Politika

Kuvendi rrëzon dekretin e Metës/ Debate për dekretet e zgjedhjeve. Të hënën votohet hetimi i Presidentit

Deputetëve nuk iu prit dot deri në seancën e të hënës më 8 Korrik, ku do të votohet komisioni hetimor parlamentar, për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Batarenë e akuzave ndaj presidentit, e nisi socialisti Alket Hyseni tek sa po diskutohej dekreti presidencial i kthyer i ligjit të përmbarimit privat, pjesë e paketës të reformës në drejtësi.

“Frika e tij është pikërisht tek implementimi i kësaj reforme”, u shpreh Alket Hyseni.

Nënkryetari parlamentit demokrati Myslim Murrizi nuk e kurseu fjalën burg për të gjithë në fjalën e tij.

“Halli që keni me Presidentin e Republikës, të nderuar kolegë të mazhorancës, është hall i përbashkët i 5-15 individëve të cilët, jo për hallin tuaj, por për hallin e atyre që u kanë futur të dyja këmbët në një këpucë politikës shqiptare. Do të jenë banorë të burgut të famshëm, atë të Reçit, a të Peqinit”, tha ai.

Ndërsa Ralf Gjoni i LSI-s pasi kërkoi shkarkimin e Damian Gjiknurit nga bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore me argumentin se ka dalë në përgjimet e Dibrës, kishte një mesazh për kryeministrin Rama.

“Sa të gëzuar janë për ditëlindjen e komandantit. Shihni. Ata të tre rrotullohen në krevat. Ju rrotulloheni bashkarisht në krevat dhe doni të na përfshini neve në lojërat tuaja të krevatit. Sepse dialog, do të thotë rrotullim në një krevat. Për çfarë na duhet dialogu me ata që bojkotuan institucionet. Çfarë na duhet dialogu me ata që bojkotuan Parlamentin. Mbushjani mendjen kryeministrit tuaj, mqs ka edhe ditëlindjen. Për momentin dhuratat e vetme që merr ai i ka nga Lul Basha. Të gjitha ia dha, ekzekutivin, Parlamentin, edhe i dha 61 Bashki falas plus këshillat bashkiakë dhuratë për ditëlindje”, u shpreh Ralf Gjoni.

Replika e Damian Gjiknurit prodhoi tërmet duartrokitjesh në sallën e Kuvendit.

“Ata jashtë Parlamentit kishin “Rama ik”, këta këtu na paskan dale me “Damiani ik”. Nëse vjen Partia Demokratike ne Komisionin e Reformës Zgjedhore, kur te vine ata me “Damiani ik” unë vetëofrohem si Presidenti për zgjidhje. S’ka problem fare”, tha ai.

Taulant Balla vijoi me qëndrimet tashmë konstante duke e quajtur presidentin pjesë e një grupi që pengon reformën në drejtësi.

“Duhet ta pranojmë të gjithë, se ajo zyrë duhet liruar urgjentisht, për të rivendosur autoritetin e Presidentit të Republikës, në kushtet e respektimit të Kushtetutës, por edhe në kushtet e një figure që duhet ta bashkojë Shqipërinë”, tha Balla.

Dekreti i kthyer nga Presidenti për përmbarimin privat, u rrëzua duke marrë 85 vota kundër, 6 pro dhe 11 abstenime.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button