LSI sulmon Ramën: ‘Rilindja’, ndërmarrja më e madhe e drogës në Europë
Deputetja e LSI-së, Silva Caka ka sulmuar hapur kryeministrin Rama, duke e akuzuar se po tenton të manipulojë zgjedhjet.
Në një deklaratë për shty, Caka ka thënë se Rama ka injoruar gratë socialiste, duke fshirë nga lista e kandidatëve për deputet njerëz me vlera dhe virtyte.
Ajo tha se Rama është në panik për shkak të mbështetjes që LSI ka në të gjithë vendin.
Nga selia e LSI-së, Silva Caka kandidate për deputete në qarkun e Beratit iu përgjigj ashpër kryeministrit Rama i cili nga Berati deklaroi dje se LSI heq gratë socialiste nga puna.
“Gratë PS më shumë se çdo kush i ka injoruar me mosmirënjohjen e tij dhe arrogancën, duke i zëvendësuar kudo me vajzat e korridoreve të rilindjes. Edhe pak gra me vlera socialiste e vlera të së majtës u fshinë pabesisht nga listat për deputete të PS-së duke u zëvendësuar nga vajzat e korridoreve të rilindjes dhe biznesmenëve tenderxhinj”, tha Caka.
Deputetja e LSI-së hodhi akuza të ashpra për kanabizimin e vendit. “Pasi gënjeu socialistët duke u thënë se nuk e ka fajin zullumi i tij me pushtetin, por na e paska fajin LSI-ja që është në koalicion. Kjo alibi e tij është e mjerë dhe e pashpresë. Problemi i tij është se është tmerruar nga vota e lirë. Ai nuk pranoi zgjedhje me Ben Blushin dhe jo më me gjithë aktorët në garë”,- tha Caka.
“Ai është i tmerruar nga zgjedhjet e lira dhe vota e lirë. Ai ishte njeriu më i frikësuar të bënte zgjedhje brenda Partisë Socialiste, me rival Ben Blushin, e jo më të pranojë zgjedhje të lira dhe me gjithë aktorët e përfshirë në garë. Ai bëri çdo përpjekje që opozita të mos hynte në zgjedhje me qëllimi shkatërrimin e opozitës dhe manipulimit të zgjedhjeve përmes përdorimit të segmenteve të policisë të lidhur me grupet kriminale të drogës. Ai ‘Rilindjen’ e tij e ktheu në ndërmarrjen më të madhe të drogës në Europë”, nënvizoi Caka.
Një ditë më parë, nga Berati, Rama tha se kishte heshtur për largimet nga puna që bëri LSI, për të mbajtur të fortë koalicionin drejt realizimit të reformave.