Kosova

Kryeministri Mustafa njofton pensionistët me vendimin e qeverisë për rritjen e pensioneve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, priti në takim drejtuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Shaban Kajtazi. Ky takim vjen menjëherë pas vendimit të sotëm të qeverisë për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve.

Kryeministri Mustafa i ka njoftuar pensionistët për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës për rritjen e pensioneve bazë të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro, duke e konsideruar këtë si një vendim shumë të rëndësishëm që merret në fillim të këtij viti.

Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu mirënjohjen e qeverisë së Kosovës për kontributin e madh që pensionistët kanë dhënë për Kosovën, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë së Kosovës për të gjithë pensionistët kosovarë.

Pas takimit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, mbajtën konferencë për gazetarë.pension2

“Sot kemi marrë një vendim i cili përcakton bazën dhe njeh përvojën e punës pas 15 viteve punë, ashtu siç e përcakton ligji, dhe krijohet baza e re e pensionit kontributdhënëse e cila është 158 euro. Mbi këtë bazë do të bëhen kalkulimet e tjera të nevojshme për kategorizimin e mëtutjeshëm të bazuar në kualifikimet shkollore të cilat do t’i sjellin pensionistët kontributdhënës”, tha ministri Abrashi.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, në emër të pensionistëve falënderoi kryeministrin Mustafa, ministrin Abrashi dhe qeverinë në përgjithësi, për përpjekjet e tyre që pensionistët kontributpagues njëherë e përgjithmonë t’i realizojnë të drejtat e tyre.

“Ligji për skemat pensionale është miratuar dhe ka hyrë në fuqi më 20 qershor 2014, por që erdhi deri te 1 janari i vitit 2016 i cili do të aplikohet. Ligji dhe udhëzimi administrativ i parasheh kategorizimin. Ne arritëm një marrëveshje me Kryeministrin dhe Ministrin që të fillohet me 158 euro bazë, ndërsa pjesa tjetër, diferenca për kategorizim të paguhet sipas kategorive, koeficientëve dhe ato kurdo që të mbërrijnë dokumentet në Ministri, realizimi i kompensimit të bëhet nga 1 janari. Ka edhe shumë çështje të tjera që do t’i bisedojmë, siç është çështja e përvojës së punës, çështja e kompensimeve të marra nga Serbia, por edhe çështje tjera që bashkë me Ministrinë duhet t’i realizojmë për këto kategori”, tha kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button