Mandati i popullit të jep të drejtën e qeverisjes dhe jo të sundimit
Nga Thoma Gëllçi
Për të katërtën ditë me radhë, rrugët e Tiranës janë mbushur me dhjetëra mijëra protestues, kryesisht të rinj, të cilët kanë dalë në shesh me një kërkesë të thjeshtë: transparencë!
Shkaku i revoltës lidhet me projektet turistike të planifikuara në Nartë, Zvërnec dhe Sazan, projekte që lidhen me emrat e Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Ashtu siç ndodh zakonisht në Shqipëri, sapo qytetarët ngrenë pyetje, dikush nxiton t’i akuzojë se janë kundër investimeve, kundër zhvillimit, kundër turizmit apo edhe kundër Amerikës. Në të vërtetë, askush nuk po proteston kundër investimeve të huaja. Shqipëria ka nevojë për investime serioze, ashtu si ka nevojë për vende pune, zhvillim ekonomik dhe rritje të të ardhurave. Problemi fillon në momentin kur investimi paraqitet si një lloj mrekullie hyjnore që duhet pranuar pa bërë pyetje, pa kërkuar dokumente dhe pa ditur se si është marrë vendimi.
Në fakt, historia e këtij investimi është aq romantike sa do ta kishte zili edhe industria e filmave hollivudianë.
Nga vetë rrëfimi publik i Ivanka Trump rezulton se gjithçka filloi gjatë një shëtitjeje me jaht në Mesdhe. Ajo tregoi se kishte dalë me miq për një udhëtim detar, se u afruan pranë një ishulli për të notuar dhe se gjatë asaj vizite panë një vend që iu duk shumë i bukur. Sipas saj, aty panë potencial dhe vendosën se do të ishte një ide e mirë të investonin.
Kjo është një histori e bukur për t’u treguar në darkë mes miqsh, por rezulton disi më e vështirë për t’u pranuar si procedurë shtetërore për zhvillimin e territorit të një vendi. Sepse, nëse do të ndjekim këtë logjikë, atëherë studimet e fizibilitetit janë një shpikje e panevojshme e burokratëve. Raportet mjedisore qenkan humbje kohe. Planet territoriale qenkan formalitet. Garat ndërkombëtare qenkan thjesht një zakon i vjetër që nuk i shërben më askujt. Mjafton të shohësh një peizazh të bukur nga kuverta e një jahti dhe projekti mund të konsiderohet praktikisht i miratuar.
Historia bëhet edhe më interesante kur Jared Kushner tregon se si ishte në jaht me mikun e vet Rothschild dhe në jaht i ka shkuar edhe kryeministri Edi Rama, me të cilin, sipas tij, ka biseduar gjatë dhe është kuptuar shumë mirë. Dhe pastaj, pas ndonjë viti, kur po kërkonin ndonjë vend për të investuar në Ballkan, i thanë njëri-tjetrit: le të shkojmë në Shqipëri dhe të ndërtojmë atje një gjë të bukur.
Kështu, ndërsa vendet e tjera shpenzojnë vite të tëra duke organizuar konkurse ndërkombëtare, ku shpallin planet e tyre të zhvillimit duke angazhuar studio arkitekturore, ekspertë mjedisi, ekonomistë dhe juristë, ne kemi zbuluar një model krejtësisht të ri zhvillimi, ku planifikimi strategjik zëvendësohet nga bisedat miqësore mbi kuvertën e një jahti në Mesdhe.
Natyrisht, qytetarët nuk do ta kishin marrë vesh kurrë këtë histori nëse nuk do t’ua kishin treguar vetë protagonistët. Nuk pati ndonjë lajm nga qeveria, por për fat të mirë ndoqëm intervistat e Jared Kushner dhe Ivanka Trump, të cilat na e treguan me hollësi se si vendosën të vijnë të investojnë në Shqipëri. Nuk pati ndonjë prezantim publik të projektit. Nuk pati ndonjë debat kombëtar. Nuk pati ndonjë konsultim serioz me komunitetin. Nuk pati asnjë garë ku publiku të mësonte nëse kishte alternativa të tjera. Shqiptarët mësuan për fatin e një pjese të territorit të tyre pasi gjithçka është vendosur tashmë.
Pastaj erdhën gardhet me tela me gjemba. Pastaj erdhën kompanitë private të sigurisë, të veshura me të zeza. Pastaj erdhën përplasjet me aktivistët. Sepse, siç ndodh zakonisht në histori, kur argumentet mbarojnë, fillojnë gardhet. Kur transparenca mungon, shtohen rojet. Kur pyetjet mbeten pa përgjigje, shtohen akuzat.
Në vend që të dëgjohej shqetësimi i qytetarëve, protestuesit u shpallën grekë, agjentë, spiunë, të manipuluar, armiq të zhvillimit dhe pjesë e komploteve ndërkombëtare. Duket sikur në Shqipëri ekziston një rregull i pashkruar sipas të cilit çdo qytetar që kërkon transparencë pushon automatikisht së qeni qytetar dhe shndërrohet menjëherë në agjent të një fuqie të huaj. Nëse vazhdojnë edhe disa ditë protestat, nuk do të ishte çudi që ndonjë analist televiziv të zbulojë se pas pelikanit kaçurrel fshihet një organizatë secret ndërkombëtare me qendër në ndonjë ishull të Paqësorit.
Megjithatë, pyetjet që shtrojnë protestuesit mbeten jashtëzakonisht të thjeshta. Ata duan të dinë përse nuk pati garë. Duan të dinë përse nuk pati transparencë. Duan të dinë përse nuk pati debat publik. Duan të dinë si kaloi prona te pronarët aktualë. Duan të dinë përse qytetarët informohen vetëm pasi vendimet janë marrë. Janë pyetje normale në çdo shoqëri dhe pikërisht për këtë arsye janë kaq të vështira për t’u shmangur.
Në përgjigje të tyre, Kryeministri Edi Rama përsërit vazhdimisht se ai ka marrë mandatin e popullit për të qeverisur dhe për të realizuar vizionin e tij për zhvillimin e vendit. Kjo është e vërtetë, por vetëm deri në një pikë. Populli i jep një qeverie mandatin për të qeverisur, por nuk i jep të drejtën të sillet sikur shteti është pronë private dhe procedurat ligjore janë thjesht sugjerime fakultative.
Asnjë qytetar nuk ka votuar që konkurrenca e lirë të zëvendësohet nga telefonatat mes miqsh apo drekat nëpër jahte. Asnjë qytetar nuk ka votuar që ligjet e mjedisit të pezullohen sa herë që paraqitet një investitor i fuqishëm. Asnjë qytetar nuk ka votuar që konsultimet publike të zëvendësohen nga deklaratat e bëra në intervista televizive.
Nëse mandati elektoral do të mjaftonte për të bërë gjithçka, atëherë Kushtetuta do të ishte një dokument krejt i panevojshëm. Nuk do të kishte nevojë për gjykata, institucione kontrolli, procedura administrative, konsultime publike apo ligje. Do të mjaftonte rezultati i zgjedhjeve dhe çdo vendim do të konsiderohej automatikisht i drejtë. Fatmirësisht, demokracia nuk funksionon kështu, sepse në demokraci vota nuk e zëvendëson ligjin; vota i jep qeverisë të drejtën dhe detyrimin për ta zbatuar ligjin.
Investitorët seriozë nuk kanë frikë nga transparenca. Përkundrazi, ata e kërkojnë atë. Investitorët seriozë nuk shqetësohen nga garat e hapura. Ata marrin pjesë në to. Investitorët seriozë nuk e shohin debatin publik si kërcënim, por si garanci për stabilitet afatgjatë. Vetëm në Shqipëri është krijuar ideja se transparenca dëmton investimet, ndërsa mungesa e transparencës qenka garancia më e mirë për sukses.
Prandaj problemi nuk është nëse në Zvërnec apo në Sazan do të ndërtohet apo jo. Problemi është mënyra se si janë marrë vendimet edhe pa u hedhur asgjë në letër. Prandaj të rinjtë kanë dalë në rrugë dhe protestojnë. Ata nuk po kërkojnë të bëhen kryeministra. Ata nuk po kërkojnë të negociojnë kontrata. Ata po kërkojnë që shteti të respektojë rregullat që vetë ka miratuar.
Në fund të fundit, qeveria është votuar për të qeverisur Shqipërinë dhe jo për ta zëvendësuar atë. Kryeministri është votuar për të zbatuar ligjet dhe jo për t’i interpretuar ato sipas nevojave të momentit. Ai është votuar për të mbrojtur interesin publik dhe jo për t’u kërkuar qytetarëve të besojnë verbërisht se çdo vendim i qeverisë është automatikisht në interesin e tyre.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse protestat nuk po ndalen. Sepse mijëra qytetarë po përpiqen t’i kujtojnë Kryeministrit një parim shumë të thjeshtë që duket se humbet sa herë që pushteti zgjatet në kohë: në demokraci, mandati i popullit të jep të drejtën të qeverisësh, por nuk të jep kurrë të drejtën të sundosh.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.