Leximi një herë në tre muaj, çfarë pritet të ndodhë me konsumatorin
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) propozon që leximi i matësve të energjisë për konsumatorin të bëhet një herë në tre muaj. Kjo ide ka sjellë konfuzion, pasi është një praktikë të cilën nuk e njohim dhe hamendësohet si një mundësi për mbifaturim.
Në një bisedë sqaruese me drejtoreshën e kabinetit të OSHEE, zonjën Albana Ferraj, u përpoqëm të kuptojmë se si mund të realizohet ky proces dhe cila është e mira që sjell për ne.
Propozimi ka të bëjë me pagesën çdo muaj të faturës, por me lexim të bërë një herë në tre muaj. Por si mund të realizohet kjo? Në shembujt e dhënë në mënyrë të detajuar, faturimi i muajit janar të vitit 2018, do të llogaritet mbi mesataren e konsumit të këtij muaji në tre vitet e fundit.
Po kështu do të llogaritet për të gjithë muajt. Në fund të tre muajve pasi të bëhet leximi do të paguajmë më shumë nëse është tejkaluar konsumin e përllogaritur, ose nëse është konsumuar më pak, shuma do t’u zbritet në faturën atij muaji. Formulë që e përdorin shumë vende të tjera të Europës, por me specifikat e vendit të tyre.
Natyrshëm gjatë bisedës me drejtoreshën të lind pyetja: Italia dhe faturimin e ka një herë në dy muaj, por dhe pagesa bëhet një herë në dy muaj dhe një herë në vit llogariten tepricat apo mangësitë dhe kompensohen për konsumatorin.
Pse në vendin tonë kjo skemë? “Ne e kemi kërkuar në këtë formë si shpërndarje, ndërsa sistemi i furnizimit të energjisë e kërkon faturimin çdo muaj. Pastaj vendi ynë ka specifika të tjera dhe ne po e përshtatim atë me çfarë vendi ynë ka”, thotë zonja Ferraj. Po kështu shton dhe një fakt të rëndësishëm, që ky do të jetë një projekt pilot dhe do të aplikohet së pari në Tiranë, aty ku dhe kontrolli dhe mundësia për të qenë të saktë është më e madhe.
Duke i qëndruar idesë që është një projekt pilot zonja Ferraj qartëson se e gjithë problematika që mund të dalë gjatë rrugës në raste specifike apo të përgjithshme do të reflektohet tek OSHEE dhe do të ketë një zgjidhje duke e përshtatur me konsumatorin. A është kjo një mënyrë faturimi aforfe? “Nuk është një fature aforfe, pasi konsumatori ka një sjellje të përcaktuar konsumatore e cila shprehet me konsumet mesatare të viteve pararendëse.
Rreth 90% e konsumatoreve të OSHEE-së kanë një historik konsumi me operatorin prej rreth 10 vjetësh, ndërkaq që eksperienca ka treguar që konsumi i konsumatorit familjar është në nivele të njëjta me ndryshime gjatë viteve të fundit që lindin si pasojë e punës për reduktimin e vjedhjeve që shprehet me rritje të konsumit për atë kategori konsumatori e cila ka realizuar vjedhje”, shpjegon drejtoresha e kabinetit të OSHEE-së.
Por në fund është Enti Rregullator i Energjisë ai që do e pranojë ose jo këtë mënyrë të lexuari të energjisë së konsumuar. Është sërish ky Ent që do të vendosë nëse faturimi do të jetë një herë në muaj apo tre, por kjo mënyrë sipas drejtuesve të OSHE-së do të sjellë më pak kosto për konsumatorin dhe më pak mundësi abuzimi. Për të kuptuar më mirë se si kjo skemë mund të funksionojë zonja Ferraj në intervistën për “Dita” e sjell me shembuj konkret mënyrën e llogaritjes së energjisë së konsumuar dhe se çfarë sjellë ajo për qytetarët.
Flet Albana Ferraj, Drejtoreshë e Kabinetit të OSHEE
OSHEE ka hedhur së fundi idenë e faturimit çdo tre muaj për konsumatorët familjarë. A mund ta sqaroni në një mënyrë sa më të thjeshtë si mund të funksionojë kjo skemë?
Në kuadër të ndryshimeve ligjore të parashikuara në ligjin 43/2015 dhe specifikisht
– Neni 72 pika 1 në të cilin përcaktohet që “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duhet të jetë i ndarë dhe i pavarur nga aktivitetet e tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë me shpërndarjen e energjisë elektrike. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i cili ushtron këtë funksion përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përmbush detyrimin e ndarjes, jo më vonë se data 31.12.2017”
dhe
– Neni 76 pika 1 në të cilin përcaktohet që aktiviteti i leximit të matësve realizohet nga Operatori i Shpërndarjes, duke pasur parasysh që OSHEE shpërndan energjinë elektrike në gjithë territorin e Republikës për afërsisht 1.2 milion konsumatorë.
– Për këta konsumatorë janë instaluar ndër vite (1974-2014) pajisje të matjes së energjisë induktive dhe elektronike të cilat për t’u lexuar kanë nevojë për lexim manual, duke shtypur numërimin në PDA për induktivët ose transmetimin me optical probe në PDA për elektroniket dhe;
– Leximi angazhon një forcë punëtore të konsiderueshme për realizimin e saj
dhe me synimin e rritjes se eficencës operacionale të shpërndarjes gjatë procesit të leximit dhe fokusimit në zhvillimi të proceseve të operim mirëmbajtjes së rrjeteve
– fokusimin e aktivitetit e zëvendësimit të sistemit të matjes dhe mirëmbajtjes dhe zhvillimit të rrjeteve me qëllim rritjen e cilësisë së shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike
– dhe me synimin e reduktimit të kostove për konsumatorët finale, të cilët bazuar në nenin 72 do të jenë klientë të furnizuesit, reference Seksioni 6 i ligjit 43/2015, është propozuar realizimi i leximit të matësit të konsumatorit familjar 1 herë në 3 muaj. Ky propozim nënkupton që klienti do të jetë subjekt i leximit të indeksit të matësit 4 herë në vit.
Shembull: data e leximit 31/12/2017, 31/03/2018, 30/06/2018, 31/12/2018
Diferenca midis indeksit të leximit të matësit llogaritet indeksi i datës 31/03/2018 minus indeksi i datës 31/12/2017 dhe përbën konsumin e lexuar për tremujorin janar – mars 2018.
Flisni për mesatare të llogaritur të konsumit. A nuk është kjo një mundësi për mbifaturim dhe abuzim për qytetarët?
Mesatarja e konsumit në baza mujore llogaritet bazuar në konsumet e 3 viteve pararendëse për të njëjtën periudhe objekt faturimi.
Shembull: llogaritja e konsumit mesatar për muajin janar 2018
Klienti gjatë muajit janar 2017 ka një konsum të matur 255 kwh, janar 2016 245 kwh, janar 2015 175 kwh, mesatarja llogaritet për faturim = (255+245+175)/3= 225 kwh, formulë kjo automatike e aplikueshme për të gjithë konsumatorët.
Pra në muajin janar 2017 do të faturohet me konsum të llogaritur me 225 kwh.
Vijojmë shembullin
Supozojmë që konsumi i llogaritur në muajin shkurt 2018 është 215 kwh
Në 31 mars 2018 indeksi i matësit është 5725 dhe në 31/12/2017 është 5125 kwh atëherë konsumi i lexuar është 5725-5125 = 600 kwh.
Klienti gjatë muajt janar dhe shkurt është faturuar për një konsum të llogaritur: 225 +215= 440 kwh (fatura këto që paguhen normalisht nga klienti)
Konsumi i rakorduar i faturueshëm për muajin mars është: 600-440 = 160 kwh (sasi kjo që shpreh dhe tendencën e konsumeve në sezonin janar-mars).
Mundësia e abuzimit në këtë rast si pasojë e mbifaturimit është e reduktuar për shkak se:
– po riorganizohet mënyra e funksionimit në territor duke ngritur ekipe përgjegjës në nivel fideri/kabine;
– lexuesi do të ketë një ngarkese ditore mbi bazën e të cilës gabimi njerëzor do të jetë i minimizuar;
– matja e performancës individuale si pasojë e organizimit në nivel fideri: do të përfshijë tregues shtesë bazuar në ndarjen e aktiviteteve që realizohen për llogari të furnizuesit nga ekipet në terren, përmendim: realizimi i kërkesave lidhje të reja, realizimi i kërkesave për pezullime/riaktivizime kontratash, verifikim sistemi i matjes, ndërprerje debitore/rilidhje debitore etj., veprimtari të cilat do të rregullohen midis palëve shpërndarje dhe furnizues bazuar në kërkesat ligjore dhe marrëveshjeve të miratuara nga ERE në të ardhmen;
– realizimi i planit të zëvendësimit të inventarit të matësve induktive dhe elektronike të cilët nuk mund të përdoren për veprimtari automatike, domethënë leximi elektronik (me optical probe);
– vijimi i investimeve në teknologjinë e informacionit për leximin;
– përfundimi i përditësimit të të dhënave të konsumatorëve, projekti “çdo banor një adresë” i Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me OSHEE do të ofrojë një siguri në lidhje me:
o ekzistencën e konsumatorit
o numrin e kontratave që furnizojnë në datën e vizitës
o të dhënat teknike të matësit
o fuqitë e instaluara në objekt
o personat që realisht banojnë në një objekt të caktuar
o statusi i personave: kategoritë në nevojë.
Gjithashtu sipas jush kjo sjell më pak shkak për abuzim nga faturuesit. Por a nuk është kjo si një faturë aforfe dhe mbetje më shumë nëpër zyrat e OSHEE-së kur vihet re mbifaturim? Pra si do të bëhet kompensimi, çfarë procedurash do të ndiqen?
Kjo mënyrë e re do të reduktojë gabimet me dashje ose pa dashje të punonjësve ashtu siç u shpjegua edhe më lart, në sajë të një kombinimi masash.
Nuk është një fature aforfe, pasi konsumatori ka një sjellje të përcaktuar konsumatore e cila shprehet me konsumet mesatare të viteve pararendëse. Rreth 90% e konsumatoreve të OSHEE-së kanë një historik konsumi me operatorin prej rreth 10 vjetësh, ndërkaq që eksperienca ka treguar që konsumi i konsumatorit familjar është në nivele të njëjta me ndryshime gjatë viteve të fundit që lindin si pasojë e punës për reduktimin e vjedhjeve që shprehet me rritje të konsumit për atë kategori konsumatori e cila ka realizuar vjedhje.
Në lidhje me procedurat e aplikueshme për kompensim do të zbatohen eksperiencat e përdorura gjerë në vendet europiane dhe që janë objekt i vendimmarrjes nga ERE gjatë procesit të konsultimit të propozimit për këtë mënyrë leximi.
Në referim të shembullit me lart: Në rast se në 31 mars 2018 indeksi i matësit është 5525 dhe në 31/12/2017 është 5125 kwh, atëherë konsumi i lexuar është 5525-5125 = 400 kwh
Klienti gjatë muajt janar dhe shkurt është faturuar për një konsum të llogaritur = 225 +215= 440 kwh (fatura këto që paguhen normalisht nga klienti).
Konsumi i rakorduar i faturueshëm për muajin mars është = 400-440 = -40 kwh sasi kjo e faturuar më shumë. Në këtë rast vlera monetare e paguar në lek më tepër për 40 kwh në faturën e muajit mars 2018 do të rezultojë si teprice kreditore për konsumin e faturueshëm të muajit prill 2018.
Nënvizojmë që së bashku me kërkesën për leximin njëherë në 3 muaj është kërkuar dhe detyrimi për konsumatorin për depozitimin e informacionit personal bazuar në ndryshimet demografike të njësisë familjare ( Identik me formularin e përditësimit që po realizojmë tani) me qëllim që të kemi disa lloje informacionesh në dispozicion për konsumatorin dhe sjelljen e tij ndaj konsumit të energjisë.
Cilat janë vendet që e aplikojnë këtë mënyrë faturimi dhe a jemi në gati për një sistem të tillë?
Janë tërësisht të gjitha vendet europiane por në veçanti nënvizojmë Italia, Spanja, Gjermania, Portugalia, Çekia dhe Polonia në shërbimet e energjisë, ujit dhe gazit.
Mos harrojmë që leximi i matësit mbart kosto që lidhen me:
– punonjësin që realizon leximin (matës tradicional)
– transmetim të dhënash në rastet e matëseve smart të cilat ngarkohen në çmimet finale të shitjes. Realizimi periodik i leximit redukton kostot finale të konsumatorit dhe rrit kënaqësinë e këtij të fundit.
Matësit elektronikë çfarë veçorish do të kenë dhe ku do të jenë të vendosur? Pra do të jenë në gjithë territorin e vendit apo pjesë e një projekti pilot?
Matësit e instaluar nga OSHEE gjatë periudhës 2015-2017 janë matës elektronik të cilët komunikojnë me pajisjet e transmetimit të të dhënave me ane të portave të brendshme optike. Numri i matësve të instaluar gjate kësaj periudhe është rreth 150 mijë.
OSHEE po punon për zëvendësimin e inventarit të matësve të saj pasi është i përbërë nga matës induktive dhe elektronike të cilët kanë një teknologji që sot nuk asistohet nga asnjë kompani. Këto investime po realizohen me fondet e OSHEE-së dhe të Bankës Botërore. Ky zëvendësim po realizohet në kuadër të strategjisë së zëvendësimit të matësve e cila fokusohet në demontimin e matësve më të vjetër.
Ndërkaq që po vlerësohen serish teknologjitë e matëseve elektronikë smart të cilët nuk kanë nevojë për kontakt fizik me pajisje të tjera me qëllim transmetimin e të dhënave, por e realizojnë direkt.
Cila është e mira që sjellin këta matës dhe a mund të funksionojë në vendin tonë në mënyrën si ju e paraqitni?
Matësit elektronik funksionojnë normalisht dhe përmbajnë të dhënat e leximeve të energjisë aktive, energjisë pik dhe energjisë reaktive.
Ajo çka ne synojnë është kalimi në teknologjinë smart me qëllim realizimin e proceseve automatike nga zyra:
– të leximit
– të ndërprerjes dhe rilidhjes për debitorë
– aktivizim/pezullim sipas kërkesave
– kontrolle të sistemit të tensionit të ulët për vjedhje të energjisë elektrike.