Ekonomia

Kreditë me probleme zbresin në 17.4% në mars, ulen me 21 milionë euro në një muaj

Kreditë e pakthyera në afat në banka kanë zbritur në 17.1% të totalit në mars, duke shënuar një rënie të ndjeshme me 0.6 pikë përqindje në raport me muajin e mëparshëm.

Statistikat janë publikuar sot nga Banka e Shqipërisë.

Në krahasim me dhjetorin e 2016-n, huatë me probleme janë reduktuar me 0.83 pikë përqindja, ndërkohë që janë larg nivelit rekord prej 25% që arritën në shtator 2014.

Procesi i fshirjes së huave me probleme, që është intensifikuar dy vitet e fundit ka qenë një nga arsyet kryesore të kësaj uljeje. Bankat fshijnë nga bilanci huatë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë t’i ndjekin këto kredi, por ato nuk figurojnë më statistikisht, ndonëse banka vijon përpjekjen për mbledhjen e tyre.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, kanë larguar nga bilancet një portofol prej 14.6 miliardë lekësh, ndërsa në vitin 2015 u fshi një rekord prej 26.7 miliardë lekësh.

Në total, në fund të muajit mars, kredia e pakthyer në afat në banka ishte 95 miliardë lekë, apo rreth 700 milionë euro. Në vlerë absolute kredia e keqe është reduktuar me 21 milionë euro në mars.

Banka e Shqipërisë, në raportin e saj vjetor, thekson se viti 2016 shënoi progres të dukshëm në drejtim të zbatimit të Planit të Veprimit për uljen e huave me probleme. Krahas ndryshimeve në disa akte rregullative të Bankës së Shqipërisë, fundi i vitit solli edhe miratimin në Kuvend të disa përmirësimeve ligjore të rëndësishme, ku veçojmë ligjin “Për falimentimin” dhe ndryshimet në ligjin “Për zyrat e përmbarimit”. Banka e Shqipërisë vlerëson që këto përmirësime ligjore, do t’u japin bankave dhe aktorëve të tjerë që përfshihen në procesin e zgjidhjes së huamarrjes problematike, instrumente të rëndësishme për të përmirësuar efektivitetin e procesit dhe përshpejtuar uljen e huave me probleme në sektorin bankar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button