Mbrojtja e Berishës nga SPAK-u, shpërfillje e Washingtonit dhe Londrës ?

Të gjitha prokuroritë e Botës demokratike kanë për detyrë të zbulojnë dhe hetojnë të gjithë kriminelët qofshin ata persona të veçantë apo grupime banditësh. Për zbulimin e tyre nga hetuesit përdoren metoda nga më të thjeshtat e deri te më të sofistikuarat. Një ndihmë e madhe për ta janë edhe kallzimet e institucioneve, mediave të folura apo të shkruara si dhe ato të individëve të veçantë, kur ia vlen të niset një hetim. Nga kjo praktikë ndërkombëtare nuk mund të bëjnë përjashtim as hetuesit e Shqipërisë, qofshin të prokurorive të rretheve apo ata që janë pjesë e SPAK-ut, Prokurorisë Speciale Kundër krimit të Organizuar. Pikërisht nga kallzimi i PD-së për abuzimet për inceneratorët u vu në pranga një ministër dhe po nga të dhënat që dolën nga një proces gjyqësor në Itali, u hetua, u burgos dhe u dënua ish Ministri i Brendshëm i qeverisë Rama. Gjithashtu po nga kallzimet e individëve po hetohen disa çështje të tjera. Së fundmi është njoftuar si i pandehur dhe ish Ministri i Mbrojtjes i qeverirë Berisha për çështjen Gërdeci, deputeti Fatmir Mediu. SPAK, me sa duket, është duke hetuar edhe për akuzat ndaj ish zëvendëskryeministrit të qeverisë Rama, deputetit Arben Ahmetaj. Deri këtu mund të themi me plot gojë I LUMTË SPAK-ut! Ama deri këtu, sepse populli ka vërejtje të qenësishme për atë institucion shumë shpresëdhënës për të shpartalluar korrupsionin e lartë shtetëror të Shqipërisë. Njerëzit e ndershëm nuk e kuptojnë dot pse SPAK-u po bën veshin shurdhër dhe rolin e të verbërit për hetimin e ish Presidentit dhe ish Kryeministrit Sali Berisha. Ka plot 22 muaj që SHBA (më vonë edhe Mbretëria e Bashkuar e Anglisë) që ka shpallur NON GRATA këtë njeri dhe nuk po shikojmë as më të voglën lëvizje për të nisur hetimin ndaj tij?! Kur, ju të nderuar prokurorë të SPAK-ut, merrni si të mirëqëna kallzimet e partive ose edhe njerëzve të thjeshtë, si nuk u vutë menjëherë në lëvizje kur Amerika dhe Anglia, dy shtete me sherbime intiligjente nga më të përsosurat, ia vunë damkën ndërkombëtare të të korruptuarit madhor Sali Berishës!? A kishte dhe a ka kallzim më zyrtar dhe serioz se akuza e zotit Antoni Blinken:” Veprat e korrupsionit të ish Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri.Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” Bukur fort, besa, thonë shkodranët, Për në Amerikë i papërshtatshëm se je i korruptuar, në Shqipëri je i denjë për deputet, kryetar partie dhe aspirues për t’u bërë sërish Kryeministër?! O,dhe, hapu që të gjejmë pak prehje edhe ne shqipot?!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.