Kufiri i hollë mes arrogancës dhe përulësisë
Nga Altin Ketro
Arrogancën nga përulësia e ndajnë vetëm të qindtat e sekondës, njësoj si në garat e atletikës, ku sprinti i 100 metrave vendoset nga një fraksion i papërfillshëm kohe. Të dyja ecin paralelisht me njeriun në çdo fazë të jetës. Por arroganca, ndryshe nga përulësia, është një zhvillim që njeriu rrallëherë e kupton te vetja. Ai bindet se mbron një të drejtë absolute dhe këmbëngul deri në skaj, aq sa i duket se po vepron në përputhje me parimet e tij, pa e kuptuar se në sytë e tjetrit, kjo sjellje mund të lexohet si arrogancë. Nga ana tjetër, edhe pala përballë bën të njëjtën gjë, duke besuar se e drejta është vetëm në anën e saj dhe, pa e vënë re, rrëshqet në të njëjtin kurth.
Nuk jetojmë në kohën kur predikohej se, nëse të godasin në njërën faqe, duhet të kthesh edhe tjetrën. Në politikë, një përulësi e tillë do të shihej më shumë si dobësi sesa si virtyt. Jo sepse përulësia është dobësi, por sepse politika është një përplasje interesash, forcash dhe legjitimitetesh, ku tërheqja interpretohet si dorëzim.
Teksa ndjek çdo ditë e më shumë kërkesat që ka parashtruar një grup organizatorësh të protestës, të cilët, paradoksalisht, as vetë nuk pranojnë të konsiderohen drejtues, më rikthehet vazhdimisht kjo ide. Në bulevard formulohen kërkesa që, në disa raste, kalojnë kufirin e së realizueshmes. Jo sepse nuk janë të dëshirueshme, por sepse mungon racionaliteti politik që do ta vinte realisht palën tjetër përballë përgjegjësisë. Kërkesa që e gjithë klasa politike të largohet menjëherë nga skena, të zhduket dhe të zëvendësohet nga “Grupi i të Rinjve”, tingëllon më shumë si slogan sesa si projekt politik.
Ose nuk njihet mënyra se si funksionon sistemi demokratik, ose ekziston bindja se presioni i rrugës, me disa protesta, mjafton për të zhbërë një realitet politik të ndërtuar prej më shumë se tri dekadash. Në të dyja rastet problemi mbetet i njëjtë, pasi kërkesat absolute nuk sjellin domosdoshmërisht zgjidhje, por përkundrazi prodhojnë një formë të re arrogance.
Kërkesat absolute janë arrogante në vetvete, sepse nuk lënë asnjë hapësirë për dialog, kompromis apo mirëkuptim. Kur njëra palë i vendos tjetrës vetëm ultimatum, i heq njëkohësisht edhe mundësinë për të treguar përulësi. Politika nuk funksionon me logjikën e dorëzimit pa kushte, por me balancë forcash, negociim dhe legjitimitet.
Si shumica që qeveris, ashtu edhe opozita, ndodhen në tregun politik mbi bazën e votës së qytetarëve. Mund të mos na pëlqejnë, mund t’i konsiderojmë të konsumuar apo të dështuar, por legjitimitetin e tyre e ka prodhuar vota. Ndërsa “Grupi i të Rinjve”, pavarësisht idealizmit që mund ta shoqërojë dhe dëshirës për ndryshim, ende nuk është përballur me provën më të rëndësishme të demokracisë, besimin e qytetarëve përmes kutisë së votimit.
Çdokënd prej nesh mund ta pushtojë, qoftë edhe për një çast, deliri i madhështisë. Mund t’i duket vetja si “Mesia” që do ta shpëtojë këtë popull nga korrupsioni, varfëria dhe mjerimi, e që do të sjellë begatinë me një plan dyvjeçar. Historia na ka mësuar se pikërisht aty ku premtimet bëhen absolute, lind edhe zhgënjimi më i madh.
Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente të tjera politike. Kemi provuar mjaft gjatë këtyre 36 viteve, nga premtimet e “çekut të bardhë” deri te katastrofa e skemave piramidale. Kjo nuk do të thotë se duhet t’i mohohet askujt e drejta për të pasur ambicie, madje edhe vizione të mëdha. Çdokush ka të drejtë të ëndërrojë një Shqipëri me politikanë të pakorruptuar, me një administratë që funksionon si orë zvicerane, me sipërmarrës që e shohin punonjësin si partner e jo si kosto, me më pak pabarazi sociale dhe me një shtet që garanton rend, drejtësi dhe mundësi të barabarta. Por idealet, sado fisnike të jenë, nuk mjaftojnë për të zëvendësuar legjitimitetin që buron nga vota.
Në politikë, arroganca nuk qëndron vetëm te pushteti. Ajo mund të shfaqet po aq lehtë edhe te ata që pretendojnë ta zëvendësojnë atë. Përulësia nuk është dorëzim dhe as mungesë ambicie. Është aftësia për të pranuar se askush nuk e ka monopolin e së vërtetës dhe se ndryshimet e mëdha nuk ndërtohen mbi bindjen se të gjithë të tjerët duhet të zhduken. Demokracia nuk ka nevojë për Mesi, por për njerëz që dinë të dëgjojnë, të binden nga argumenti dhe të korrigjojnë veten kur gabojnë. Pikërisht aty kalon kufiri i hollë mes arrogancës dhe përulësisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.