i OEK për investimet e huaja sheh përmirësime
Oda Ekonomike e Kosovës ka publikuar hulumtimin e titulluar “After Care”, lidhur me investimet e huaja. Sipas këtij raporti, në shumicën e faktorëve që tërheqin investimet e huaja ka përmirësime.
Nga 250 kompani të përfshira në hulumtim, 60% prej tyre kanë deklaruar se do të investojnë sërish në Kosovë. Ndërsa ndër pengesat kryesore janë mungesa e stabilitetit politik dhe ai ekonomik, konkurrenca jo e ndershme, korrupsioni e të tjera.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, i cili ka mbështetur këtë hulumtim, tha se duhet punuar në forcimin e shtetit ligjor dhe krijimin e kushteve më të mira se në vendet fqinje.
“Është vërtet e dhimbshme të mendohet se do të humbet mundësia që mund të ketë Kosova, për shkak të korrupsionit në sistem, krimit të organizuar, joprofesionalizmit në punë, apo mospërkrahjes nga shteti”, tha Ruairi O’Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se përfundimet e hulumtimit do të shërbejnë si udhërrëfyes për MTI-në, drejt përmirësimit të të bërit biznes.
“Të bërit biznes jo vetëm në Kosovë, por në asnjë vend tjetër, nuk është ai që do të dëshironin të kishin kompanitë e huaja apo ato vendase. Gjithmonë sektori privat është shumë kërkues dhe shumë mirë që është kështu, pasi i mban institucionet në sektorin publik të angazhuara për të përmirësuar më tutje të bërin biznes”, tha Hykmete Bajrami, ministre e MTI-së.
Bazuar në hulumtim, ndër veprimtaritë kryesore të investitorëve të huaj në Kosovë mbizotëron sektori i shitjeve dhe shërbimeve. Ndërsa rritje të investimeve ka pasur në vitet 2008, 2012 dhe 2015.