IntervistaPolitika

Krichbaum: përgjegjësia – pjesë e një kulture demokratike

Kryetari i Komisionit për Çështjet e BE në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum, kërkon sqarim të plotë dhe pa boshllëqe të “aferës Doshi”. Ai thotë më tej se parlamenti është vendi ku diskutohen mosmarrëveshjet.

Kryetari i Komisionit për Çështjet e BE në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum
Kryetari i Komisionit për Çështjet e BE në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum

DW: Zoti Krichbaum, ju ishit mikpritës i një delegacioni të opozitës nga Shqipëria. Cilat ishin temat që diskutuat së bashku?

Krichbaum: Ishin tema që kishin të bënin me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ju e dini që Shqipëria nuk është një vend anëtar dhe ne ndodhemi para fillimit të negociatave të mirëfillta të anëtarësimit. Për këtë duhet të plotësohen disa parakushte, si p.sh. pavarësia e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, këto janë pika shumë, shumë të rëndësishme, të cilat duhet të zgjidhen para një anëtarësimi në BE.

DW: Ju pritët sidoqoftë një delegacion nga opozita në Shqipëri. A diskutuat çështje që e preokupojnë opozitën në Shqipëri?

Krichbaum: Natyrisht folëm edhe për politikën e brendshme, veçanërisht për të ashtuquajturën “aferë Doshi”. Ajo që ndodh në këtë vend në këto momente, na çudit, sepse po të kemi parasysh cilësinë e akuzave, bën pjesë ndoshta në kulturën politike të një demokracie që personat përgjegjës edhe ta mbajnë përgjegjësinë dhe që proceset të sqarohen. Mendoj edhe se është në përputhje me kulturën politike, që pikërisht në rastin e një kryetari parlamenti të nxirren përfundimet përkatëse. Mendoj se duke parë kualitetin e akuzave, deri në sqarimin e plotë të së gjithës, ai duhet ta linte përkohësisht vakant postin e tij. Vetëm kjo do të mundësonte një sqarim pa paragjykime, sepse të paktën këtu (në Gjermani) do të ekzistonte mundësia që (për një rast si ky) të ngrihej një komision hetimor, i cili natyrisht duhet të angazhohej nga Parlamenti, një komision, i cili themelohet nga mesi i parlamentit. Si do të funksiononte një komision i tillë hetimor parlamentar, si mund të bëhej sqarimi parlamentar, kur shefi i parlamentit njëkohësisht mund t’i pengonte hetimet. Prandaj do të ishte mirë që ai t’i kundërvihej kësaj përshtypjeje të keqe dhe ta linte postin përkohësisht vakant.

DW: Partitë në pushtet megjithatë thonë se në Shqipëri ekziston shteti juridik. Do të zhvillohen hetime dhe në një shtet juridik zhvillimi korrekt i hetimeve është i garantuar. Opozita thotë, jo, mbi shtetin juridik ushtrohet presion nga pushtetarët, me anë të deklaratave të tyre. Si e shikoni këtë?

Krichbaum: Mendoj se është një çështje e kulturës politike dhe ajo që na karakterizon ne në një demokraci. Është krejtësisht e drejtë ajo që thoni, që fillimisht vlen supozimi i pafajësisë (të atij që e akuzojnë) deri në përfundim të një procedure të shtetit juridik. Por në mënyrë që hetimet të mund të zhvillohen pa paragjykime dhe që të sqarohet në vetvete përmbajtja e kësaj afere, për këtë duhet edhe një punë parlamentare pa fërkime. Për ta thënë edhe njëherë qartë: vetëm përmes faktit, që dikush merr përgjegjësi politike kjo nuk ka efekt paragjykyes për një proces të shtetit juridik në një gjykatë. Ajo që ne kërkojmë nga ana jonë dhe ajo që kërkon bashkësia ndërkombëtare është një sqarim i plotë dhe pa boshllëqe. Mendoj që një qeveri dhe një parlament diçka të tillë ia ka për borxh në fund të fundit edhe popullit, sepse populli nuk ka dëshirë ta humbasë besimin tek aktorët politikë. Ja që ne kemi vetëm këtë demokraci, e cila edhe duhet mbrojtur dhe prandaj është e rëndësishme që këtu të ushtrojmë edhe zakone kulturore të demokracisë.

DW: Cilat ishin çështje të tjera për të cilat diskutuat me përfaqësuesit e opozitës?

Krichbaum: Si Republikë Federale e Gjermanisë ne shoqërojmë jo vetëm opozitën, por të gjithë vendin në rrugën e tij për në BE. Kjo parashikon që BE nga ana e tij përmes raporteve të progresit të mbikqyrë përparimet e vecanta dhe etapat e zhvillimit politik; por njëkohësisht t’i mbështesë këto reforma kur bëhet fjalë për struktura të shtetit juridik. Në qendër të vizitës së zotit Basha ishin edhe takime në Zyrën Kancelarore, por edhe në Institutin për Bashkëpunim Juridik; u zhvilluan takime me drejtorin ekzekutiv të Komisionit të Lindjes të Ekonomisë Gjermane, zotin Lindner; por edhe me një NGO si “Reporterët pa kufi”. Sepse pikërisht në një rast si Shqipëria ka rëndësi që të vlejë liria e medieve, që gazetarët të mund ta kryejnë të papenguar punën e tyre; një agjenci e posaçme për mediet audiovizuale duhet ta ketë mundësi ta kryejë si duhet punën, ky është edhe një ndër prioritetet kyçe, që duhen plotësuar para nisjes së negociatave të anëtarësimit.

DW: Një nga parakushtet që i janë vënë Shqipërisë për të avancuar është bashkëpunimi i mirë mes pozitës dhe opozitës. A e shihni Shqipërinë këtu në rrugë të mbarë? Si e shihni rolin e qeverisë dhe rolin që luan opozita në situatën aktuale?

Krichbaum: Keni të drejtë kur përmendi këtu edhe raportet në parlament. Sipas Komisionit Evropian ky prioritet kyç, pra dialogu midis opozitës dhe qeverisë dhe funksionaliteti i parlamentit tashmë është plotësuar. Unë e shoh këtë në mënyrë kritike. Është e vërtetë: vendi ku të diskutohen të gjitha mosmarrëveshjet duhet të jetë Parlamenti. Ja që kemi vetëm këtë parlament dhe funksionalitetit të tij do t’i vihej pikëpyetje, po të përqendrohemi si të thuash në forume jashtëparlamentare. Kjo natyrisht nuk mund të jetë as në interesin tonë. Unë mendoj se këtu nuk mungon opozita, edhe në të kaluarën janë vënë re herë pas here edhe premisa konstruktive.

Ne megjithatë nuk duhet të harrojmë se Shqipëria është një demokraci ende e re. Këtu disa gjëra ende duhet të gjejnë vendin e vet, disa gjëra duhet të konsolidohen. Ne nuk kemi të bëjmë me Britaninë e Madhe apo me vende të tjera, ku raportet demokratike kanë një traditë gati qindra vjeçare. Përkundrazi, disa gjëra duhet ende të ndërtohen dhe pikërisht këtu jep ndihmën e saj edhe Republika Federale Gjermane dhe Bashkimi Evropian.

Për mua ka rëndësi të shtoj që të gjitha këto reforma (të cilat nevojiten) nuk bëhen për kënaqësinë e Berlinit, të Parisit apo Brukselit, por në interes thellësisht vetjak të Shqipërisë.

DW: Në Shqipëri i dëgjojnë me vëmendje mesazhet që vijnë nga Gjermania. Cili është mesazhi kryesor që doni t’u jepni shqiptarëve në situatën aktuale?

Krichbaum: Mendoj se është e rëndësishme që anëtarësimi në BE të shihet si një objektiv gjithëkombëtar, gjithështetëror, që të gjitha partitë t’i bashkojnë përpjekjet e tyre për këtë objektiv. Prandaj unë e kam përshëndetur edhe në të kaluarën, që kursi proevropian i PD ecën në këtë drejtim. Apeli im në drejtim të popullit është që të kemi durim, sepse shumë gjëra do të kërkojnë kohë, edhe negociatat e mëvonshme të anëtarësimit. Apeli im është që projektet reformuese të ecin përpara më me vendosmëri. Këtu ka ende mundësi për ta shtuar ritmin. Dhe prandaj do të uroja që reformat të vazhdojnë më me kurajë dhe më me vendosmëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button