Kronika

Lufta kundër kancerit të gjirit, Rama: Beteja ndaj sëmundjes fitohet me depistimin

Kryeministri Rama

IMG_1900

Ky ishte mesazhi që kryeministri Edi Rama përcolli sot gjatë punimeve të konferencës së dytë ndërkombëtare “Te bashkuar kundër kancerit të gjirit”, që po zhvillohet në ambientet e hotel “Sheraton”.
“Kanceri i gjirit është një plagë shumë e thellë dhe beteja ndaj kësaj sëmundje fitohet me anë të depistimit ose kapjen e hershme dhe çdo grua duhet të tregojë kujdes duke i kryer në kohë kontrollet. Nismat shoqërore kundër kancerit të gjirit duhet të jenë edhe më të shumta, pasi vetëm kështu do të mund të përhapet më shumë informacion për këtë sëmundje dhe të rritet ndërgjegjësimi për kryerjen e kontrolleve”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje angazhimin e ministrisë së Shëndetësisë gjatë muajit tetor, i cili ka sjellë rezultatet pozitive. “Nga 1 deri në 15 tetor janë kryer 85% e ekzaminimeve, që janë kryer nga 1 janari deri më 30 shtator”, u shpreh kryeministri.
Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, u ndal tek bashkëpunimi i dy vendeve tona edhe në fushën e shëndetësisë. Duke folur për rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit ndaj kësaj sëmundje, ambasadori Gaiani e vuri theksin tek rëndësia që duhet t’i jepet projekteve të parandalimit të këtij kanceri.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të siguruar mbulim universal. Ai tha se mamografia falas që ofrohet përgjatë muajit tetor për të gjitha gratë, do të vijojë edhe gjatë nëntorit derisa t’i nënshtrohen kontrollit të gjitha ato gra që janë regjistruar në listat e pritjes. Beqaj tha se është dyfishuar buxheti për barnat citostatikë, ndërsa spitalet janë furnizuar me medikamente që e luftojnë këtë sëmundje, e cila është shkaktar i vdekjeve në moshë të re.
Në konferencën e dytë “Te bashkuar kundër kancerit të gjirit” marrin pjesë profesorë të shquar italianë të shkencave mjekësore, qe do të shpalosin të rejat më të fundit të mjekësisë për kurimin e kancerit të gjirit, por dhe për rëndësinë e informimit të gruas për parandalimin e kësaj sëmundje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button