Opinion

Lufta hibride e Rusisë nuk ka lidhje me lirinë e shtypit

Sovraniteti i një shteti brenda kufijve të tij shtetërorë nuk mund të jetë objekt as i ndërhyrjes dhe as i kritikës nga fuqi, të cilat i shkelin kufijtë e këtij sovraniteti. Ndaj mund të cilësohet si sjellje arrogante dhe ndërhyrje në punët e brendshme deklarata e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e cila në 15 prill bëri një protestë zyrtare, pse Turqia bllokoi uebsajtin e agjencisë shtetërore ruse të informacionit “Sputnik”.

Nga SHABAN MURATI

Ministria e Jashtme ruse e sulmoi veprimin e autoriteteve turke si shkelje e të drejtave të njeriut dhe e lirisë së shtypit. Pas kësaj, e gjithë makina propagandistike ruse për jashtë nisi një fushatë për këtë “akt të shkeljes së lirisë së shtypit në Turqi”, pse autoritetet turke bllokuan në 14 prill uebsajtin e një agjencie, e cila është flamurmbajtësja e dezinformacionit rus në arenën ndërkombëtare. Nuk është hera e parë e një reagimi disproporcional diplomatik rus në marrëdhëniet me shtetet e tjera.
Është një praktikë politike e qeverisë dhe e diplomacisë ruse, që e konsiderojnë të drejtë ndërhyrjen e tyre në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha hapësirat e sovranitetit të një shteti tjetër. Para Turqisë, adresën e “Sputnikut” të dezinformimit e bllokoi qeveria letoneze, e cila bllokoi edhe stacionin televiziv rus “Rossija RTR”. Në datën 8 prill 2016, Ministria e Jashtme e Rusisë lëshoi një komunikatë tjetër proteste kundër Letonisë, duke deklaruar se “politika e ndjekur nga autoritetet e Letonisë për censurën totale të mediave në gjuhën ruse është në kundërshtim me angazhimet për vlerat europiane dhe nuk mund të shihet ndryshe veçse si mospërfillje për parimet bazë të lirisë së shprehjes dhe të shtypit”.
Ka një sensibilizim të madh në vendet europiane lidhur me rrezikshmërinë, që paraqet për interesat kombëtare dhe për stabilitetin e atyre vendeve lufta propagandistike e paparë, që Rusia po zhvillon në adresë të tyre. Jo vetëm Letonia dhe Turqia, por edhe Lituania ndaloi para disa kohësh stacionin televiziv rus “RTR Planeta”, me motivacionin “Për nxitjen e trazirave, sjellje agresive dhe informacione tendencioze”.
Në vend që të ndalen dhe të analizojnë shkaqet se përse shtetet e ndryshme europiane po kundërveprojnë ndaj veprimtarisë propagandistike të përqendruar të Rusisë në drejtim të atyre vendeve, diplomacia dhe qeveria ruse marrin përsipër të vetëshpallen gardiane të “vlerave europiane” të lirisë së shprehjes dhe të shtypit. Madje diversionin dhe provokimet e saj propagandistike brenda kufijve të shteteve të tjera, Moska i konsideron si të drejta të saj legjitime mbi hapësirat e sovranitetit të tyre shtetëror dhe kombëtar. Natyrisht, veprimi i autoriteteve turke, letoneze, lituaneze apo ukrainase, është konform legjislacionit të tyre dhe brenda detyrës dhe mandatit zyrtar për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, të rendit shoqëror dhe të neutralizimit të veprimtarive ekstremiste apo terroriste, të nxitur nga propaganda armiqësore të jashtme. Është e drejta e legjislacionit kombëtar të secilit shtet sovran të bllokojë dhe të ndalojë çdo rrjet, kanal, instrument dhe veprimtari informative të shteteve dhe të forcave, që zhvillojnë politika armiqësore ndaj sovranitetit të tij.
Në rastin e Rusisë kemi të bëjmë me një luftë hibride të pashpallur të saj ndaj shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Agjencia Rojter shkruante para pak kohësh se “NATO dhe BE janë të shqetësuar nga kapacitetet e Rusisë për të përdorur televizionin dhe internetin për të projektuar dezinformimin”. Kjo luftë hibride, e cila mund të thuhet se u përurua me rastin e përgatitjes dhe gjatë agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe aneksimit të dhunshëm të territorit ukrainas të Krimesë, ka marrë një intensitet të madh në gjithë harkun strategjik veri-jug të krahut lindor të aleancës atlantike. Rusia po zhvillon një luftë intensive psikologjike dhe propagandistike kundër gjithë shteteve europiane të krahut lindor të aleancës atlantike, që nga shtetet pribaltike e deri në Turqi. Lufta hibride është një luftë komplekse propagandistike, informative, psikologjike, përmes mediave, internetit, përfshirë uebsajtet, sulmet kibernetike, mbledhjen e informacioneve, shpërndarjen e komanduar të viruseve, organizimin e ekipeve të hakerave të profilizuar për shtete dhe grupe shtetesh, që Rusia i konsideron rivalë ose pengesa, lufta e organizuar në komentet dhe në blogjet në internet për përhapjen e qëndrimeve dhe politikave proruse, si dhe përdorimi i mjeteve më moderne të komunikimit masiv për të manipuluar opinionin publik të vendeve të tjera. Është një veprimtari e madhe dezinformimi, nëpërmjet së cilës Rusia përpiqet të çorientojë opinionin publik në vende të ndryshme, ta kundërvërë atë me qeveritë, që nuk i pëlqejnë Moskës, dhe të krijojë trazira e turbullira dhe konflikte sociale, etnike, fetare, nacionale etj. në shtete të ndryshme. Turqia gjatë tetë muajve të fundit ka qenë një nga objektivat më të përqendruar të sulmeve frenetike dhe sistematike informative, psikologjike e propagandistike, nga ana e makinës së stërmadhe ruse të dezinformimit dhe të propagandës për jashtë. Ka vend për të hulumtuar pse kjo përkon me një intensifikim të atentateve terroriste në Turqi dhe të veprimtarisë kriminale të organizatave terroriste si PKK.
Në një situatë të tillë të luftës speciale psikologjike të Rusisë kundër një shteti anëtar të NATO-s si Turqia, është e logjikshme dhe e ligjshme, që autoritetet turke të bëjnë detyrën e tyre ligjore për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të kohezionit kombëtar e social brenda vendit dhe për neutralizimin e çdo diversioni dhe mjeteve të presionit nga jashtë, siç është ai rus. Është e qartë se lufta hibride ruse kundër Turqisë, Letonisë, Lituanisë, Estonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë etj. nuk ka asnjë lidhje me lirinë e shtypit. Ministria e Jashtme e Rusisë duhet ta kërkojë dhe të shqetësohet për lirinë e shtypit rus në Rusi, dhe jo në Turqi apo në Letoni. Liria e shtypit është parametër shoqëror dhe kombëtar, dhe nuk ka të bëjë me përdorimin e propagandës dhe të mjeteve ruse të informacionit si instrumente të presionit, të ndërhyrjes dhe të influencës së Rusisë në vendet e tjera. Liria e shtypit është liria që duhet të gëzojë pluralizmi i mendimeve, i opinioneve dhe i shprehjes brenda një shoqërie dhe brenda një shteti. Nuk është liri shtypi të lejosh sputnikët e dezinformimit dhe të shpifjes të rrotullohen lirisht në hapësirën sovrane të informimit të shteteve të tjera. Agresioni ideologjik dhe psikologjik i një shteti armiqësor ndaj interesave kombëtare dhe stabilitetit të vendit nuk është dhe nuk mund të jetë as pjesë dhe as element i pluralizmit. Alibia, që pretendon diplomacia ruse, që nën etiketën e lirisë së shtypit të lejohet veprimtaria diversioniste informative dhe dezinformative e institucioneve zyrtare ruse, është qartësisht e komprometuar.
Qeveritë dhe institucionet e shteteve sovrane e kanë për detyrë të ruajnë hapësirën informative të shoqërisë dhe të shtetit nga veprimtaria negative e instrumenteve të shteteve jomiqësore, që synojnë të krijojnë trazira dhe të denigrojnë imazhin kombëtar të shtetit nëpër botë. Ruajtja e higjienës informative kërkon marrjen e masave profilaktike, që bllokojnë skema dhe veprimtari armiqësore ndaj shtetit dhe ndërgjegjes kombëtare. Higjiena informative është pjesë e pandarë e ruajtjes së sigurisë kombëtare dhe e interesave kombëtare. Përballë një shteti agresiv dhe tepër kërcënues si Rusia, i cili sapo ka ndërmarrë operacionin e ndryshimit me dhunë të kufijve të një shteti europian dhe ka pushtuar territore të tij, përballë një shteti agresiv që për herë të parë në histori dislokon forcat e veta ushtarake në Siri dhe merr pjesë ushtarakisht në luftën civile atje në mbrojtje të regjimit gjakatar të Asadit, përballë një shteti agresiv, i cili ka dy vjet që po provokon shtetet europiane me shkelje të stërpërsëritura të hapësirave ajrore e detare dhe me një veprimtari marramendëse armiqësore propagandistike, është e logjikshme të merren masa adekuati mbrojtjeje.
Ironia është se Rusia kërkon ta maskojë këtë luftë hibride dhe këtë diversion propagandistik ndaj shteteve të tjera me pretendimin se po mbron “vlerat europiane dhe lirinë e shtypit dhe të shprehjes”, në një kohë që është shteti etalon i shkeljes së demokracisë dhe i mosrespektimit të lirisë së shtypit dhe të shprehjes. Rusia, e cila po ngre gjithë këtë zhurmë diplomatike për bllokimin e uebsajtit të Sputnikut të dezinformacionit, është shteti që ka mbyllur me dhjetëra e qindra uebsajte dhe portale. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2014, qeveria ruse bllokoi më shumë se 85 uebsajte. Nga nëntori i vitit 2012 deri në mars të vitit 2015, institucioni i frikshëm i censurës dhe i kontrollit qeveritar mbi informacionin, Roskomnadzor, ka bllokuar 52 mijë faqe uebsajti. Qeveria ruse ka bllokuar ‘Wikipedia’, ‘Facebook’, ‘Live Journal’, ‘Twitter’, ‘Youtube’, ‘Vimeo’, ‘Reddit’ dhe ‘Vkontakte’. Në vitin 2014, në Rusi hyri në fuqi ligji nr. 398, i nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, në bazë të të cilit Prokuroria e Përgjithshme merr kompetencën që, duke kapërcyer çdo lloj institucioni gjyqësor, të bllokojë uebsajtet, të cilat sipas saj bëjnë thirrje për trazira, aktivitete ekstremiste apo për pjesëmarrje në mbledhje të paligjshme. Në këtë kuadër është organizuar një fushatë e gjerë represive ndaj opozitës dhe ndaj mediave dhe portaleve të opozitës dhe janë mbyllur zëra opozitare si Grani.ru, Kasparov.ru, revista online “Jezhednjevnij Zhurnal” etj. Në maj të vitit 2014, presidenti Vladimir Putin nënshkroi ligjin nr.98, sipas të cilit, çdo blog ose uebsajt i cili ka më shumë se 3 mijë vizitorë në ditë, duhet të regjistrohet në entin shtetëror si organ shtypi, me të gjitha detyrimet dhe kontrollet përkatëse. Rusia është shteti që ka refuzuar të pranojë dhe të nënshkruajë “Konventën Europiane për Krimin Kibernetik”, të vitit 2001, e nënshkruar nga 50 shtete, dhe që është traktati i parë ndërkombëtar i luftës kundër krimeve në internet dhe në kompjuter.
Në botën e sotme të teknologjisë së avancuar të informacionit, përplasjet politike, gjeopolitike, diplomatike dhe strategjike bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Rusia është shteti, i cili shpenzon për luftën psikologjike dhe propagandistike shifra astronomike, sepse vazhdon traditën e vjetër sovjetike të dezinformimit si instrument diplomatik, për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve dhe për të siguruar kështu mbështetje ndërkombëtare për ambiciet e mëdha të presidentit Putin për ringjalljen e Rusisë si superfuqi botërore.
Lufta hibride e Rusisë është pararoja e rreziqeve të reja, që u kanosen vendeve të lira dhe sovrane në Europë. Është naive, për të mos thënë është implikim, çdo përpjekje për të lejuar këtë luftë nën maskën e lirisë së shtypit. Mund të cilësohet antikombëtare, vala e mjerë e klakerëve prorusë në disa media e portale në Shqipëri, të cilat brenda minutës sifonojnë me porosi qëndrimet dhe strategjinë antiatlantike dhe antiperëndimore të diplomacisë dhe të qeverisë ruse në Shqipëri. Liria e shtypit e mediave ruse duhet të kërkohet në Rusi dhe jo në Turqi. Çdo shtet ka sovranitetin e vet dhe duhet ta mbrojë atë nga veprimtari jomiqësore, si ajo e makinës propagandistike ruse për jashtë.
Në këtë kontekst, opinioni publik shqiptar nuk duhet të bëhet pre e idiotëve të dobishëm të Rusisë në Tiranë, të cilët si me urdhër nisën të fryjnë tezat e Ministrisë së Jashtme ruse se po shkelet liria e shtypit rus në Turqi, pse është bllokuar një uebsajt shtetëror rus i dezinformimit. Autoritete zyrtare shqiptare duhet të mësojnë nga përvojat e shteteve si Turqia, Lituania, Letonia, Estonia, Ukraina etj. për ruajtjen e higjienës informative kombëtare përballë ndotjes antishqiptare propagandistike, që Rusia shpërndan me mjetet e saj të propagandës për jashtë. Në këtë kuadër duket se ka ardhur koha, që autoritetet zyrtare të shohin mundësinë dhe mënyrat e bllokimit të kanaleve dhe të rrjeteve dezinformative ruse në paketat televizive dhe në rrjetet e internetit që janë në përdorim në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button