Marka Shell hyn në Shqipëri – Sillet nga kompania e miliarderit grek
Në Greqi, Coral ka rreth 800 pika karburanti me markën Shell dhe mban afërsisht 20% të tregut. Coral është pjesë e gjigandit grek të energjisë, Motor Oil Hellas.
Aksioner kontrollues në këtë shoqëri është miliarderi grek, Vardis Vardinogiannis, me mbi 57% të kuotave, ndërsa pjesa e mbetur e aksioneve janë të listuara në Bursat e Athinës dhe Londrës.
Hyrja e Shell, përmes grekëve të Coral, pritet të rrisë konkurrencën në tregun e karburanteve në Shqipëri. Volumi i tregut vlerësohet në rreth 1 miliard euro në vit dhe, sidomos në nivel shumice, ka tiparet e një oligopoli.
Tregu dominohet nga kompania Kastrati, që qarkullon mbi 500 milionë euro në vit, si edhe pak kompani të tjera, si Elda Petrol, Genklaudis, Alpet dhe Bolv Oil.
Shell do të vijë në Shqipëri pak muaj pas daljes nga tregu të një tjetër marke të njohur globale, Gulf. Gulf u soll në Shqipëri nga një grup biznesi gjeorgjian, i kontrolluar nga një prej ish-ministrave të rëndësishëm të qeverisjes së Mikhail Saakashvilit.
Por, kjo kompani u largua në fillim të këtij viti, duke i mbyllur papritur të gjitha pikat. Pak ditë para largimit, kompania u përfshi edhe në një skemë mashtrimi, në bashkëpunim me disa partnerë shqiptarë, përmes shitjes së tollonave me çmim të ulët.