Kosova

Kuvajti përkushtim për avancimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes të përbashkët me Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim lamtumire në përmbyllje të mandatit të tij në Kosovë, ambasadorin e Kuvajtit në Tiranë, jorezident për Kosovën, Najeeb Al-Bader.

Presidentja Jahjaga e falënderoi ambasadorin Al Bader për kontributin e tij në thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohje për shtetin mik të Kuvajtit që e ka mbështetur konsolidimin e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare, posaçërisht për përkrahjen që Kuvajti po jep për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Presidentja Jahjaga vlerësoi se marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit janë shumë të mira dhe shprehu përkushtimin për thellim të tyre në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Ambasadori Najeeb al-Bader e falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen dhe bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Kosovës dhe theksoi përkushtimin e shtetit të Kuvajtit për të avancuar bashkëpunimin në çdo fushë me interes të përbashkët.

vv21Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot ambasadorin e Kuvajtit, në largim, në Republikën e Shqipërisë, njëkohësisht ambasador jo-rezident në Kosovë, Najeeb Abdulrahman Al-Bader.

Kryetari Veseli vlerësoi angazhimin e ambasadorit Al-Bader për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Kuvajtit, në fushat me interes të përbashkët.

Ambasadori kuvajtian theksoi se Kuvajti do të jetë mbështetës i aspiratave të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai shtoi po ashtu se vendi i tij është i pranishëm në 104 shtete me investime dhe shpreson që edhe Kosova të jetë vend i investimeve kuvajtiane.

Në takim, Kryetari Veseli vuri në dukje mundësinë për bashkëpunim në mes të dy Kuvendeve dhe bashkëpunimin ekonomik.

“Pas largimit Tuaj nga Tirana, Ju do të jeni mbështetës i miqësisë Kosovë-Kuvajt dhe presim të kontribuoni që të shtohet bashkëpunimi në mes të dy parlamenteve tona, por edhe me investime në fusha me interes të përbashkët si arsimi, bujqësia, transporti”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button