Kosova

Kuvendi mbyll seancën, bllokohet nga opozita

Kuvendi i Kosovës mbylli seancën, për shkak të bllokimit të saj nga opozita.

Në sallën e seancës së Kuvendit, duket se opozita ka hedhur gaz lotësjellës, ndërkohë që kryesuesi i seancës Xhavit Haliti tha se “me kaq seanca përfundon”.

Deputetes Flora Brovina i është dhënë ndihma e parë mjekësore në ambientet e Kuvendit, ku është hedhur gazi lotësjellës. Edhe deputetja Blerta Deliu po shoqërohet për në automjetin e ndihmës së parë mjekësore, raporton RTK.

Në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës behet e ditur se “sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk ka mundur të vazhdojë seancën e rregullt plenare për shkak të bojkotimit të saj nga partitë opozitare dhe “Lista serbe”. Në këtë seancë plenare, ishin parashikuar të shqyrtohen nëntë projektligje”.

“Deputetët e partive opozitare: Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, edhe në tri seancat e kaluara plenare e kanë bojkotuar vijimin e punimeve. Ato insistojnë se pa tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit Mustafa nga marrëveshjet e Brukselit me Serbinë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të lejojnë vijimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në faqen zyrtare te Kuvendit.

Përkundër këtyre zhvillimeve, të bllokimit të Kuvendit nga opozita, kryeparlamentari Veseli me tone qetësuese duke folur para medias tha se “nuk është situatë dramatike dhë është shumë e qetë”, megjithatë theksoi se “është një situatë që më së paku i duhet Republikës së Kosovës”. Kryeparlamentari Veseli ftoi qeverinë që të shkojë në Kuvend. “Qeveria duhet të vijë në Kuvend”, u shpreh ai.6kuvend

Në fillimin e seancës së Kuvendit të Kosovës sot nuk ishte Lista Serbe. I pyetur lidhur me këtë, kryeparlamentari Veseli tha se “nuk kam ndonjë qëndrim zyrtar të Listës Serbe, është e vërtetë se nuk është në seancë”.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e kësaj jave, të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, ku për herë të dytë nuk mori pjesë opozita, ka ftuar për sot seancë plenare të Kuvendit, gjatë të cilës “do të shqyrtohen pika të papërfunduara nga mbledhjet e kaluara”, të pamundësuara e ndërprera nga opozita, që nga fillimi i sesionit vjeshtor.

“10 minuta pushim brenda” dha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i “rrethuar” nga opozita ende pa filluar seanca, dhe i ftoi mediat që të hyjnë në sallën e seancës te fotorja – “nga lart të vijnë poshtë”… Në sallën e seancave opozita fërshëllen derisa kryeparlamentari flet para medias në sallë dhe jep përsëri “pushim gjysëm ore”.

“Nuk do të lejojmë që nga Kuvendi të promovohen konflikte”, u shpreh kryeparlamentari Veseli që mezi dëgjohej nga fërshëllimat e opozitës. Ndërsa, opozita në sallë para mediave përsëriti qëndrimin “ose tërheqje nënshkrimesh nga 4 marrëveshjet me Serbinë e marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, ose dorëheqje të qeverisë”.Kuvendi-Kosove-heqja e mbulojave nga muralet

Ndërkohë, deputetë të opozitës në një “aksion simbolik” kanë hequr “mbulojat” e muraleve në Kuvendin e Kosovës, para seancës së ftuar për sot.

Ka mëse 11 vite që pikturat në Kuvendin e Kosovës fshihen prapa pëlhurës.

“Skënderbeu”, “Lidhja e Lezhës” dhe “Lidhja e Prizrenit”, janë tri nga disa muralet që u vendosën më 2004 në muret e hollit e në sallë, pas renovimit të objektit të ligjvënësve. Por “ekspozita” e tyre nuk zgjati shumë. Vendimi për mbulimin e tyre u mor në kohën kur Nexhat Daci ishte kryetar i Kuvendit, pas disa ankesave të deputetëve serbë.

“Veprimet e opozitës janë një tentativë për të bllokuar shtetin e Kosovës”, deklaroi pak më parë për median për zhvillimet në Kuvend shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai shtoi se pakica, 30 deputetë po bllokojnë shumicën prej 90 deputetëve.

“Ne kemi protesuar dhe vazhdojmë të protestojmë kundër qeverisë dhe marrëveshjeve të saj të dëmshme për Kosovën”, deklarojnë deputetë të opozitës për median jashtë sallës së Kuvendit, ku ende nuk ka vazhdim seance.

Në axhendën zyrtare për seancën e Kuvendit të Kosovës për sot ishin renditur 9 pika. Në kundërshtim të katër marrëveshjeve me Serbinë të 25 gushtit dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita në Kuvendin e Kosovës edhe po bojkoton mbledhjet e Kryesisë me shefat e prupeve parlamentare edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Kundërshtimi brenda Kuvendit nisi dhe vazhdoi me “aksione simbolike” protestuese në sallën e seancave plenare. Raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e 17 e 22 shtatorit.

Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, por opozita me bllokim nuk lejoi votimin për këtë kërkesë as vazhdimin me pikat e tjera të axhendës.

Në seancën e dytë të Kuvendit të Kosovës, që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar, pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.Seanca sot-2015_10_08_Seanca_3

Edhe rivazhdimi i seancës së parë të sesionit vjeshtor, të enjten, në 1 tetor, u pamundësua nga protesta e opozitës, edhepse nuk ishte në axhendë raportimi i qeverisë për marrëveshjet. Në këtë situatë, seanca e Kuvendit të Kosovës, e radhitur si e treta e sesionit vjeshtor, që ishte në axhendë të mbahej të premtën e 2 tetorit, është anuluar.

Opozita e bashkuar në Kosovë ka bërë të ditur se ka mbledhur më shumë se 160 mijë nënshkrime në peticionin ku kërkohet që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.

Lëvizja Vetëvendosje të martën njoftonte se, kryeministri Isa Mustafa “është gjuajtur me vezë nga aktivistët në Podujevë”. “Policia ka arrestuar dhunshëm dy aktivistë të Lëvizjes”, shtohej më tej për ngjarjen në shesh në manifestimin tradicional “Dita e Mjedrës”, ndërsa LDK ka reaguar lidhur me dënimin nga gjykata me këtë rast të gjuajtjes me vezë, duke u shprehur se, “vlerëson se dënimi prej 150 eurosh për një sulm të përsëritur ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, është një lloj inkurajimi dhe nxitje për vazhdim të formave të tilla të sjelljes”.

Ndërsa, vetë kryeministri Mustafa mbrëmë në ‘facebook’ është shprehur mes tjerash se: “Çmimi më i lartë që do të paguani për jetën e Kryeministrit është 150 euro. Aq më tepër ky çmim është në veresi. Sepse Gjykata ju pret, kurse ju mund të ankoheni. Kjo është fytyra e drejtësisë sonë. Turpi ynë!”.

Nuk ka pasur ende ndonjë njoftim për ndonjë masë për gjuajtjet me vezë në seancë Kuvendi nga deputetë të opozitës.

“Opozita e vendosur të mos lejojë zhvillimin e seancës”, është sot një nga titujt e ballinave të shtypit kosovar, ku theksohet se, “sipas skenarit të njëjtë pritet të zhvillohet edhe vazhdimi i katërt i seancës së parë plenare të sesionit vjeshtor, i caktuar për të enjten”.

Megjithëse zyrtarisht nuk dihen veprimet që do të mund t’i ndërmarrë kryeparlamentari Kadri Veseli, një burim i gazetës brenda Kuvendit ka thënë se nuk janë diskutuar veprimet që mund të jenë “ndryshe” prej seancave të kaluara, shkruan sot Koha Ditore.

Por, as këtë herë nuk do të mungojnë përpjekjet e Veselit që përmes dialogut ta kthejë normalitetin në Kuvend, ashtu siç ka vepruar në tri seancat paraprake.
“Nëse pamundësohet puna duhet ndërprerë seanca. Janë deputetët që e kanë çelësin e zhbllokimit të kuvendit”, ka thënë burimi. “Megjithatë kjo gjendje nuk pritet të shkojë në pafundësi, por se kur do të futen masat e jashtëzakonshme ende nuk është vendosur”.
Por, opozita e ka bërë të qartë se do të vazhdojë bllokimin sikur në tubimet e kaluara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button