🌤️
Tiranë 26°C · Kryesisht kthjellët 08 September 2026
S&P 500 7,719 ▼0.38%
DOW 53,414 ▼0.51%
NASDAQ 26,507 ▼0.29%
NAFTA 94.05 ▲2.81%
ARI 4,452 ▼0.54%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $78,311 ▼ -1.68% ETH $2,468 ▼ -1.17% XRP $1.3831 ▼ -1.79% SOL $102.6300 ▼ -2.33%
S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 94.05 ▲2.81 % ARI 4,452 ▼0.54 % S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 94.05 ▲2.81 % ARI 4,452 ▼0.54 %
EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057
08 Sep 2026
Breaking
Bota

“Le Figaro Nautisme”: Shqipëria e egër përballë Vlorës: Karaburuni dhe Sazani, një parajsë mes dy dete

– Përballë Vlorës shtrihet një prej zonave më të paprekura dhe spektakolare të bregdetit shqiptar. Gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit, të rrethuar nga ujëra të kristalta, shkëmbinj të thepisur, shpella dhe gjire të izoluara, ofrojnë një tjetër dimension të Shqipërisë turistike, shkruan Charlotte Lacroix në një artikull në median franceze “Le Figaro Nautisme”.

E aksesueshme kryesisht nga deti, kjo zonë e mbrojtur, ndërthur bukurinë natyrore me historinë ushtarake të Sazanit, duke u shndërruar në një destinacion të veçantë, për ata që kërkojnë të largohen nga plazhet e mbipopulluara dhe të eksplorojnë një bregdet më të egër.

Shqipëria zbulon bregdetin e saj më të egër

Përballë Vlorës, gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit mbrojnë një bregdet të përbërë nga shkëmbinj të thepisur, shpella dhe gjire, të cilat mund të arrihen kryesisht nga deti.

Në fillim të shtatorit, uji mbetet i ngrohtë dhe i ndriçuar, por kjo pjesë e Shqipërisë duhet zbuluar me një mjet lundrues të përshtatshëm, me kujdes dhe duke respektuar rregullat e një zone të mbrojtur detare.

Nga shëtitorja e Vlorës, Sazani duket pranë, ndërsa Karaburuni formon në horizont një barrierë të gjatë malore.

Sapo del në det, distancat dhe relievi marrin përmasa të tjera.

Shkëmbinjtë gëlqerorë të thepisur zhyten në një det shumë të kthjellët, rrugët zhduken dhe disa plazhe nuk lidhen me asnjë fshat.

I krijuar në vitin 2010, Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan është parku i parë detar i Shqipërisë.

Ai mbron ujërat që rrethojnë gadishullin dhe ishullin, në pikën e takimit të Adriatikut me detin Jon, pranë ngushticës së Otrantos.

Peizazhi nënujor ndërthur livadhe detare, mure shkëmbore, shpella dhe gjurmë të periudhave të ndryshme historike.

Sazani, një ishull i shënjuar nga historia ushtarake

Ishulli më i madh i Shqipërisë, Sazani ka pasur për një kohë të gjatë një pozicion strategjik në hyrje të Gjirit të Vlorës.

E kaluara e tij ushtarake mbetet e dukshme përmes tuneleve, ndërtesave të braktisura dhe strukturave mbrojtëse.

Vizitat zhvillohen të organizuara dhe jo të gjitha zonat janë të aksesueshme lirisht.

Ky vend ofron një atmosferë të veçantë, shumë të ndryshme nga ajo e qendrave turistike bregdetare.

Në Sazan nuk shkohet për të vizituar një fshat apo për një shëtitore me dyqane, por për të kuptuar një vend që për një kohë të gjatë, ka qenë i mbyllur, si dhe për të vëzhguar bregdetin nga një pikë strategjike mes dy deteve.

Karaburuni, një bregdet i krijuar për t’u eksploruar me varkë

Bregu perëndimor i Karaburunit është pjesa më spektakolare.

I privuar nga një rrugë e vazhdueshme dhe nga qendra të mirëfillta të banuara, ai arrihet kryesisht nga deti ose pas ecjeve të gjata.

Ekskursionet nisen zakonisht nga Vlora ose nga zona e Orikumit.

Shpella e Haxhi Aliut është ndër ndalesat më të njohura.

Hyrja e saj e gjerë u mundëson mjeteve të vogla lundruese të futen brenda, kur kushtet e detit e lejojnë.

Më në jug, Gjiri i Gramës rrethohet nga mure shkëmbore ku detarët kanë lënë mbishkrime gjatë shekujve.

Gjire të tjera, më të vogla, ofrojnë mundësi për ndalesa dhe larje, larg plazheve të pajisura me infrastrukture turistike.

Ujëra të kthjellëta, por një mjedis që duhet mbrojtur

Zhytjet u mundësojnë vizitorëve të vëzhgojnë shkëmbinjtë dhe bimësinë detare në fund të detit, pa pasur nevojë për pajisje të specializuara zhytjeje.”

Megjithatë, kthjelltësia e ujit nuk duhet të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për një hapësirë pa kufizime.

Ankorimi mbi livadhet detare dhe afrimi i tepruar me faunën dëmtojnë ekosistemin e parkut.

Për vizitorët që nuk kanë varkë, një ekskursion me një operator lokal mbetet zgjidhja më e thjeshtë.

Mjetet e vogla dhe të shpejta mundësojnë më shumë ndalesa, ndërsa varkat më të mëdha ofrojnë më shumë komoditet, por zakonisht ndjekin një program më kolektiv.

Përdoruesit e mjeteve lundruese private duhet të marrin parasysh mungesën e shërbimeve në një pjesë të madhe të bregdetit.

Uji, ushqimi, mbrojtja nga dielli dhe një mjet komunikimi duhet të sigurohen përpara nisjes.

Strehimet natyrore nuk ofrojnë të njëjtën mbrojtje në varësi të drejtimit të erës dhe një gji i qetë në mëngjes mund të bëhet i papërshtatshëm gjatë pasdites.

Vlora, baza praktike përpara nisjes në det

Vlora shërben si pikënisje natyrore. Qyteti ofron akomodim, restorante dhe lidhje detare, ndërsa mundëson njëkohësisht akses në plazhet e gjirit.

Për një atmosferë më të lidhur me aktivitetet detare dhe një nisje më pranë Karaburunit, zona e Orikumit mund të përbëjë gjithashtu një bazë interesante.

Një ditë mjafton për të vizituar Sazanin dhe një pjesë të Karaburunit, por dy ekskursione të veçanta do t’ju lejojnë ta eksploroni zonën më qetë dhe të kaloni më shumë kohë në secilin destinacion.

Bregdeti meriton që t’i kushtohet kohë notit, relievit dhe ndryshimeve të dritës.

Si është klima në Karaburun dhe Sazan?

Shtatori mbetet i ngrohtë dhe i thatë në bregdetin shqiptar.

Deti ka akumuluar nxehtësinë e verës dhe larja në det është përgjithësisht shumë e këndshme. Dielli mbetet intensiv, veçanërisht në varka dhe pranë shkëmbinjve të çelët, të cilët reflektojnë dritën.

Erërat mund të forcohen gjatë ditës, ndërsa një episod stuhie, edhe nëse i shkurtër, mjafton për ta përkeqësuar shpejt gjendjen e detit.

Nisja herët, marrja me vete e një sasie të mjaftueshme uji dhe kontrolli i parashikimit lokal detar janë masat e duhura paraprake.

Karaburuni dhe Sazani tregojnë një Shqipëri shumë të ndryshme nga plazhet e shtrira përgjatë rrugëve.

Udhëtimi fillon vërtet kur qyteti largohet dhe bregdeti bëhet i paarritshëm përveçse nga deti.

Është pikërisht kjo shkëputje, më shumë sesa ngjyra e ujit, ajo që e bën këtë ndalesë të paharrueshme. /

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.