Ekonomia

Malaj: Gjobat për bizneset, të respektohet ndarja e pushteteve; të vlerësohet nëse bien ndesh me kushtetutën

b“Në ndryshimet e fundit në legjislacionin e procedurave tatimore, qeveria nuk ka respektuar ndarjen e pushteteve, çka do të thotë që denimet penale i jep vetëm gjyqesori. Gjoba 10 milion leke e pa lidhur me masën e dëmit të shkaktuar është në thelb dënim penal”, pohon prof.Arben Malaj, ish ministër I financave dhe president I IPPM (Instituti për Politikat Publike dhe Qeverisjen e Mirë. Reagimi i Malajt vjen pasi qeveria ka ndryshuar ligjin për procedurat tatimore, ndryshime që hyjnë në fuqi në 12 nëntor, të cilat ashpërsojnë ndjeshëm masat ndëshkimore ndaj bizneseve. Njëkohësisht Komisioni I Ekonomisë po shqyrton dhe disa ndryshime në Kodin penal, që parashikojnë dënime penale për bizneset në rast contraband, evazioni etj.

Ndër masat kryesore që forcohen ne Ligjin e Procedurave janë:

-10-fishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësish për biznesin e vogël, në 500 mijë lekë;

-gjobë 500 mijë lekë dhe kallëzim penal për mosdeklarim real të pagës;

-gjobë 500 mijë lekë për mosdeklarim adrese;

-e drejta për të mos paguar nëse nuk merr faturën;

-ndalimi i shumicës për të shitur mallra tek individët; konfiskim i deri në 50% të xhiros nëse ke detyrime

– gjobë 10 milionë lekë për tregtuesit e shumicës, që tregtojnë mallin pa dokumente tatimore

-Moslëshimi i kuponit, gjoba për biznesin e vogël 10-fishohet nga 50 mijë në 500 mijë lekë

Malaj pohon se është konsultuar me juristët, të cilët ishin dakort me këtë parim të rëndesishëm të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve. “Dihet që kontrollli i parë i çdo drafti ligjor është kushtetueshmëria e tij, pra a bie ai ndesh me kushtetuten e vendit tënd, ku përfshihen edhe vendimet e gjykatës kushtetuese ???”, ngre pikëpyetje Malaj.

Edhe Ardjana Shehi, avokate Kalo&Associates, në një prononcim për Monitor ka argumentuar se “Ajo që mund të vihet re lehtësisht në dispozitat e ndryshuara që kanë të bëjnë me masat ndëshkimore përkatëse është mosrespektimi i parimit kushtetues të proporcionalitetit në ndëshkimet administrative dhe ato penale, si dhe mbizotërimi i funksionit ndëshkues të këtyre masave”.

Malaj propozon, që “duke qenë se ligji i ri qe ka shkelje të të drejtave kushtetuese hyn në fuqi në datë 12 nëntor, duhet që vetë qeveria me akt normativ të bej ndryshimet përkatese, të respektoj ndarjen e pshteteve në dhënien e dënime dhe ti miratoj ato sa më parë në parlament”. Kjo e ndihmon qeverinë të fitojë kredibilitetin e duhur publik per të qeverisur vendin. Po kështu duhen parë me shumë kujdes të gjitha ndryshimet në legjislacionin penal, të cilat priten te miratohen këtë javë. Malaj shton se qeverisja antikushtetuese është jo patriotike dhe e dëmshme, aq më shumë për një vend që është qeverisur më shumë me dorë të fortë se sa me institucione të forta. “Vendet janë zhvilluar jo nga qeverisja me dorë të fortë por nga insitucionet të bazuara ne shtetin ligjor ku ndarja , balanca dhe kontrolli i pushteteve është elementi thelbësor që ndan modelet e qeverisjes së tyre”. “Zhgënjimet sociale konsiderohen sot burimi kryesor jo vetem i emigrimeve por sidomos i populizmit dhe radikalizimeve sociale e politike”. Malaj sjell dhe një rast të një vendimi të te gjykates kushtetuese te vitit 1997, që qartëson pikërisht këtë parim të rëndësishëm kushtetues, si më poshtë.

Vendimi nr.13, datë 29.05.1997

(V – 13/97)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Manol Konomi, Veli Budo, Halil Kopani, Kristofor Peçi, Alfred Karamuço, Zija Vuci – relator i çështjes,

(…)

në datë 31.03.1997 mori në shqyrtim me nismën e saj, në seancë gjyqësore çështjen me objekt: “Shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr.8175, datë 23.12.1996 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”; të ligjeve nr.8180 dhe nr.8181, datë 23.12.1996 “Për një ndryshim respektivisht në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin e Procedurës Civile””.

(…)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, njëzëri, vendosi: “Të shpallë të papajtueshme me Kushtetutën të neneve 1, 2 e 26 paragrafi i dytë dhe të sanksioneve nenet 5, 7 deri 10, 12, 13, 14 paragrafi i dytë, 15 deri 22, 23 paragrafi i parë, 24, 25 dhe 26 paragrafi i parë të ligjit nr.8175, datë 23.12.1996 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”.

Kuvendi Popullor detyrohet të rregullojë sanksionet e neneve 22 paragrafi i dytë e 23 paragrafi i dytë, pjesën e fundit të nenit 27, paragrafi i dytë i nenit 29 dhe neni 41.

Veçimin e çështjes për nenin 43 të ligjit nr.8175, datë 23.12.1996 dhe për ligjet nr.8180 e nr.8181, datë 23.12.1996 për një ndryshim, respektivisht në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin e Procedurës Civile.

Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të sanksioneve dhe dispozitave të shfuqizuara”.

(…)

Duke arsyetuar:

Gjykata Kushtetuese me vendim paraprak është shprehur se Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk legjitimohet të vejë në lëvizje Gjykatën për papajtueshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, për arsye se ky komitet nuk përfshihet në subjektet që kanë të drejtë të bëjnë kërkesë sipas nenit 25 paragrafi i dytë i ligjit kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992. Por, duke çmuar rëndësinë e çështjeve të ngritura nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe duke parashikuar pasojat që mund të vijnë nga zbatimi i një pjese të normave penale të ndryshuara, Gjykata e ka çmuar me vend që në bazë të nenit 25 të ligjit kushtetues të sipërpërmendur, t’i marrë në shqyrtim ato me nismën e saj.

Çështjet e ngritura nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe të marra në shqyrtim nga Gjykata me nismën e vet janë:

  1. Me ligjin nr.8175, datë 23.12.1996 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, për veprat penale të parashikuara nga nenet 5, 7-10, 12-14/2, 15-23/1, 24, 28-34, 37-40, janë caktuar sanksione (dënime) fikse. Me këtë sistem nuk merren parasysh kërkesat e një sërë dispozitash të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal dhe roli i mbrojtjes mbetet pakuptim e paefekt, pasi masa e dënimit është caktuar nga vetë ligjvënësi.
  2. Përmbajtja e nenit 43 të ligjit nr.8175, të sipërpërmendur, bie ndesh me nenet 255 e 258 të Kodit të Procedurës Penale dhe me nenin 5 të ligjit kushtetues për “Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut”.
  3. Ligjet nr.8180 dhe nr.8181, datë 27.12.1996 “Për një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale dhe të Procedurës Civile”, që i njohin të drejtën Prokurorit të Përgjithshëm të ushtrojë rekurs në interes të ligjit, bien ndesh me nenin 13 të ligjit kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992.

Gjykata çmon se parashikimi i sanksioneve (dënimeve) fikse në normat e sipërpërmendura të ligjit nr.8175, bie ndesh me një sërë parimesh (dispozitash) të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal, sidomos për mënyrën e caktimit të dënimit, për rrethanat lehtësuese e rënduese (nenet 47-50), të cilat kur konkurrojnë, vlejnë, papërjashtim, për çdo vepër penale.

Sanksionet fikse eleminojnë mbrojtjen përsa i përket përcaktimit të shkallës së rrezikshmërisë së veprës së kryer e të autorit të saj dhe gjykatës i heqin mundësinë e individualizimit të dënimit, duke cunguar kështu funksionin e saj në dhënien e drejtësisë.

Si rrjedhojë, me sanksionet fikse cenohen të drejtat themelore të njeriut, të garantuara me parimet kushtetuese për një proces të rregullt ligjor dhe për një gjykim të drejtë (nenet 38 e 40 të ligjit kushtetues nr.7692, datë 31.03.1993 për “Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut”) dhe si të tilla duhet të shfuqizohen.

Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimit të ligjit nr.8175, datë 27.12.1996 ka konstatuar edhe norma të tjera të Pjesës së Posaçme si dhe norma të Pjesës së Përgjithshme që janë antikushtetuese.

Kështu, me nenet 25 e 26 paragrafi i parë, që zëvendësojnë normat përkatëse të Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, është parashikuar vetëm minimumi i dënimit me burgim, por jo edhe maksimumi i posaçëm i tij. Këto morma parashikojnë vepra penale pa ndonjë rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe ligjvënësi, duke mos parashikuar për to maksimumin e posaçëm, i ka kategorizuar objektivisht në nivelin e normave për vepra penale me rrezikshmëri më të theksuar, për të cilat maksimumi i dënimit është 25 vjet burgim. Veç sa sipër në paragrafin e parë të nenit 26 është parashikuar zbatimi i njëhershëm i dy dënimeve kryesore (me burgim dhe me gjobë).

Në këtë mënyrë krijohet mundësia për shpërpjestim të dukshëm ndërmjet masës së dënimit dhe rrezikshmërisë së veprës e të personit, duke u cenuar kështu garancia kushtetuese për një gjykim të drejtë (neni 40 paragrafi i parë i ligjit kushtetues për “Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut”).

Ligji në fjalë përmban edhe norma të tjera, sanksionet e të cilave nuk parashikojnë maksimumin e posaçëm (nenet 22 paragrafi i dytë, neni 23 paragrafi i dytë, pjesa e fundit e nenit 27, paragrafi i dytë i nenit 29 dhe neni 41). Por, Gjykata nuk mund të vendosë shfuqizimin e njëkohshëm të tyre, se ato rregullojnë marrëdhënie të reja juridike-penale dhe nga shfuqizimi i tyre do të krijohej boshllëk ligjor, çka do të dëmtonte luftën kundër kriminalitetit.

Kuvendit Popullor i bie për detyrë të bëjë rregullimin ligjor edhe për sanksionet e këtyre normave të reja për t’i konformuar me kërkesat kushtetuese.

Përsa i përket ndryshimeve të normave të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal, Gjykata i quan antikushtetuese nenet 1 e 2 të ligjit pasi ato cenojnë të drejtat themelore të personave për shkak të përmbajtjes së tyre. Kështu, me ndryshimet e bëra me nenin 1 të paragrafeve 3 e 4 të nenit 34 të Kodit Penal, është hequr maksimumi i gjobës si për krimet ashtu edhe për kundërvajtjet penale. Kjo mungesë thelbësore në sanksione i bën ato alogjike dhe si të tilla, edhe antikushtetuese. Ndërsa me ndryshimin e nenit 53 të bërë me anë të nenit 2, ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji ose caktimi i një lloj dënimi më të butë, është kufizuar vetëm për veprat penale për të cilat parashikohet një masë dënimi deri në tre vjet burgim. Vendosja e këtij kufizimi nuk pajtohet me vetë kuptimin e insitutit të uljes së dënimit nën kufijtë e caktuar nga ligji ose të caktimit të një lloj dënimi më të butë.

Rrethanat lehtësuese, duhet të merren parasysh, kuptohet në raste të veçanta, kur krahas rrezikshmërisë së pakët të veprës dhe autorit të saj, konkurrojnë bashkarisht disa prej tyre, edhe për uljen e dënimit nën minimumin e parashikuar.

Kufizimi i bërë me nenin 2 për uljen e dënimit nën minimum ose për caktimin e një lloj dënimi më të butë, i heq kuptimin vetë këtij instituti, pasi për veprat penale që parashikojnë deri në 3 vjet burgim, përgjithësisht minimumi i parashikuar është 5 ditë burgim dhe është parashikuar si lloj dënimi edhe gjoba.

Në paragrafin e dytë të nenit 26 të ligjit të ri është parashikuar konvertimi nga gjykata i gjobave administrative në burgim.

Kjo normë duhet të shfuqizohet në tërësi si antikushtetuese, sepse nuk mund të përfshihet në vepra penale një sanksion me karakter administrativ (neni 6 i ligjit kushtetues për “Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut”).

Përsa i përket nenit 43 të ligjit nr.8175, datë 23.12.1996 “Për ndryshime në Kodin Penal” dhe ligjeve nr.8180 e nr.8181, datë 23.12.1996, respektivisht “Për një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale” dhe “Për një ndryshim në Kodin e Procedurës Civile”, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundim se ato kanë karakter të veçantë dhe për shkak të rëndësisë së tyre kërkojnë një shqyrtim më vete, krejt të ndryshëm nga normat e sipërme të Kodit Penal. Prandaj, për ketë pjese duhet të bëhet veçimi i çështjes duke u marrë në shqyrtim si çështje e veçantë.

Meqënëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pjesën që shfuqizon sanksionet dhe dispozitat e ligjit objekt shqyrtimi, sipas dispozitave kushtetuese (neni 26 paragrafi i tretë) hyn në fuqi vetëm pas shpalljes së tij në Fletoren Zyrtare, për të parandaluar efektet negative të mëtejshme të sanksioneve të shfuqizuara, Gjykata çmon se në bazë të nenit 24 pika 10 të ligjit kushtetues, duhet të vendoset pezullimi i menjëhershëm i zbatimit të tyre dhe zbatimi i normave të Kodit Penal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button