Lindorët nuk duan refugjatët
Robert Fico u shfaq që në fillim si një prej kundërshtarëve kryesorë të pranimit të emigrantëve që vërshuan këtë vit në Kontinentin e Vjetër si kurrë më parë.
Megjithatë, pas ngjarjeve të Këlnit, pretendimet e tij se kultura evropiane e mirëseardhjes është një dështim i vërtetë, kanë marrë tjetër peshë. Kryeministri sllovak jo vetëm që nuk ka ndërmend t’ia hapë të ardhurve dyert e vendit të tij, por as nuk do të dorëzojë më fonde për krizën humanitare të refugjatëve.
“Ndihmat financiare për zgjidhjen e problemit të këtyre njerëzve ne do t’i riorientojmë në drejtim të mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Shengenit. Vetëm kështu mund të ndalen karvanet e pakontrolluara të refugjatëve”, deklaroi Fico. Dhe ky reagim ekstrem vjen nga një vend ku në vitin 2015 nuk aplikuan për azil veçse 169 vetë, nga të cilët u pranuan vetëm 8. Sesa prej këtyre të tetëve ishin myslimanë, kjo nuk dihet.
Incidentet e Këlnit, bashkë me ato të Hamburgut e disa qyteteve të tjera gjermane, sipas të dhënave të fundit të policisë ishin të organizuara. Kështu besohet të kenë qenë edhe ngacmimet e regjistruara në Finlandë e në Zvicër, ndonëse në numër mjaft më të vogël se ato të Gjermanisë. Qeveritë e Evropës qendrore e lindore që i bënë rezistencë të ashpër politikës së pranimit, tani thonë se patën të drejtë.
Për kryeministren polake Beata Szydlo, ajo çfarë ndodhi në Gjermani “tregon se problemet janë më serioze sesa duan të besojnë udhëheqësit evropianë”.
Viktor Orbani i Hungarisë ka qenë mëse i qartë që në fillim. Ai sllovak gjithashtu e në Çeki, kundër refugjatëve janë shprehur pa reshtur jo vetëm kreu aktual i ekzekutivit, Milos Zeman, por edhe një figurë e rëndësishme në skenën politike të vendit, ish-presidenti Vaclav Klaus. Zeman shkon deri aty sa të flasë për komplote. Sipas tij, Vëllazëria Myslimane po përgatit një pushtim me qëllimin të kontrollojë hap pas hapi Evropën.