Kush është sizmologu grek që alarmoi per tërmete apokaliptike, ja sa herë doli blof me skenaret e tmerrit
Akis Tselentis, profesor i Sizmologjisë në universitetin e Athinës, drejtor i Institutit të Gjeodinamikës në Observatorin Kombëtar të Athinës, drejtor i Qendrës Kombëtare të Cunamit, por edhe “parashikues” i tërmeteve apokaliptike…
Akis Tselentis, më opinionin publik grek është personi pas “parashikimeve” të lëkundjeve sizmike, shpesh herë blof dhe plot doza paniku, ndër vite.
-Në 7 shtator 1999 Athina u lëkund nga një tërmet 5.9 rihter, me 143 viktima dhe 1600 të plagosur, ndersa dëmet materiale ishin të pallogaritshme. Atëherë, pedagogu i etur për famë, nuk reshtte së paralajmëruari për një tjetër tërmet më të fuqishëm, se ishte vetëm një paralajmërim, duke shtuar panikun te populli i tmerruar, e duke i lënë natën nëpër rrugë, derisa specialistë të tjerë seriozë bënë thirrje për të mbyllur me aq skenarin e tmerrit.
-Në shkurt të vitit 2008, kur grupi i BAN bënte thirrje për lëkundje sizmike në Methoni, Akis Tselentis, i nervozuar që nuk arriti i pari, i mohonte në kamerat televizive. Në fund të muajit shkurt, në Methoni kishte tërmet të fuqishëm 6,7 rihter, pa viktima.
-Në median greke tashmë flasin për një shkencëtar nga njëra anë, person me mani të çuditshme nga ana tjetër. Në çdo tërmet, që në Greqi janë të shumta, si vendi i parë sizmik në Europë, i gjashti në botë, populli pret “parashikimin” tradicional të radhës nga Akis Tselentis.
-Kështu, në youtube, mund të vihen re klikimet pafund të videos, kur, në orët kritike pas tërmetit 6,9 rihter në ishullin Kithera, në 8 janar 2006, paralajmëroi një tërmet tjetër, në Jon, dhe për këtë shkak njerëz në panik kaluan orë të tëra nëpër rrugë.
-Në vitin 2008, një tjetër paralajmërim për tërmet të madh në Achaia detyron kryetarin e Bashkisë së zonës të ngrejë padi kundër Tselentis për të qetësuar banorët e zonës. Tërmeti i parashikuar nuk ndodhi kurrë.
-Në tetor 2016, pas tërmetit 6.5 rihter në Itali, Tselentis është përsëri në ekran, këtë radhë informon se nuk kanë lidhje pllakat tektonike, por Greqia ka kohë pa tërmet të fuqishëm dhe duhet të jenë në gatishmëri të gjithë. “Këmbanat bien për tërmet të fuqishëm në Greqi. Ja dy zonat ku ka energji të mbledhur”, bëjnë bujë dhe natyrisht ngjallin sërish panik deklaratat e sizmologut.
-Në 2 maj të 2007, tërmeti 5.7 rihter në Oklahoma të SHBA, shkakton ankth tek Tselentis, gjithnjë para kamerave, se shpimet për hidrokarbure do të kenë efekt domino dhe do të kemi tërmete apokaliptike së shpejti edhe në Greqi.
-Pa asnjë surprizë për të dhënat e vendit dhe të pllakës tektonike, në 13 qershor 2017, ishujt Lesbos dhe Chios shkunden mirë nga 6.1 rihter. Akis Tselentis nuk kishte arritur parashikimin e kësaj zone kaq të njohur për të tilla rihter, kështu që vendos të shfaqet në edicione lajmesh duke paralajmëruar se nuk ishte tërmeti kryesor dhe se lëkundje më e fuqishme sizmike pritet në vijim, njerëzit të jenë të vëmendshëm. Procesi passizmik u krye normalisht, pa asnjë tronditje të mëtejshme.
-Sivjet, në muajin mars, pas tërmetit 5.3 rihter në Fokida, në qytetin Galaxidi, Tselentis shprehet në kamera se nëse nuk ka lëkundje passizmike 4.5 rihter, atëherë kini mendjen se po presim tërmet shumë më të fuqishëm brenda pak orëve ose ditëve. “Tërmeti më i fuqishëm” nuk ndodhi kurrë!
– Pas bujës së madhe që shkaktuan deklaratat e tij, kryesisht në Shqipëri, detyrohet të rishfaqet në media e të përgënjeshtrojë vetveten “30 herë më i fuqishëm në shkallën rihter do të thotë diku tek 6 rihter, asnjëherë nuk paralajmërova tërmet apokaliptik”.
-Megjithë karrierën akademike, si dhe sistemin novator për parashikimin e tërmeteve “Arsis” që nën kujdesin e tij vazhdojnë eksperimentimet në universitetin e Kretës, Akis Tselentis konsiderohet paralelisht dhe si një “fyerje e komunitetit akademik të Greqisë”, për shkak të manisë të shfaqet në kamera, për të parashikuar katastrofën, ku në shumicën e rasteve, del bllof.