Kur proteston shtresa që financon shtetin

Gabimi më i madh që po bëjmë është se po numërojmë protestuesit. 100 mijë? 50 mijë?
Numrat nuk janë lajmi.
Lajmi është kush po proteston.
Për pothuajse një muaj, debati publik është konsumuar mes dronëve, fotografive, shifrave dhe interpretimeve politike.
A u shtua protesta? A u tkurr? Sa mijëra ishin?
Këto mund të jenë pyetje me interes për partitë politike, por nuk janë pyetjet më të rëndësishme për rëndësinë e protestës.
Protestat nuk duhen lexuar vetëm nga numri i pjesëmarrësve.
Ato duhen lexuar nga përbërja e tyre shoqërore. Dhe pikërisht aty ndodhet lajmi më i rëndësishëm i këtyre javëve.
Për herë të parë pas shumë vitesh, në rrugët e Tiranës po shfaqet në mënyrë të dukshme ajo pjesë e shoqërisë që ekonomistët e konsiderojnë shtyllën e çdo ekonomie funksionale.
Sipërmarrës, profesionistë të lirë, mjekë, pedagogë, inxhinierë, punonjës të sektorit privat, studentë, familje të tëra.
Janë njerëz që jetojnë nga puna e tyre dhe jo nga politika.
Njerëz që nuk kërkojnë një vend pune në administratë dhe as një favor nga qeveria.
Përkundrazi, janë ata që krijojnë vende pune, prodhojnë vlerë dhe mbajnë në lëvizje ekonominë formale të vendit.
Andaj dhe ka një arsye pse kjo protestë duhet të shqetësojë çdo qeveri, pavarësisht ngjyrës politike.
Sepse në rrugë nuk ka dalë shtresa që jeton nga shteti. Ka dalë shtresa që e financon atë.
Kjo shtresë ka një veçori që pothuajse nuk përmendet kurrë në debatin publik.
Është ajo që mban barrën më të madhe fiskale të vendit. Janë të ardhurat e saj që deklarohen, tatohen dhe kontrollohen.
Janë bizneset e saj që përballen çdo ditë me administratën tatimore, me inspektoratet dhe me mekanizmat e kontrollit të shtetit.
Hapësira për të vepruar jashtë sistemit formal është minimale.
Kontributi i saj në buxhet nuk është një vlerësim teorik sepse është i dokumentuar në çdo deklaratë tatimore dhe në çdo pagesë mujore.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria vazhdon të përballet me nivele të larta informaliteti.
Vetë administrata fiskale e ka pranuar prej vitesh se një pjesë e ekonomisë funksionon ende jashtë deklarimit të plotë të të ardhurave.
Në segmente të ndryshme të ekonomisë, deklarimet minimale mbeten një realitet i njohur, ndërsa në periudha të ndryshme politika ka zgjedhur amnisti fiskale apo skema lehtësuese për kategori të caktuara biznesesh, sidomos para zgjedhjeve, duke ushqyer perceptimin se barra fiskale nuk shpërndahet gjithmonë sipas të njëjtit standard. Barazi e rëndë kjo…
Pra, kush e mban në këmbë këtë shtet?
Sepse shteti nuk financohet me fjalime.
Nuk financohet me propagandë.
Nuk financohet as me shumica parlamentare.
Ai financohet nga tatimet e atyre që i paguajnë.
Kjo është arsyeja pse protesta e sotme ka një domethënie që shkon përtej politikës.
Ajo tregon se shtresa që mban barrën më të madhe fiskale të vendit ka filluar të humbasë besimin.
Dhe kur kjo ndodh, problemi nuk është më vetëm politik. Ai bëhet ekonomik.
Për vite me radhë kemi folur për korrupsionin administrativ, tendera, koncesione, abuzime me fondet publike.
Të gjitha këto janë probleme serioze.
Megjithatë, rreziku më i madh për një ekonomi nuk fillon aty.
Ai fillon në momentin kur deformohet vetë tregu.
Rastet e fundit të hetuara nga SPAK për pastrim parash nuk duhen parë vetëm si kronikë e zezë apo si hetime penale ndaj individëve.
Ato janë edhe një paralajmërim ekonomik.
Sepse pastrimi i parave nuk është vetëm një vepër penale.
Është mekanizmi më efikas për të shtrembëruar konkurrencën.
Kapitali me origjinë të paligjshme nuk hyn në treg për të konkurruar sipas rregullave të ekonomisë. Ai hyn për t’i deformuar ato.
Kur kjo ndodh, dëmi nuk është vetëm moral.
Ai bëhet strukturor.
Sipërmarrësi që investon me kapital të ligjshëm e ka gjithnjë e më të vështirë të konkurrojë në kushte të barabarta.
Investitori serioz fillon të kërkojë tregje më të parashikueshme. Profesionistët fillojnë të mendojnë largimin.
Gradualisht humbet bindja se suksesi në ekonomi varet nga puna, produktiviteti dhe inovacioni. Pra flluska ra…
Shumë e krahasojnë situatën me vitin 1997.
Mendoj se krahasimi duhet bërë në një plan tjetër. Skemat piramidale shkatërruan kursimet e shqiptarëve.
Ishte një katastrofë financiare.
Rreziku i sotëm është më pak i dukshëm, por potencialisht më i thellë.
Nëse viti 1997 goditi kapitalin financiar të familjeve shqiptare, deformimi i tregut godet kapitalin më të rëndësishëm të një ekonomie moderne, besimin.
Kursimet mund të rikrijohen.
Besimi se konkurrenca është e ndershme dhe se ligji zbatohet njësoj për të gjithë është shumë më i vështirë të rikthehet.
Prandaj lajmi më i rëndësishëm i kësaj proteste nuk është sa njerëz kanë dalë në rrugë.
Lajmi është se, për herë të parë pas shumë vitesh, po proteston pikërisht ajo shtresë që mban mbi supe barrën më të madhe fiskale të këtij vendi.
Dhe historia ekonomike ka treguar gjithmonë të njëjtën gjë.
Qeveritë nuk fillojnë të konsumohen ditën që humbasin zgjedhjet.
Fillojnë të konsumohen ditën që humbasin besimin e njerëzve që financojnë ekonominë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.