Kronika

Kosovë, rivarroset 30 vjeçarja që dyshohet se u vra nga burri i saj

Në fshatin Rracaj të komunës së Gjakovës, rreth 90 kilometra larg Prishtinës, të hënën u rivarros trupi i Liridona Ademajt, bashkëshorti i së cilës u arrestua bashkë me dy të tjerë nën dyshimet për vrasjen e saj.

Vrasja që u krye me 29 nëntor në Prishtinë fillimisht u cilësua si pasojë e një grabitjeje dhe Liridona Ademaj u varros në fshatin e bashkëshortit të saj. Por pas arrestimit të tij si një nga të dyshuarit, familja kërkoi që trupi të rivarroset në vendlindjen e saj.

“Shprehim vendosmërinë tonë për të kërkuar deri në fund drejtësi dhe për të gjitha nënat, gratë dhe vajzat tona të bekuara që në një apo formë tjetër u bënë pre e dhunës së egër duke humbur jetën tragjikisht. Nuk do të ndalemi para asnjë pengese tjetër për ta çuar në vend drejtësinë”, tha ish mësimdhënësja e Liridona Ademajt, Teuta Haxhiu, deputete e parlamentit të Kosovës.

Një ditë më parë, një gjykatë në Prishtinë vendosi masën e paraburgimit ndaj bashkëshortit të së vrarës, Naim Murseli, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plavës për veprën “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe Kushtrim Kokallës për veprën “marrëveshja për të kryer vrasjen”.

Gjykata tha se “ekziston dyshimi i bazuar se Naim Murseli ishte marrë vesh me Granit Plavën për ta vrarë bashkëshorten e tij, duke i siguruar armën vrasësit dhe duke inskenuar veprën penale të grabitjes”.

Të mërkurën e javës që shkoi, Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një makinë. Fillimisht u tha se bëhej fjalë për veprën “grabitje” që çoi në vrasje. Bashkëshorti i kishte thënë policisë se vrasja ndodhi gjatë një përpjekjeje për plaçkitjen e tij derisa ndodhej duke lëvizur me makinë me gruan dhe dy fëmijët.

Vrasja që nxiti reagime në shkallë të gjerë, ndodhi në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “bashkë kundër dhunës – sot dhe çdo ditë tjetër”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkoi të hënën dënim maksimal për vrasjen e Liridona Ademajt.

“Neglizhenca e këtyre rasteve sigurisht që po inkurajon dhunuesit dhe ndërmarrja e veprimeve minimale ndaj dhunuesve po i shndërron ata në vrasës. Prandaj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jemi në krye të detyrës”, tha ministrja Haxhiu.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka paralajmëruar për të martën pasdite një protestë kundër dhunës ndaj gruas me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Policia e Kosovës tha se nga janari deri në tetor të këtij viti në Kosovë, janë raportuar mbi dy mijë e 100 raste të dhunës në familje. Nëntëdhjetë për qind e viktimave të kësaj dhune janë gratë.

Gjatë vitit të kaluar tri gra u vranë nga bashkëshortët e tyre, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2022 në Kosovë janë vrarë 50 gra.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button