Kush është mik, e kush armik i Rusisë?
Miqtë dhe armiqtë e Rusisë ndryshojnë gjatë historisë, varësisht nga interesat dhe momenti. Kjo më së miri mund të përshkruhet në raportet me Turqinë, por edhe me Poloninë e Amerikën, shkruan shkrimtari Viktor Jerofejev.
Viktor Jerofejev
Shkrimtar rus
Po shkruaj nga Krimeja, ku kam ardhur për shkaqe familjare. Krimeja tani njihet në mbarë botën. Rrugëve të Krimesë shihen të afishuara shumë postera të Putinit dhe thëniet e tij. Putini duket i menduar në fotografi, një lider karizmatik. Si një njeri miqësor dhe i sjellshëm. E shikoj dhe mendoj – si është e mundur? A thua nuk e ka humbur për shkak të marrjes së Krimesë nga Rusia mbështetjen e pjesës më të madhe të Perëndimit.
Pse?
Apo dhe shembulli i fundit me Turqinë. Turistët rusë, të cilët vërshonin drejt Turqisë, e kanë bojkotuar këtë vend për shkak të rrëzimit të një avioni rus në Turqi. Kjo rezultoi me një – tragjedi. Turqia u shndërrua në një armik të përbetuar të Rusisë dhe ne (rusët) filluan t’i kujtojmë krimet turke gjatë historisë. Turqit filluan të trajtohen, në vend të ukrainasve dhe amerikanëve, si armiku kryesor. Por kjo tani ndryshon me vetëm një takim të Putinit me Erdoganin. Nga kjo rezulton se miqtë dhe armiqtë për Rusinë janë vetëm me kusht, siç është i kushtëzuar edhe morali rus, gjë që e ka nënvizuar edhe shkrimtari i njohur rus Gajto Gazdanov. Miku dhe armiku me një fytyrë – kjo është shumë komode. “Të falënderoj për të djeshmen, por edhe për të sotmen”, shkruanin dikur gazetat në kohën e “terrorit të madh” të regjimit të Stalinit, kur janë ekzekutuar dhe eliminuar edhe bolshevikët e vjetër. Kjo ishte një traditë e manipulimit me miq dhe armiq.
Por Rusia as para themelimit të Bashkimit Sovjetik nuk ka pasur miq të sigurtë. Për shembull Franca. Ajo ka qenë armike, mike, e pastaj sërish armike dhe mike. Pikërisht si tani Turqia.
Pse Rusia nuk i beson askujt?
Kjo është kështu për shkak të besimit të ndryshëm nga vendet perëndimore. Rusia në shpirt është një shtet mesian. Ka një mision të Zotit.
Çfarë misioni?
Nuk është me rëndësi. Misione të ndryshme. Pak luftonte në revolucione të ndryshme evrpiane (në shekullin 19-të). Pak është edhe vet revolucionare, por shumë shpesh futet në ujërat e absolutizmit, si në kohën e Stalinit, por edhe tani kur koha e sundimit absolut kaherë ka dalë jashtë mode në Perëndim. Rusia e konsideron veten si diçka të veçantë, por kjo nuk i ndihmon të jetë e lumtur. Në këtë vend nuk ka pasur kurrë një jetë të lumtur, sepse Rusia nuk ka mundur kurrë të jetë një vend normal si të gjitha vendet e tjera. Po të ishte si vendet tjera, çështja e Krimesë nuk do të zhvillohej në këtë mënyrë.
Rusia megjithatë ka diçka të veçantë. Ajo mendon se është më e mirë se të tjerët.
Po cilat janë dëshmitë e saj?
Dëshmitë i gjen tek ana shpirtërore, dhe të gjithë ata që nuk e pranojnë këtë janë – armiq të saj. Por këtë nuk po e pranon askush! Disa nuk duan, si polakët, e të tjerët nuk i shohin këto vlera. Por ka dhe të tillë që nuk i kërkojnë fare këto dëshmi ruse dhe i bëjnë thirrje asaj që të jetë më e ngjashme me vendet e tjera!
Por Rusia nuk do të jetë e ngjashme me Kinën, Amerikën dhe vendet e tjera.
Amerika tani llogaritet si armiku kryesor. Kina llogaritet si mike, ndonëse Kina as vet nuk e di pse. Po kur do të bëhet një rokadë? Nuk e di askush, por edhe kjo është e mundur.
Mua në Krime më kanë thënë dje se portretet e Putinit janë vënë me urdhër sekret nga Amerika. Si? Po, sepse portretet ngacmojnë! Kë ngacmojnë? Mbeta me sy hapur.
Mendova: nëse Rusia vërtetë është një vend i veçantë, atëherë nuk duhet t’i nënshtrohet logjikës armiqësore. Mendimi i saj duhet të lirohet nga logjika e armiqësive. Rusia është aq e fuqishme sa të lirohet nga kjo.
Por me rëndësi është të zgjidhet – armiku kryesor. Dikur ka qenë Polonia. Pas Luftës së Dytë Botërore ishte Gjermania Perëndimore. Pushtetmbajtësit sovjetikë e akuzonin për revanshizëm. Populli besonte. Sipas këtij besimi, pikërisht Gjermania e ka bashkuar Evropën – që është një akt i tmerrshëm për Rusinë.
Ndërsa tani armiku kryesor është – Amerika. Populli e beson edhe këtë.
Po e vërteta?
Populli rus i beson pushtetit të vet. Shumë i beson. E voton, por nuk dihet nëse i beson deri në fund. Ajo që është e sigurt – pushteti nuk i beson popullit. Ndaj edhe armiqtë dhe miqtë ndryshojnë, dhe me ta frikësohet populli. Por ndonjëherë shpërthejnë edhe luftëra – e populli është ai që derdh gjak.