Kosova

Kurti: Kërcënimet e Vuçiçit u intensifikuan për shkak të refuzimit të planit franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.

Kjo, sipas Kurtit, po ndodh për shkak se Vuçiçi ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdorë, siç tha ai, pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për ta destabilizuar.

“… për shkak të refuzimit që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje”, tha Kurti.

“Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Kështu deklaroi Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dy ditë pas largimit të përfaqësuesve serb nga institucionet e Kosovës.

Për planin franko-gjerman nuk ka shumë informacione.

Në tetor, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza, “ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë se është 1 për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.

Gjatë konferencës Kurti tha se Vuçiçi po koordinohet me Rusinë dhe Kinën, dhe po zhgënjen Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, të shtunën, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, pati takime të ndara me ambasadorin rus dhe atë kinez në Beograd. Pra, presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë dhe Kinën dhe gënjen e zhgënjen BE-në dhe SHBA-në”, tha ai.

Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk kanë alternativë”.

Ndërsa ministri Sveçla tha se aktualisht situata në veri është e qetë dhe se janë në vazhdimësi në koordim me KFOR-in dhe EULEX-in.

I pyetur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesë edhe e partnerëve ndërkombëtarë, Kurti tha se ka nëntë vjet që përgjigjet për këtë çështje dhe se nuk ka përgjigje të re “për pyetje të vjetër”.

Kurti ka deklaruar disa herë që është kundër formimit të një asociacioni njëetnik.

Serbia insiston që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje që Kosova të bëjë hapa të menjëhershëm drejt krijimit të Asociacionit.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia më 2013 arritën Marrëveshjen për Asociacionin. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e Asociacionit. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se disa pika nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deri më 7 nëntor, Kosova ka pranuar dorëheqjen e 461 zyrtarëve serbë të rendit, 107 policëve kufitarë dhe dhjetë hetuesve policorë.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës

Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe./REL

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button