Kronika

Krujë, nis gjyqi për grabitjen në aeroportin e Rinasit

Gjykata e Krujës nis dhënien e masave për 5 personat e arrestuar në lidhje me grabitjen në aeroportin “Nënë Tereza”.

Bledar Blloshi, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë), Vangjel Nikolla, kryetar i Degës Teknike të Aeroportit dhe Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë janë të parët që presin masën e sigurisë.

Dy personat e tjerë të arrestuar janë Arben Karafili, drejtor operacional i kompanisë “ICTS” dhe Fadil Jonuzaj, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë).

Prokuroria e Krujës urdhëroi mbrëmjen e se premtes arrestimin e 5 drejtuesve dhe punonjësve te kompanisë së sigurimit “ICTS” ne Aeroportin e Rinasit, pasi ata dyshohet se kanë shpërdorur detyrën, duke krijuar mundësinë që tre persona të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave ne pistën e aeroportit.

Prokuroria e Krujës, e cila bëri hetimet e para, thotë se ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambientet e brendshme të aeroportit të Rinasit.

Prokuroria e përgjithshme që shpërndau edhe njoftimin për shtyp thotë se hetimi për vjedhjen po kryhet nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi ka dyshime se vepra penale është konsumuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë pamjet e kamerave të sigurisë në Aeroportin “Nënë Tereza” tregojnë dinamikën e ngjarjes së rëndë që shkatërroi gjithë sistemin e sigurisë ndërsa tre persona me maska e armë mundën të hyjnë e të dalin qetësisht në pistën e avionëve pasi rrëmbyen një sasi të madhe parash.

Një person me veshje fosforeshente, të ngjashme me ato të punonjësve të aeroportit, ka hapur portën e shërbimit e cila përdoret vetëm për futjen e mjeteve që furnizojnë avionët me karburant.

Në derë nuk ka asnjë roje, as civil dhe as i armatosur, për pak sekonda është prerë dryni i portës. Prej andej hyri një automjet tip Benz Mercedes 250 me ngjyrë vishnje i cili ka ecur përgjatë regjimit të aeroportit duke u ndalur në vendin ku automjeti po shkarkonte thasët me para.

Përveç punonjësve të kompanive së sigurimit gjatë të premtes janë shoqëruar edhe 16 persona të tjerë të skeduar si kontingjent i policisë që jetojnë apo punojnë në zonën përreth. Bubqi njihet si zonë e skeduar nga policia, jo thjesht për aktivitete kriminale por edhe për fshehjen e personave me lidhje ekstremiste islamike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button