Bota

Kush janë udhëheqësit e Hamasit, që Izraeli prej vitesh tenton t’i likuidojë?

Në orët e hershme të mëngjesit të 7 tetorit, militantët e Hamasit nisën një sulm ndaj Izraelit. Ata lëshuan disa mijëra raketa, por luftëtarët e tyre hynë në Izrael, ku kryen masakra të tmerrshme në kibuc dhe vendbanime të ndryshme, shkruan BBC.

Hamasi u mbështet në aksion nga Hezbollahu libanez, si dhe ‘vëllai i tyre i vogël’, organizata palestineze Xhihadi Islamik, por përgjegjësia kryesore është ende te Hamasi, transmeton Telegrafi.

Shumica e udhëheqësve të tyre i shmangen publikut nga frika e vrasjeve izraelite. Shumë prej tyre nuk jetojnë në Gaza apo Bregun Perëndimor, por në vende ‘miqësore’ nga ku planifikojnë dhe organizojnë veprime të tilla.

Ismail Haniyeh

Ai konsiderohet lider i Hamasit. Në fund të viteve 80-ta përfundoi në një burg izraelit për tre vjet për shkak të veprimtarisë së tij, më vonë u dëbua nga territori i Izraelit, por u kthye në Rripin e Gazës në vitin 1993 dhe aty filloi ngritja e tij.

Ai u ngjit në hierarkinë e Hamasit dhe në vitin 2006 u bë kryeministër i Palestinës, kështu që pasoi një cirk ku ai nuk pranoi dorëheqjen. Dhe në 2018 u bë kreu i departamentit politik të Hamasit. Ai është në listën terroriste të SHBA-së dhe, siç shkruan BBC, prej pesë vitesh jeton në Katar.

“Kurrë nuk do ta njohim qeverinë sioniste dhe do të vazhdojmë xhihadin tonë deri në çlirimin e Jerusalemit”, tha në atë kohë Haniyeh, i cili dënoi veprimin amerikan në të cilin u vra Osama bin Laden.

“Ai ishte një luftëtar i shenjtë i arabëve”, tha ai atëherë.

Ai është i martuar dhe është baba i 13 fëmijëve. Gjithashtu thuhet se peshon disa milionë dollarë.

Yahya Sinwar

Sinwar është themeluesi i shërbimit të sigurisë dhe inteligjencës të Hamasit të quajtur Majd, i cili është përgjegjës për luftën kundërzbuluese me Izraelin, shkruan BBC.

Ai kaloi deri në 24 vjet në burgjet izraelite, u dënua me katër burgime të përjetshme, por u lirua në vitin 2011 në një shkëmbim të madh të burgosurish.

Është në listën terroriste të SHBA-së dhe konsiderohet figura e dytë më e fuqishme në Hamas. Ushtria izraelite thotë se ai është ‘i vdekuri në këmbë’ pasi Hamasi sulmoi Izraelin.

“Vendosi të dërgonte kasapët e tij në Izrael për të vrarë fëmijët tanë. Ata e nënshkruan vdekjen e tyre. Ai është i vdekuri në këmbë”, tha zyrtari i ushtrisë izraelite Peter Lerne, shkruan NBC.

Sipas BBC, ai në fakt është “bosi” i Rripit të Gazës dhe ia del në terren, ndërsa Haniyeh nga Katari. Ai dyshohet se fshihet në tunele nëntokësore nën Rripin e Gazës.

Mohammed Deif

Deif është udhëheqësi i ‘degës’ ushtarake të Hamasit. Ai u ka shpëtuar aq shumë atentateve izraelite, saqë quhet macja me nëntë jetë, shkruan BBC.

Edhe ai ka qenë disa herë në burgjet izraelite. Konsiderohet si një nga më përgjegjësit për tunelet nën Rripin e Gazës ku Hamasi fsheh armë dhe luftëtarë.

Në atentatin në vitin 2002, ai humbi njërin sy, dyshohet se një pjesë të një krahu dhe një këmbë, dhe në vitin 2014, humbi gruan dhe dy fëmijët e tij në një sulm nga izraelitët.

Pas sulmit të Hamasit, ai përmes një mesazhi të regjistruar njoftoi fillimin e operacionit ushtarak, i thirri palestinezët në revolucion.

“Në vazhdën e krimeve të vazhdueshme kundër popullit tonë, nën dritën e okupimit dhe mohimit të ligjeve dhe rezolutave ndërkombëtare, dhe në dritën e mbështetjes amerikane dhe perëndimore, vendosëm t’i japim fund të gjithave”, tha qartë ai.

Pak njerëz e njohin atë, familjen e tij dhe një grup të vogël të Hamasit. Ai ka qenë një nga njerëzit më të kërkuar në Izrael për dekada, por askush nuk e di se ku ndodhet.

Marwan Issa

Ai mban pseudonimet ‘njeriu nga hijet’ dhe ‘krahu i djathtë i Deif’ dhe deri në vitin 2011, askush, përveç bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në Hamas, nuk e dinte se si dukej.

Është në listën e më të kërkuarve të Izraelit dhe gjithashtu u ka mbijetuar disa atentateve. Ai gjithashtu u burgos për pjesëmarrje në aktivitetet terroriste të Hamasit. Dihet shumë pak për të, por konsiderohet kyç për planifikimin e disa sulmeve ndaj Izraelit, duke përfshirë këtë të fundit.

Khaled Meshaal

Sipas BBC, Meshaal është një nga themeluesit e Hamasit. Mediat britanike shkruajnë se Mossad, me udhëzimet e drejtpërdrejta të kryeministrit izraelit Netanyahu, tentoi ta vriste në vitin 1997 teksa ai jetonte në Jordani.

Agjentët e Mossad-it arritën t’i “fusin” një substancë helmuese teksa ai po ecte në rrugë, por autoritetet jordaneze e zbuluan dhe arrestuan dy agjentët. Nën presionin e Bill Klintonit dhe me kërkesën e mbretit Husein, Izraeli dërgoi kundërhelmin.

Mahmoud Zahar

Mahmoud Zahar lindi në Gaza në vitin 1945 nga një baba palestinez dhe një nënë egjiptiane. Konsiderohet si një nga udhëheqësit më të shquar të Hamasit dhe anëtar i udhëheqjes politike të lëvizjes.

Ai shkoi në shkollë në Gaza dhe në universitet në Kajro, më pas punoi si mjek në Gaza dhe Khan Younis derisa autoritetet izraelite e pushuan për shkak të pozicionit të tij politik.

Mahmud Zahar u mbajt në burgjet izraelite në vitin 1988, muaj pas themelimit të Hamasit. Ai ishte ndër ata që u deportuan nga Izraeli në tokën e askujt në vitin 1992, ku kaloi një vit.

Me fitoren e lëvizjes Hamas në zgjedhjet e përgjithshme palestineze në vitin 2006, Zahar iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme në qeverinë e sapoformuar të kryeministrit Ismail Haniyeh, përpara shkarkimit të tij përfundimtar.

Izraeli tentoi të vriste Zaharin në vitin 2003, kur një aeroplan hodhi një bombë në shtëpinë e tij në qytetin e Gazës. Sulmi e la atë me lëndime të lehta, por vrau djalin e tij të madh, Khaled.

Djali i tij i dytë, Hossam, i cili ishte anëtar i Brigadave al-Qassam, u vra në një sulm ajror izraelit në Gaza në vitin 2008. /Telegrafi/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button