Bota

Mbretëresha Elizabeth e përfshirë në ‘Paradise Papers’, zbulohet ku investoi miliona

Miliona funte nga pasuria private e mbretëreshës britanike, Elizabeth II, janë derdhur në Ishujt Kajman, si pjesë e një investimi jashtë vendit, që kurrë nuk është zbuluar më parë, sipas dokumenteve të zbuluara në kuadër të një hetimi të ri të madh për strehët e largëta fiskale.

Dokumentet, pjesë e një zbulimi të madh, tregojnë për herë të parë se si Mbretëresha, nëpërmjet Dukatit të Lankasterit, ka mbajtur dhe ende mban aksione, të blera nëpërmjet fondeve që kanë derdhur para në një mori biznesesh, përfshirë Threshers dhe BrightHouse. Ky i fundit është kritikuar ashpër për keqpërdorimin e mijëra familjeve të varfra dhe të njerëzve me të meta.

Dukati ka pranuar se nuk ka qenë kurrë në dijeni për investimin e tij 12-vjeçar në BrightHouse, derisa është kontaktuar nga The Guardian the partnerët e tjerë medialë, në kuadër të një projekti ndërkombëtar, të quajtur “Paradise Papers”, apo në shqip “Dokumentet nga parajsa”.

Ndonëse Dukati ka karakterizuar hiset e tij në BrightHouse si të parëndësishme, ai nuk ka treguar madhësinë e investimit të saj të parë më 2005, që përkoi me një rritje të ndjeshme të vlerës së kompanisë.

Kritikët pritet të pyesin pse Mbretëresha ka pasur para atje në radhë të parë, ndërsa Dukati mund të përballet me pyetje të pakëndshme, rreth asaj nëse ka pasur mbikëqyrje dhe menaxhim të mjaftueshëm të “investimeve të mëtejshme” të Mbretëreshës për t’u siguruar se ato kanë qenë etike.

Dukati po ashtu ka treguar për investimet e tij në “disa fonde jashtë vendit”, përfshirë një në Irlandë, dhe do të jetë nën trysni të mëtejme për të dhënë detaje se ku po mbahen paratë.

Ndonëse Dukati ka thënë se nuk ka shijuar avantazhe taksore nga investimet jashtë vendit, zbulimet për financat e Mbretëreshës, një prej grave më të pasura në planet, me gjasë do të gjallërojnë grupet e fushatave dhe disa deputetë britanikë, të cilët kanë kërkuar mbikëqyrje më të madhe të shpenzimeve mbretërore.

Detajet e marrëveshjeve jashtë vendit të Mbretëreshës vijnë nga një rrjedhje e 13 milionë e 400 mijë dokumenteve, nga dy ofrues shërbimesh në vende të largëta, dhe nga regjistra kompanish të 19 strehëve fiskale.

Materiali është siguruar nga gazeta gjermane Sueddeutsche Zeitung, dhe është shpërndarë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Gazetarëve Hetues, me partnerë që përfshijnë The Guardian, BBC dhe The New York Times.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button