Mbyllen hetimet për ish kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako
Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes për të cilën është marrë i pandehurn ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe 10 persona të tjerë, nga të cilët 7 janë ish punonjës të Bashkisë.
Zoti Dako, u arrestua në qershor të këtij viti, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dy raste: procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë si dhe procedura e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me një fond prej 21 milionë lekësh
Për rastin e pallatit, Prokuroria e Posaçme thotë se “gjatë miratimit dhe zbardhjes/protokollimit të lejes së ndërtimit, të miratuar me vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Durrës më 28 Shtator 2011, në favor të Shoqërisë “Fakle sh.p.k”, janë kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e Kryetarit të Bashkisë dhe nëpunësve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, të cilat konsistojnë në protokollimin/zbardhjen e lejes së ndërtimit në datën 14 Tetor 2014, ttre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë”.
Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se “pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, janë hartuar në mënyrë fiktive dhe të gjithë dokumentet që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatës për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm.
Në këtë mënyrë – vë në dukje Prokuroria e Posaçme – është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës”.
Mes personave të akuzuar, është dhe administratori i kompanisë ndërtuese Fiqiri Farruku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, si dhe dy inxhinjerë, njëri topograf dhe një tjetër i cili ka kryer koaludimin e ndërtesës.
Sa i takon tenderit për projektimin e shëtitores në Durrës, Prokuroria e Posaçme vëren se “nga ana e anëtarëve të Komisionit për caktimin e specifikimeve teknik, të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave”, dhe se “Kryetari i Bashkisë Durrës, ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa për 60% të vlerës totale”.
Sipas Prokurorisë “edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë, Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin Dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej 18.318.400,2 lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim”.
Zoti Dako, i cili drejtoi për tre mandate qytetin e Durrësit, ka mohuar akuzat.