Opinion

Mbyllja kuarkeve dhe reforma në drejtësi

Nga Artan Boriçi

Situata e politike që po kalon vendi ynë sjell me vete edhe risi në gjuhën e përdorur, metafora dhe krahasime jo të zakonshme. Kjo situatë gjuhësore filloi me ambasadorin Lu, i cili dështimin e reformës e krahasoi me mbylljen përjetë të krerëve të politikës shqiptare brenda një dhome.

Ky cilësim është një shembull për tu mbajtur mend gjatë në analet e historisë diplomatike shqiptare, ballkanike, pse jo edhe botërore. Si mësues i fizikës kam nevojë të flas për fizikën edhe jashtë klasës, prandaj mezi pres rastin që dikush të jetë kurioz për dukuritë fizike klasike, apo të zakonshme, por edhe ato kuantike. Për të shkruar një shkrim mbi fizikën kuantike në gazetat e përditshme më ka shkuar mendja edhe më parë, por kam hezituar për shkak se publiku i gjërë ka më shumë interes për fizikën e trupave të mëdhenj dhe atë te forcave të rëndesës.

Vendosa të shkruaj për publikun për forcat që mbajnë protonet të pazbërthyeshëm përjetë pasi interesi publik mbi përbërjen e trupit të njeriut është shumë i madh. Në këtë mënyrë, publiku do ketë interes më të madh për të zbuluar këto forca. Nga ana tjetër “mbyllja përjetë e kuarkeve në hadrone” është ajo që u tregoj studentëve në orën e mësimit. E thënë prej një diplomati të lartë, argumenti fizik është edhe më i perceptueshëm.

Një hadron, është një grimcë që ka përmasa një mijë trilion herë më të vogla se ato të një njeriu. Hadronet përbëhen prej grimcave që Gell-Mann i quajti kuarke. Kuarket konsiderohen si grimca pikësore ose me përmasa të cilat janë aq të vogla sa që eksperimentet e sotme nuk mund t’i zbulojnë. Le të shpjegojmë fillimisht se çfarë është një pi-mezon. Një pi-mezon përbëhet prej një kuarku dhe një antikuarku, kushuriri i kuarkut por me ngarkesë ngjyre të kundërt. Ngarkesa e ngjyrës është e ngjashme si ngarkesa elektrike, të cilën e njohim mirë prej shkarkesave elektrike.

Deri këtu nuk asgjë për t’u çuditur. Ajo që i bën kuarket të veçanta, është fakti që ato nuk mund të izolohen të ndara prej grimcave të tjera: kuarket janë të mbyllura përjetë në hadrone. Edhe në temperatura shumë më të larta se temperatura në qendër të diellit kuarket mbeten përsëri të mbyllura përjetë. Tani vjen pjesa më magjike e fizikës që shpjegon përse kuarket janë të mbyllura përjetë. Ata janë të lidhur me korda apo kavo shumë të forta të cilat mund të mbajnë një kamion të rëndë e përsëri të mos këputen.

Lexuesi i vëmendshëm mund të pyesë: po sikur të vendosen përmbi kordë dy kamionë të rëndë, a mund të këputet korda? Përgjigja është pozitive, po, korda këputet. Atëhere, vazhdon të pyesë lexuesi i vëmendshëm, a nuk do të thotë kjo që kemi dy kuarke të ndara e të çliruara prej njëri-tjetrit? Këtu hyn me gjithë misterin e vet një efekt i mekanikës kuantike, të cilin dua ta shpjegoj me anë të një shembulli të thjeshtë.

Të gjithë e dimë se kur mbajmë të varur një lavjerrës në qetësi, energjia mekanike e tij është zero. Këtu kemi përjashtuar energjinë si pasojë të masës. Në mekanikën kuantike energjia e një lavjerrësi nuk mund të jetë zero! Energjia minimale e lavjerrësit quhet energjia e hapësirës boshe. Bota kuantike është shumë e çuditshme: Feynman shprehej se “ai që mendon se e kupton mekanikën kuantike, në fakt nuk e kupton atë”.

Ne qoftë se lexuesit nuk i ka sosur durimi, atëhere ja ku vjen edhe fundi: energjia e hapësirës boshe ështe e mjaftueshme për të krijuar një çift të ri kuarkesh dhe antikuarkesh. Në këtë mënyrë, në vendin ku këputet korda, ngjiten kuarket e boshllëkut. Në këtë mënyrë kemi dy korda, secila e përbërë prej një kuarku dhe një antikuarku. Pra, u nisëm prej një pi-mezoni dhe tani, kur ka mjaftueshmërisht energji, kemi dy pi-mezone.

Në përfundim të këtij shkrimi, lexuesi duhet të mbajë mend se mbyllja përjetë e dy objekteve është dukuri natyrore. Njeriu përbëhet prej shumë grimcash të tilla ose 99.99% të peshës së tij. Ne nuk do të ishim të tillë, as unë dhe as ambasadori Lu, e në fakt as kërrkush tjetër, në rast se nuk do të kishim në trup kuarket të mbyllura përjetë në protone dhe neutrone. Ndryshimi shumë i madh i protoneve me pi-mezonet është fakti se në protone janë të mbyllura përjetë jo një kuark dhe një antikuark, por tri kuarke: janë tre korda të lidhura me njëra-tjetrën në një nyje dhe në skaje përfundojnë me nga një kuark.

Uroj që së bashku me mësimet që do të nxëmë prej ditëve në vijim, lexuesit e mi të kenë mësuar edhe mbylljen përjetë të kuarkeve në hadrone!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button